10/06/2018
Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878) dhe 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka e Shqipërisë organizojnë Ekspozitën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”.
Ekspozita është pjesë e agjendës shtetërore të organizuar nga Komisioni Qeveritar për Vitin Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe do të jetë e hapur nga data 10 deri më 12 qershor 2018, nga ora 10:00 deri 20:00, në Muzeun e Lidhjes së Prizrenit në Prizren.
Ekspozita e cila u hap nga Guvernatori Mehmeti , përmban thesar numizmatik nga të dy shtetet Kosova dhe Shqipëria, kryesisht monedha të përdorura në trojet shqiptare gjatë etapave të ndryshme duke filluar nga shekulli I para Krishtit e deri në ditët e sotme.
Përveç thesarit numizmatik do të prezantohen edhe tekste historike, imazhe historike dhe produkte të edukimit financiar të të dyja bankave qendrore, duke prezantuar kështu një shkrirje mes numizmatikës, historisë dhe edukimit.
Në fjalën e tij Guvernatori Mehmeti ndër të tjera ka vlerësuar lartë rolin dhe rëndësinë përmbajtjes së kësaj ekspozite, që po hapet në këtë ngjarje të shënuar. Ai nënvizoi së “falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer që ka BQK-ja me BSH-në, këtë vit bashkërisht kemi vendosur që t’i bashkëngjitemi shënimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili përkon me 550-vjetorin e vdekjes së tij dhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë rast Banka Qendrore, në koordinim me Muzeun e Kosovës, Bankën e Shqipërisë dhe Muzeun e Lidhjes së Prizrenit si nikoqir, në këtë ambient të bukur po hapim ekspozitën ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, ku janë të ekspozuara monedha dhe kartëmonedha shqiptare një pjesë nga të cilat janë përdorur edhe në Kosovë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore”. Altin Tanku, zyrtar i lartë nga Banka Qendrore e Shqipërisë, po ashtu e vlerësoi me rëndësi të veçantë hapjen e kësaj ekspozite pasi përkujton ngjarje të mëdha për kombin shqiptar, siç është 550-vjetori i vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeu dhe përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
“Ekspozita sjell për publikun kosovar një pjesë të historisë monetare shumë të rëndësishme të historisë monetare financiare të vendeve tona, e cila shtrihet që nga periudhat e lashta e deri në ditët e sotme”, tha Tanku. “Figura e Skënderbeut është një figurë mjaft e rëndësishme e cila shtrihet dhe gjen vendin e vet në monedhën kombëtare pavarësisht periudhave historike apo ndonjë sistemi ekonomik që kanë ekzistuar në territoret shqiptare”. Tanku theksoi se në ekspozitë shfaqen dhe monedha që përkujtojnë Kongresin e Manastirit, një ngjarje po ashtu e rëndësishme për historinë shqiptare. Ekspozita është vizituar nga personalitetet që morën pjesë në Akademinë e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përfshirë këtu Presidentin e Shqipërisë z.Ilir Meta, Kryeministrin z.Ramush Haradinaj, ministra, zyrtarë të lartë nga të gjitha trojet shqiptare. Po ashtu ekspozita zgjoi interesim të madh te qytetarët dhe mediat, ku gjatë ditës qindra qytetarë kanë vizituar ekspozitën dhe janë njohur me përmbajtjen e ekspozuar në këtë ekspozitë, ku për rëndësinë e saj janë njoftuar nga zyrtarë të edukimit financiar të BQK-së dhe BSH-së e ekspertë të numizmatikës. Ekspozita vazhdon të jetë e hapur deri më 12 qershor.
Fjalimi i Guvernatorit z.Fehmi Mehmeti.