Roli dhe funksioni i Sistemit të Pagesave Ndërbankare të BQK-së

Që nga nëntori i vitit 2000 Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (tani Banka Qendrore e Republikës së Kosovës), kishte filluar së hartuari planin mbi krijimin e një Sistemi të ri të Pagesave Ndërbankare në Kosovë. Kjo përpjekje ishte përkrahur fillimisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN - asistenca teknike e të cilëve ishte prezentë që nga fillimi) përmes këshilltarëve profesional për pagesa. Rekomandimet e tyre të dhëna fillimisht përmes raporteve (pasqyruar sipas etapave të zhvillimit) ishin bërë pothuaj për atë kohë edhe procedura të punës aktuale. Me krijimin e Komitetit Këshillues të Pagesave Ndërbankare nën udhëheqjen e BQK-ës e në pjesëmarrje të të gjitha bankave komerciale, u punua rreth konkretizimit të rregullave dhe procedurave të punës, standardeve dhe të gjitha politikave tjera operacionale e zhvillimore në këtë aspekt.

Sistemi Ndërbankar i Pagesave i karakterizuar si proces ka kaluar nëpër tri faza kryesore të zhvillimit.

Faza e parë

Zyrtarisht kjo fazë, e më këtë edhe Sistemi i Kliringut Ndërbankar (SKN), filloj së vepruari më 7 Maj, 2001. Kjo periudhë u karakterizua me mënyrën manuale të këmbimit të urdhërpagesave, rregullimit dhe barazimit të gjitha pagesave në BQK. Pra, ishte një sistem shumë i thjeshtë i kliringut dhe shlyerjes të urdhërpagesave në letër. Me këtë mënyrë të veprimit kreditohej llogaria e bankës pranuese dhe debitohej llogaria e bankës urdhëruese. Në fillim, meqë numri i pagesave ishte i vogël, regjistrimet në llogari bëheshin manualisht dhe në baza individuale. Ishte kjo një marrëveshje e arritur në mes SKN në BQK dhe bankave pjesëmarrëse, të cilat u bashkëngjitën me marrëveshje në këtë proces.

Përveç operativës ditore, karakteristikë tjetër parësore e kësaj faze ishte konsolidimi i Komitetit Këshillues Ndërbankar të Pagesave, KKPN (i njohur si “IPAC”). Fillimisht, të anëtarësuara në Sistem të Kliringut Ndërbankar dhe njëkohësisht edhe në aktivitetet e Komitetit Këshillues të Pagesave, ishin: Procredit bank (ish MEB), NLB (ish BRK) dhe BPB. Nga qershori i atij viti sistemit iu bashkangjitë edhe Banka Ekonomike (BE), ndërsa në fund të vitit 2001, sistemit të pagesave dhe aktivitetit të komitetit këshillues të pagesave, iu bashkuan edhe tri banka të tjera: Raiffeisen Bank (ish Banka Amerikane), Banka Kreditore (BKP) dhe Kasabanka (KSB). Komiteti Këshilldhënës i Pagesave Ndërbankare (KKPN), është themeluar me qëllim të shqyrtimit të të gjitha rregullave dhe procedurave të SNP-së, në mënyrë që të arrihen marrëveshje paraprake për të gjitha çështjet e pagesave dhe veprimeve procedurale. Ky komitet kryesohej nga udhëheqësi i Sistemit të Kliringut Ndërbankar në BPK (BQK).
Pas rreth 1 viti, u vendos se është bërë një praktikë e mirë në njohjen dhe edukimin fillestar të bankave me veprimet dhe procedurat e kliringut, dhe u kalua në një shkëmbim gjysëmelektronik të të dhënave përmes disketave apo file transfereve, ku kliringu dhe shlyerjet në llogaritë e BQK-së bëheshin në baza neto. Kjo mënyrë e tillë e shkëmbimit të transfereve të pagesave ndërbankare u krijua që të shmangej shkëmbimi manual i të dhënave, dhe si parapërgatitje për aplikimim e sistemit elektronik të kliringut.

 

Faza e dytë

Shkëmbimi manual dhe gjysëmmanual i të dhënave ishte një bazë e fortë që i parapriu fazës tjetër të zhvillimit dhe modernizimit të Sistemit të Pagesave ndërbankare dhe kalimin në të ashtuquajturin Sistem Elektronik të Kliringut Ndërbankar (SEKN).

Implementim i fazës së dytë për kalimin në SEKN, u krye me kohë sipas planit të parashikuar nga BQK-ja, nën rekomandimet profesionale e këshilluese të FMN (asistencën teknike) pastaj përkrahjen e pa rezervë të KPMG – USAID (sigurimin e harduerit dhe softuerit) përmes këshilltarit të emëruar special në atë kohë me punë në BPK. Në fillim transmetimi i të dhënave BANKË – SKN – BQK dhe anasjelltas teknikisht është realizuar përmes linjave telefonike (modemit). Të gjitha veprimet u realizuan me sukses dhe sipas procedurave të parapara e me marrëveshjeve paraprake me bankat. Në fillimin e prillit, 2002 u kalua përfundimisht në Sistem Elektronik të Kliringut Ndërbankar, kryerja e punëve në pajtim me procedurat (sigurim të hardwerit dhe softwerit) i ishte besuar kompanisë vendore për TI dhe konsultime “Pronet” përmes KPMG/USAID, kompani e cila kreu të gjitha punët sipas procedurave të parapara me kohë dhe me sukses.

Faza e dytë e zhvillimeve, është karakterizuar edhe me një të arritur tjetër të madhe, implementimin e Sistemit të Numrave Standard të Llogarive (IBAN) në tetor, 2003, në pajtim me Rregullën e XIX të BQK-së mbi sistemin e numrave standard të llogarive. Falë angazhimit të bankave anëtare të sistemit të pagesave dhe nën udhëheqjen dhe aktivitetet e Komitetit Këshilldhënës të Pagesave Ndërbankare, ky standard u implementua dhe u aplikua në të gjitha llogaritë e sistemit bankar të pagesave. Implementimi i këtij standardi rriti ndjeshëm efikasitetin e sistemit të pagesave dhe njëkohësisht hapi dyertë për reforma të tjera.

Një ngjarje per tu theksuar ishte ajo e 7 shtatorit, 2004 kur publikisht shefi i zyrës Amerikane në Prishtinë dhe drejtori i USAID-it, në një ceremoni zyrtare në BPK, zyrtarisht njohën BPK-në si pronare të Sistemit Elektronik të Kliringut Ndërbankar.

Në vazhdën e ngritjeve padyshim është edhe implementimi i skemës së pagesave “Kos Xhiro” (dhjetor, 2004), e implementuar dhe zhvilluar teknikisht në kuadër të Sistemit Elektronik të Kliringut Ndërbankar (SEKN).Transaksionet Kos-Giro përfaqësojnë një lloj të veçantë të transaksioneve të destinuara për arkëtimet e standardizuara dhe të automatizuara të institucioneve të mëdha faturuese dhe të kompanive të shërbimeve publike. Kjo skemë e pagesave ka shënuar një rritje të madhe gjatë viteve të fundit, rrjedhojë e së cilës ishte bashkimi i Shërbimit Doganor dhe kompanive të sigurimeve.


Faza e tretë

Në maj të vitit 2007 u bë instalimi i sistemit ICS në Thesar, që lehtësoi dërgimin e të gjitha pagesave nga ana e institucioneve qendrore dhe atyre të qeverisjes lokale. Instalimi i sistemit në Thesar ishte vetëm hapi i parë, i cili u pasua me standardizimin dhe automatizimin e pagesave. Në këtë kuadër u bë ndërlidhja e sistemeve interne të të gjitha bankave dhe u aplikua numri unik i referencës për pagesa të të hyrave / UNIREF përmes SEKN-së. Këta hapa rritën efikasitetin, sigurinë dhe transparencën e inkasimit të të hyrave.

Gjatë kësaj faze të zhvillimeve, u zhvillua skema dhe i instrumenti i ri i pagesave, Debitimi Direkt. Pas miratimit të rregullës, në Janar të vitit 2009 u instalua softueri për Debitim Direkt si komponent e veçantë në Sistemin Elektronik të Kliringut Ndërbankar (SEKN) që në fakt paraqet bazën për transferimin e këtyre pagesave. Në qershor 2009, është kaluar në fazën testuese live. Pas periudhës testuese më 1 Nëntor, u lansua Skema e Debitimit Direkt për publikun. Kampanja për informim të publikut për mënyrën e re të kryerjes së pagesave fillojë me publikimin e broshurës informative dhe kumtesën për shtyp nga BQK. Momentalisht anëtarë të skemës së Debitimit Direkt janë: ProCredit Bank, Raiffeisen Bank, NLB Prishtina, Banka për Biznes, Banka Ekonomike, TEB dhe Banka Kombëtare Tregtare si dhe këto kompani, Korporata Energjetike e Kosovës, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës, KUR “Prishtina”, dhe ndermarrja private “GYM”.

Gjatë vitit 2009, SEKN u zhvendosë plotësisht në një sistem të bazuar në teknologjinë e ueb-it, akt ky i cili ka përmirësuar ndjeshëm përdorshmërinë dhe funksionalitetin e tij. Tani çdo ditë pjesëmarrësit e sistemit ndërbankar të pagesave dërgojnë rreth 15 mijë pagesa me vlerë mbi 15 milion euro, në mënyrë më të sigurt dhe efikase.

Në kuadër të zhvillimeve dhe të arriturave me ndikim në sistemin e pagesave si tërësi, janë padyshim ngritjet e cilësisë së operacionalizimit të sistemit dhe rritjet në vlera e në sasi. Në ngritjet në cilësi numërohet shtimi dhe aplikimi i katër sesioneve të kliringut (8:00, 10:30, 13:30, 15:00) si dhe zhvillimi i modulit të raportimit elektronik të gjendjes së llogarive dhe pozitave të likuiditetit të bankave e institucioneve pjesëmarrëse në kohë reale. Ky raportim elektronik ndihmon në administrimin dhe menaxhimin e mirë të likuiditetit të bankave.

Tek të arriturat në sasi, numri dhe vlera e transaksioneve të realizuara përmes Sistemit te Pagesave Ndërbankare, është rritur në mënyrë të ndjeshme, duke pasqyruar kështu rritje të pagesave pa para të gatshme dhe shtim të besimit të publikut në sistemin bankar të vendit.

Përpos zhvillimeve operacionale kjo fazë u karakterizua edhe me një rritje të funksionalitetit të Mbikëqyrjes së Sistemeve të Pagesave. Kjo u reflektua me plotësimin e Rregullës XI – “Raportimi i Bankave dhe i Filialeve Kosovare të Bankave të Huaja”, si dhe miratimin e dokumentit të Metodologjisë mbi raportimin e instrumenteve të pagesave bazuar në metodologjinë e hartimit të Blue Book-ut nga Banka Qendrore Evropiane, dhe në përputhje me terminologjinë e standardeve ndërkombëtare të përcaktuara nga BIS.

Këto zhvillime mundësuan krijimin e një baze më të mirë të të dhënave statistikore dhe jo-statistikore mbi përdorimin e instrumenteve të pagesave në vend, dhe analizimin më të mirë të trendeve të përdorimit të instrumenteve të pagesave dhe terminaleve në vendin tonë.

Një ndër bazat e zhvillimit afatgjatë të sektorit financiar në vendin tonë është ndërmarrë në vitin 2009. Në koordinim me bankat komerciale dhe në veçanti me Bankën Botërore u hartua strategjia për zhvillimin e Sistemit Kombëtar të Pagesave. Vizioni i Sistemit Kombëtar të Pagesave në të Ardhmen (Vizioni), dhe Plan i Veprimit për Zbatimin e Vizionit te Sistemit Kombëtar të Pagesave (Plani i Veprimit), të cilët bashkërisht përbëjnë strategjinë e zhvillimit të SKP-së, u miratuan nga Bordi drejtues i BQK-së më 11 shtator 2009. Drejtorati i sistemeve ndërbankare të pagesave (DSPN) ka rol bartës dhe koordinues për zbatimin e strategjisë.

Strategjia e zhvillimit të SKP-së ka nëntë shtylla: I. Korniza ligjore; II. Pagesat me vlerë të madhe dhe ato urgjente; III. Sistemi i pagesave me vlera të vogla; IV. Transaksionet qeveritare; V. Letrat me vlerë, depozitimi, kliringu dhe shlyerja; VI. Tregu monetar; VII. Dërgesat nga jashtë (remitencat); VIII. Mbikëqyrja e sistemeve të pagesave; IX. Bashkëpunimi (Këshilli Kombëtar i Pagesave - KKP).

Nga të gjitha këto projekte individuale të parapara në kuadër të strategjisë së zhvillimit të SKP-së, projekti më madhor është implementimi i sistemit për shlyerje të pagesave në kohë reale (RTGS). Ky sistem do të jetë shtylla e sistemit të ardhshëm kombëtar të pagesave.

Sistemi i Pagesave ka rol dhe funksion të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit dhe efikasitetin e sektorit financiar si dhe ekonomisë në përgjithësi. Departamenti i Sistemeve të Pagesave (DSP) është përgjegjës për operimin e sistemeve të pagesave ndërbankare në pronësi të BQK-së, koordinimin e zhvillimeve, dhe kryerjen e mbikëqyrjes në fushën e sistemeve të pagesave. Aktualisht në Kosovë ka vetëm një sistem të pagesave – Sistemi i Pagesave Ndërbankare (SPN), i cili mundëson kliringun dhe shlyerjen neto në mënyrë automatike sipas sesioneve, si dhe shlyerjen reale në baza bruto, për të gjitha transaksionet e pagesave ndërbankare, letra me vlerë, etj.
Detyrat kryesore të Departamentit të Sistemeve të Pagesave janë:
1) Operacionet: DSP është në funksion të administrimit dhe operimit të sistemeve të pagesave, ofrimit të shërbimeve të pagesave ndërbankare, ruajtjes së sigurisë dhe të efikasitetit të Sistemit të Pagesave Ndërbankare (ATS/RTGS+ACH) si dhe për Regjistrin e Llogarive Bankare.
Më konkretisht, njësia e operacioneve në kuadër të Departamentit të Sistemeve të Pagesave, kryen detyrat si në vijim:

a. Operon, administron dhe rregullon operacionet e kliringut dhe të shlyerjeve finale për të gjitha pagesat ndërbankare si dhe për letrat me vlerë.
b. Siguron funksionimin e rregullt të sistemit të pagesave, duke u lejuar pjesëmarrësve qasje në sistem në pajtim me rregullativën përkatëse për qarkullim sa më të lehtë të parasë përmes llogarive.
c. Siguron integritetin e transaksioneve, qasjet e përdoruesve, bashkërendimin e sesioneve të kliringut dhe shlyerjeve finale në llogari për të gjithë pjesëmarrësit.
d. Monitoron dhe administron rezervën e detyruar të bankave pjesëmarrëse, likuiditetin në sistemin bankar dhe sigurinë në sistem të pagesave.
2) Zhvillimet: Qëllim parësor është të kontribuoj në përgatitjen e analizave dhe projekteve për zhvillime të reja në kuadër të sistemit të pagesave si dhe të koordinoj për zbatimin dhe aplikimin e sistemeve të reja.
Për të marrë iniciativa për përshtatje dhe ndryshime të rregullave dhe procedurave në pajtim me mënyrat e reja të pagesave dhe ngritjeve në teknologji. Për të iniciuar dhe promovuar mënyra të reja të pagesave, që ndikojnë në zvogëlimin e parasë së gatshme në përdorim.
3) Mbikëqyrja: Me qëllim që objektivat e sigurisë dhe të efikasitetit të sistemit të pagesave të promovohen duke monitoruar sistemet ekzistuese dhe të planifikuara, duke i vlerësuar ato kundrejt këtyre objektivave dhe aty ku është e nevojshme duke iniciuar dhe marrë masa adekuate për rregullim dhe për të ndihmuar në ndryshime.
Mbikëqyrja në kuadër të DSP-së siguron raporte dhe analiza vlerësimi, jo vetëm të rregullta, por edhe ad-hoc mbi aktivitetet e mbikëqyrjes së sistemit të pagesave. Këto raporte duhet te japin një përmbledhje të shkurtër të veprimtarisë së mbikëqyrjes, në veçanti duke komentuar mbi çdo ndryshim në sistemin e pagesave si dhe vlerësimi i BQK-së mbi pasojat si rrjedhim i riskut. Në periudha të rregullta mujore dhe tre mujore DSP-ja publikon statistika mbi instrumente të pagesave në përdorim si dhe bënë analiza të detajuara mbi çështjet strukturore dhe të riskut të lidhura me sistemin e pagesave dhe të shlyerjes, përfshirë rrezikun operacional, sistemik, të shlyerjes dhe të likuiditetit.
4) Bashkëpunimi: Komiteti Këshillëdhënës i Pagesave Ndërbankare (KKPN) ka një rol të rëndësishëm në lidhje me sistemet e pagesave ndërbankare për të mundësuar zbatimin e rregullave të veprimit, procedurave dhe standardeve të SPN-së. Ky këshill mban takime të rregullta për të diskutuar çështjet operacionale të sistemit të pagesave si dhe ato zhvillimore. Përfaqësuesit e bankave komerciale dhe MF/Thesarit janë anëtarë të Komiteti Këshillëdhënës të Pagesave Ndërbankare (KKPN), si dhe palë të tjera të rëndësishme të pagesave marrin pjesë në mbledhjet e organizuara të tij. Departamenti i Sistemeve të Pagesave është përgjegjës për organizimin dhe kryesimin e mbledhjeve të KKPN-së, si dhe për përcjelljen e çështjeve të diskutuara.