Banka Qendrore e Republikës së Kosovës inkurajon bankat komerciale që të vazhdojnë të mbështesin ekonominë e Kosovës

28/06/2010

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës inkurajon bankat komerciale që të vazhdojnë të mbështesin ekonominë e Kosovës

Nën drejtimin e Guvernatorit Rexhepi dhe bashkëpunëtorëve të tij , në vazhdën e takimeve të rregullta është zhvilluar një  takim  me shoqatën dhe përfaqësuesit e bankave  që operojnë në Kosovë të cilat mbikëqyrën nga BQK-ja.
Në këtë takim Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës  së Kosovës informoi bankat për progresin e bërë në rafinimin e kornizës ligjore, ligjin për BQK-në, ligjin për bankat komerciale (për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e bankave), ligjin për sigurimin e depozitave si dhe ndryshimet tjera që priten të kompletohen në kornizën ligjore (trajtimi i kërkesave për likuiditet, shfrytëzimi i rezervave të likuiditetit etj). Guvernatori vuri theksin në ndryshimet kryesore që priten të ndodhin në kornizën ligjore, për t’ju shpalosur bankave dhe për të parë vlerësimin e tyre si palë me interes. Sa i takon ligjit për bankat komerciale, përfaqësuesit e bankave u informuan për objektivat që BQK-ja  pret të përfshihen në ligj, si;
• Përshtatja e  rregullativës ligjore relevante të Unionit Evropian në ligjin e ri për banka,
• Paketimi në një, ligji për institucionet kreditore - banka dhe institucione kreditore jo-banka( institucione mikrofinanciare, agjenci transferi të parave, këmbimore, etj), për vetëm arsye teknike që të procedohet më shpejtë,
• Ngritja e kërkesave kualitative për qeverisje të institucioneve, standardet dhe praktikat më të reja të promovuara nga institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare (Komiteti i Baselit për Mbikëqyrje Bankare, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Rekomandimet nga G8), ruajtja e strukturës ekzistuese të bordit dual ‘dual board) – kundër alternativës ’bord unitar’
• Pasurimi i ligjit me alternativa tjera në trajtimin e bankave problematike dhe adresimin e problemeve në banka ( administrimi si fazë e përkohshme në rimëkëmbjen  e institucionit),
• Raportimi financiar, diferencimi më i theksuar mes filialeve të bankave dhe degëve të bankave,
• Rafinimi i kërkesave për licencim, karshi politikës së BQK-së në shqyrtimin e aplikacioneve – përcaktimi i prioriteteve/pritjeve nga BQK për të shtuar vlerë konkurruese në treg,
• Diferencimi më i theksuar i kërkesave për kapital, (kapital i paguar, kapital i bazuar në rrezik),
• Rritja e kërkesave për ‘menaxhim të rreziqeve’, delegimi nga Bordi të Komitetet, etj.
• Masat përforcuese, zgjerimi i alternativave dhe opsioneve për intervenim. etj.

Zëvendësguvernatori elaboroi më hollësisht çështjet/kërkesat e BQK-së për t’u inkorporuar në ligj. Përfaqësuesit e bankave u informuan se do vazhdohet me qasje transparente për të gjitha ndryshimet në kornizën ligjore dhe se bankat e institucionet tjera jo banka do të kenë mundësin të njihen me draft ligjin dhe të komentojnë provizionet e tij për diskutim të mëtejmë.

Përfaqësuesit e bankave u njoftuan edhe për progresin e bërë në ligjin për sigurimin e depozitave, aprovimin në parim nga qeveria dhe procedimin e mëtejmë në parlament. Publikimet e reja nga Komiteti i Bazelit për Mbikëqyrje Bankare u shfrytëzuan si referencë  për vëmendjen e bankave, publikimi i fundit për standardet në menaxhimin e likuiditetit, ndryshimet në kapital – puna në progres nga Komiteti i Bazelit që pritet të publikohet.

Nga bankat u kërkua të vlerësojnë procesin e kthimit të depozitave PTK/MEF-it sipas termeve të rëna dakord nga diskutimet respektive. Përfaqësuesit e bankave vlerësuan se procesi po rrjedhë normalisht, me mjetet që janë mbajtur në dispozicion në llogari të bankave, teprica e mjeteve rezervë në BQK, si dhe për skenar të ndryshëm llogaritet edhe në linjat kreditore të kontraktuara me institucione të ndryshme financiare.

Guvernatori inkurajoi bankat të vazhdojnë procesin e kreditimit për të përkrahur bizneset dhe ekonominë në përgjithësi paralel me menaxhimin respektiv të rreziqeve dhe qeverisjen e duhur të institucioneve. Përfaqësuesit e bankave shpalosën strategjinë e tyre të vazhdimit të rritjes dhe zgjerimit të aktiviteteve financiare.

Përfaqësuesit e bankave u informuan se BQK-ja po shqyrton propozimin nga shoqata për themelimin e normës lokale reference të interesit.

Nga takimi u konkludua qe të vazhdohet me debate të këtij niveli, që me kohë të gjitha palët të informohen dhe që çdo kërkesë që kërkon vëmendjen e bankave të artikulohet edhe me shoqatën e bankave.