Guvernatori Mehmeti priti në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Fehmi Mehmeti ka takuar sot z. Diego Martinez, Zëvendësdrejtor i Bankës Botërore  dhe   z. Alper Ahmet Oguz Zyrtar i Lartë për Sektorin Financiar përgjegjës për portfolion e Kosovës. 

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka uruar z. Alper Ahmet Orguz për detyrën e re dhe i siguroi gatishmërinë e Bankës Qendrore për avancimin e projekteve zhvillimore. 
Në këtë takim u diskutuan zhvillimet pozitive të sektorit bankar, sfidat e ardhshme dhe roli i këtij sektori në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe projektet aktuale dhe të ardhshme të Bankës Botërore për të mbështetur sektorin financiar. Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e Bankës Botërore lidhur me stabilitetin e sistemit financiar në vend dhe ka falënderuar Bankën Botërore për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë për zhvillimin e sektorit financiar dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.  Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur me përmirësimin e qasjes në financa e cila në masë të madhe është rezultat i ndihmës së Bankës Botërore dhe mbështetjes që ajo i ka dhënë Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.  Përfaqësuesit e Bankës Botërore falënderuan Guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin dhe shprehen gatishmëri që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.