BQK-ja ka arritur për 20 vjet të jetë faktor në ruajtjen e një sistemi të shëndosh financiar

“BQK ka shënuar progres të madh në të gjitha shtyllat e aktivitetit të saj, duke arritur të ndërtojë një sistem modern të pagesave dhe duke ofruar shërbime efikase të furnizimit me para të gatshme për ekonominë; kornizë rregullative financiare në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kapacitete të avancuara mbikëqyrëse; statistika cilësore dhe analiza ekonomike e financiare të cilat i ofrojnë autoriteteve vendimmarrëse dhe publikut një kuptim të drejtë të zhvillimeve në ekonominë e vendit; si dhe në vazhdimësi ka treguar efikasitet të lartë në ofrimin e shërbimeve bankare për Qeverinë dhe qytetarët”, ka deklaruar Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në Konferencën Ndërkombëtare të nivelit të lartë “RREZIQET DHE MUNDËSITË NË NJË SEKTOR FINANCIAR DINAMIK- RRUGA ZHVILLIMORE”, që po mbahet në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së.

Guvernatori Mehmeti tha se pa ndihmën e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nuk do të ishte e mundur të arrihen sukseset që BQK-ja ka arritur deri më sot.

Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka shënuar rezultate të mëdha duke mundësuar, që Kosova të ketë sistem modern të pagesave në sistem të mirëfilltë bankar. 

Në dukje ishte një hap i vogël, por në të vërtet ishte një hap i madh, sepse aty u vunë themelet e sistemit të mirëfilltë bankar. Me këtë rast duhet t’i falënderoj të gjithë themeluesit dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, e në veçanti Fondin Monetar Ndërkombëtar për asistencën teknike që kishte dhënë. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe miratimin e pakove ligjore përkatëse filloi një periudhë e re për BQK-në dhe për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Që nga atëherë, BQK-ja ka shënuar suksese të mëdha, që kanë rezultuar me rritje ekonomike të vazhdueshme, me stabilitet financiar, me sistem modern të pagesave, me rregullim financiar dhe me ngritje të kapaciteteve të avancuara mbikëqyrëse”, tha Presidenti Thaçi.

Kurse, Zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang tha se BQK ka arritur progres mbresëlënës për këto dy dekada.