19/12/2012
Publikimi i numrit të tretë të Raportit të Stabilitetit Financiar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mblodhi sot akterët kryesor të industrisë bankare, industrisë së sigurimeve dhe përfaqësues të institucioneve tjera si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Thesari Amerikan, USAID, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, etj. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe Presidentja e vendit znj. Atifete Jahjaga, ambasadorja amerikane znj.Tracey Ann Jacobson, ambasadori britanik z.Ian Cliff si dhe përfaqësues tjerë dhe diplomat të akredituar në Prishtinë. Fillimisht për pjesëmarrësit u shfaq një video tregim i realizur nga FMN-ja për Kosovën, i cili për herë të parë është shfaqur ekskluzivisht gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Tokio në muajin tetor të këtij viti.
Duke i’u uruar mirëseardhje, Guvernatori Gërguri në fjalën e tij hyrëse lidhur me të gjeturat e këtij raporti theksoi performancën pozitive të ekonomisë së Kosovës dhe nivelin e lartë të qëndrueshmërisë së sistemit bankar (klikoni këtu për fjalimin e plotë të Guvernatorit Gërguri). Ndërsa, Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, pasi potencoi rolin e Bankës Qendrore në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit, ndër të tjera theksoi se me gjithë përballjen me vështirësitë e shkaktuara nga kriza ekonomike globale, Republika e Kosovës ka arritur të ruaj stabilitetin makroekonomik (klikoni këtu për fjalimin e plotë së Presidentes Jahjaga).
Prezantimin gjithëpërfshirës të Raportit të Stabilitetit Financiar e bëri z.Arben Mustafa, drejtor i Departamentit për Stabilitet Financiar dhe Analiza Ekonomike në BQK (klikoni këtu për prezantimin e plotë).
Në fund të kësaj konference , Guvernatori Gërguri dhe Kryetari i Bordit të BQK-së z. Sejdi Rexhepi shpërndanë çmimet për studimin më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj. Fitues të këtyre çmimeve për këtë vit janë: Anera Alishani që mori çmimin e parë (700 euro) , për studimin me titull “Central Bank Independence and its Effect on Money Market Stability”, dhe Yllka Hysa që mori çmimin e dytë ( 450 euro ), për studimin me titull “Consumer Buying Behaviour Changing Patterns Case Study: Financial Institutions of Kosovo”.