Guvernatori Mehmeti merr pjesë në prezantimin e “Raportit të Tranzicionit për vitin 2019”

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se BQK-ja ka demonstruar lidership përtej mandatit të saj, ku në rolin e Rregullatorit dhe Mbikëqyrësit të Institucioneve Financiare në Republikën e Kosovës ka avancuar kërkesat për qeverisje më të mirë korporative. 

Në prezantimin e “Raportit të Tranzicionit për vitin 2019” që njëkohësisht shënon edhe 12 vjetorin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Guvernatori Mehmeti vuri në pah angazhimin e BQK-së në vazhdimin e ndërtimit të një mjedisi financiar edhe më të qëndrueshëm dhe më stabil, shtyllë e të cilit janë parimet dhe standardet më të mira të qeverisjes korporative.

“Mesazhi ynë për sektorin financiar ka qenë shumë i qartë krahas nevojës për qartësi më të madhe në strukturën organizative, ndarje të përgjegjësive dhe rritje të kompetencës profesionale, kërkohet mënyrë e re e të menduarit nga ana e bordeve të tyre me fokus të veçantë: Në ngritjen e kapacitetit kolektiv për identifikimin e rreziqeve, fokusim tek qëndrueshmëria afatgjate ekonomike e institucioneve financiare, adaptimin e një modeli të qeverisjes korporative që shton vlerë të ndërtuar mbi mekanizmat e  organizimit  efektiv të një institucioni financiar (d.m.th., kulturën, modelin e biznesit, madhësinë, nevojat organizative, etj.), dhe mbi të gjitha adaptimin e një modeli që siguron  transparencë, paanësi dhe trajtim të barabartë të të gjitha palëve me interes (aksionarët, klientët dhe punëtorët)”, deklaroi Guvernatori. 

Ai tha se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës gëzon pavarësi funksionale, financiare dhe operacionale dhe si e tillë adapton një qeverisje korporative moderne jo vetëm të organizimit të brendshëm por edhe të kërkesave rregullative që kemi në raport me institucionet financiare që ne i mbikëqyrim. 

Këtë pavarësi BQK-ja e demonstron me llogaridhënie dhe transparencë të fuqishme si një mekanizëm i rëndësisë së veçantë i qeverisjes së mirëfilltë korporative.

“Kohëve të fundit keni qenë dëshmitarë të disa vendimeve të marra nga BQK-ja në raport me institucionet financiare që kanë rrezikuar stabilitetin e sektorit financiar në Kosovë dhe nuk kanë qenë në pajtueshmëri me kërkesat ligjore. Kjo flet për vendosmërinë e Bankës Qendrore për të ushtruar mandatin e saj kushtetues dhe të qeveriset nga rregullat dhe standardet më të mira të qeverisjes korporative. Ne do të vazhdojmë të mbesim të paluhatur në veprimet tona që ekonomisë së Kosovës t’i ofrojmë institucione financiare dhe burime të financimit që u përshtatet nevojave zhvillimore dhe stabilitetit të ekonomisë. Banka Qendrore ka luajtur rol kritik edhe në instalimin e mekanizmave modernë të qeverisjes koporative në dy institucione të rëndësisë së veçante për ekonominë e Kosovës; Fondin për Sigurimin e Depozitave në Kosovë dhe Fondin për Garantimin e Kredive në Kosovë”, tha tutje Guvernatori Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti tha në fund se në këtë rrugëtim prej dy dekadash, Banka Qendrore dhe institucionet tjera vendore në Kosovë kanë gëzuar privilegjin për t’u përkrahur dhe këshilluar nga shumë institucione ndërkombëtare financiare, përfshirë këtu FMN, USAID, Thesarin Amerikan, Bankën Botërore, KFW, GIZ, BERZH dhe të tjera. 

Në veçanti kontribut të veçantë në fushën e qeverisjes korporative në Kosovë ka nikoqiri ynë sot, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, jo vetëm duke qenë investitor aktiv në sektorin privat dhe atë financiar, por edhe duke ndihmuar akterët në këta dy sektorë dhe institucionet tjera me asistencë teknike për avancimin e praktikave të qeverisjes korporative në mënyre shumë kualitative.