10/02/2012
Ambasadori norvegjez vizitoi BQK-në
10 shkurt 2012
Shkëlqesia e tij, z.Jan Braathu, ambasador norvegjez në Republikën e Kosovës, vizitoi sot Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, me ç’rast u prit nga Guvernatori Gërguri me të cilin shkëmbeu informacion mbi zhvillimet ekonomike e financiare në Kosovë si dhe mbështetjen që shteti norvegjez është duke dhënë në zhvillimin e Kosovës.
Fillimisht Guvernatori Gërguri falënderoi Ambasadorin Braathu për vizitën e tij në BQK, duke shtuar se Norvegjia si një vend mik i Kosovës, në vazhdimësi ka qenë përkrahëse e madhe e zhvillimit ekonomik dhe institucional të Kosovës. Në vazhdim,Guvernatori Gërguri ka njoftuar Ambasadorin Braathu lidhur me ecuritë ekonomike në përgjithësi si dhe ecuritë në sektorin financiar të vendit, në veçanti.
Shkëlqesia e tij, Ambasadori Braathu duke u falenderuar për pritjen e organizuar theksoi se Norvegjia vazhdon të jetë e fokusuar në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe institucional të Kosovës dhe se informacioni i ofruar nga Guvernatori mbi ecuritë ekonomike e financiare do të jetë i dobishëm për rritjen e mëtejme të kësaj mbështetjeje si në sferën e identifikimit të projekteve të reja dhe të inkurajimit të investitorëve të rinj ashtu edhe atë të nxitjes së bashkëpunimit midis BQK-së dhe Bankës Qendrore të Norvegjisë.