Statistikat e Sektorit të Jashtëm

Statistikat e bilancit të pagesave të Kosovës publikohen që nga viti 2006, duke përfshirë periudhën statistikore 2004-2005. Që nga viti 2010, statistikat e bilancit të pagesave përpilohen dhe publikohen në bazë tremujore.

Statistikat e sektorit të jashtëm përfshijnë statistikat e bilancit të pagesave dhe statistikat mbi pozicionin ndërkombëtar të investimeve. Statistikat e bilancit të pagesave përfshijnë transaksionet në mes të rezidentëve dhe jo rezidentëve në formë të mallrave, shërbimeve, të ardhurave, etj. Për më shumë rreth statistikave të bilancit të pagesave, shih:

Metodika e Statistikave të Bilancit të Pagesave

Përpilimi i statistikave të sektorit të jashtëm bazohet në standardet ndërkombëtare të rekomanduara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar përmes manualeve që publikohen. Deri në vitin 2014, edicioni i pestë i manualit të Bilancit të Pagesave është përdorur për të përpiluar statistikat e sektorit të jashtëm të Kosovës. Nga shtatori i vitit 2014 Kosova, në të njëjtin kohë me vendet e Bashkimi Evropian ka implementuar edicionin e gjashtë të manualit për përpilimin e Statistikave të Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit të Investimeve Ndërkombëtare.

Manuali i Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit të Investimeve Ndërkombëtare shërben si kornizë standarde për përpilimin e statistikave lidhur me vlerën e transaksioneve rrjedhëse (bilanci i pagesave - BOP) dhe vlerën e akumuluar (Pozicioni i Investimeve Ndërkombëtare - PIN), të një ekonomie me pjesën tjetër të botës. Për më shumë, manuali shpjegon konceptet, definicionet dhe klasifikimet për BOP dhe PIN. Si metodologji standarde, manuali mundëson krahasueshmërinë ndërkombëtare të të dhënave për të gjitha ekonomitë e botës pavarësisht nga madhësia apo zhvillimi ekonomik i tyre.

Implementimi i edicionit të ri të Manualit të Bilancit të Pagesave (BPM6)

Pyetje të shpeshta lidhur me kalimin nga verzioni MBP5 në MBP6

Ndryshimet në trajtim dhe klasifikim sipas BPM6

“Burimet e të dhënave që përdoren për të përpiluar statistikat e bilancit të pagesave janë të shumta, por më kryesoret janë Sistemi i Raportimit të Transaksioneve NdërkombëtareStatistikat e Tregtisë së Jashtme, Raportimet  nga ndërmarrjet (Anketimet), Statistikat monetare e financiare, si dhe të dhënat zyrtare e administrative.”

Sistemi i Raportimit të Transaksioneve Ndërkombëtare (SRTN) i implementuar  nga BQK është një projekt statistikor bazuar në raportimin në baza mujore nga bankat komerciale të transaksioneve ndërkombëtare (pranimet/pagesat e mallrave, shërbimeve, të ardhurave, transfereve, investimeve direkte, etj.) që kryhen përmes bankave komerciale. 

Edicioni i katërt i Udhëzimeve për Raportim të Sistemit të Raportimit të Transaksioneve Ndërkombëtare (SRTN4), ka përditësuar edicionin e tretë (SRTN3) që u botua në 2013. Udhëzimet për Raportim kanë për qëllim t’iu shërbejnë raportuesve dhe përdoruesve të statistikave të bilancit të pagesave, duke ofruar udhëzime për mbledhje të informatave për raportim. Udhëzime përfshijnë edhe format raportuese, raportimi i të cilave është i obligueshëm për të gjitha bankat komerciale të licencuara nga BQK. Ky aspekt juridik është i rregulluar me Ligjin mbi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-209, dhe specifikuar më konkretisht me Rregulloren për statistikat e bilancit të pagesave dhe pozicionit të investimeve ndërkombëtare miratuar nga Bordi i BQK-së në mbledhjen e mbajtur më 26 dhjetor 2013. Përgatitja e udhëzimeve për raportim është bërë në  bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e bankave komerciale në Kosovë.

Udhëzimet për Raportim SRTN4 janë përgatitur nga Departamenti i Statistikës i BQK-së bazuar në standardet ndërkombëtare të rekomanduara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Eurostati. Konceptet e përshkruara në këto udhëzime të SRTN-së janë në harmoni me botimin e gjashtë të Manualit të Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit të Investimeve Ndërkombëtare si dhe dokumenti shoqërues i këtij manuali, Udhëzuesin e BPM6.

SRTN1 është implementuar për herë të parë në shtator 2005. Udhëzimet për raportim janë përditësuar në vitin 2008 dhe në vitin 2013.

Teksti i SRTN4 në formatin PDF 

Statistikat e Tregtisë së Jashtme përfshijnë të dhënat mbi importin dhe eksportin e mallrave, në funksion të statistikave të bilancit të pagesave. Këto të dhëna kanë të bëjë me mallrat e përgjithshme (importi dhe eksporti i rregullt), mallrat në përpunim, riparim, etj.

Anketat paraqesin raportimin e gjendjes financiare dhe të transaksioneve ndërkombëtare nga institucionet e ndryshme (kryesisht kompanitë jofinanciare) lidhur me aktivitetin e tyre me jo rezidentë në shërbime, të ardhura, investime, etj.

Burimet tjera të informacionit janë të dhënat që grumbullohen përmes pyetësorëve nga institucione si: EULEX-i, UNMIK-u, KFOR-i, institucionet qeveritare dhe institucionet tjera.

Statistikat e bilancit të pagesave përpilohen konform standardeve ndërkombëtare si vijon:

Manuali mbi Statistikat e Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit Ndërkombëtar të Investimeve BPM6 (FMN, 2009);
Udhëzues për Përpilimin e Statistikave  të Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit Ndërkombëtar të Investimeve (FMN,2014);
Sistemi i Llogarive Kombëtare (SNA 2008);
Sistemi Evropian i Llogarive Kombëtare (ESA 2010