BQK zhvillon bashkëpunimin me bankat qendrore të vendeve të BE-së në fushën e parandalimit të pastrimit të parave

Në kuadër të programit aktual të forcimit të kapaciteteve të bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor me synim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës filluan aktivitetet e fokusuara në ekzaminimet mbikëqyrëse në sferën e luftimit të pastrimit të parave në sektorin bankar.

Ky komponent i programit do të realizohet deri në fund të vitit të ardhshëm, si dhe do të përfshijë vlerësimin e gjendjes aktuale, nxjerrjen e rekomandimeve për konvergjencë me praktikat mbikëqyrëse të BE-së, si dhe parashtrimin e mënyrës së zbatimit të rekomandimeve përkatëse.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës pret që përmes aktiviteteve përbërëse të këtij komponenti të programit do të kontribuohet në masë të konsiderueshme në zhvillimin e funksionit të saj të parandalimit të pastrimit të parave, duke adoptuar dhe duke u përafruar me standardet dhe praktikat e bankave qendrore të vendeve të BE-së. 

Sikurse edhe  komponentët e tjerë të programit aktual, edhe ky komponent administrohet dhe bashkërendohet nga Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank), ndërsa për zbatim të tij si masë specifike dypalëshe nga ana e bankave qendrore të vendeve të BE-së është përfshirë Banka Qendrore e Bullgarisë (National Bank of Bulgaria).

Programi i forcimit të kapaciteteve të bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor me synim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lansua më 26 mars 2019.

Ai po financohet nga BE-ja dhe në të janë të përfshira Banka Qendrore Evropiane, 20 banka qendrore të vendeve të BE-së, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor.