Guvernatorët e bankave qendrore të rajonit diskutojnë për stabilitetin financiar dhe monetar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti po merr pjesë në Samitin e Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore të rajonit që po mbahet në Beçiç të Malit të Zi.

Temë diskutimi e këtij Samiti është: “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon, në klimën e rritjes së ngadalësuar në Eurozonë.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka thënë se kriza e fundit globale ka imponuar ndryshimet në agjendat e bankave qendrore.

Guvernatori Mehmeti, përveç tjerash ka vënë në dukje se përderisa bankat qendrore të vendeve të zhvilluara aktualisht ballafaqohen me sfida të tjera të politikave monetare, për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, me një politikë monetare të kufizuar si rezultat i eurizimit unilateral, sfidë kryesore vazhdon të jetë ruajtja e stabilitetit financiar.

Marr parasysh faktin se Republika e Kosovës ka politikë monetare të kufizuar dhe Banka Qendrore nuk mund të përdoret si kredidhënës i instancës së fundit, bashkërisht me Qeverinë e Republikë së Kosovës përkatësisht Ministrinë e Financave është krijuar skema e Mbështetjes Emergjente me Likuiditet për bankat, e cila është themeluar me bashkëfinancim të Qeverisë dhe të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës

Gjatë vitit 2018 ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej rreth 4%, rritje kjo e cila është më e larta në rajon, derisa Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për vitin 2019, parashikon një rritje ekonomike prej 4.2%, ku ndikim të rëndësishëm pritet të kenë investimet kapitale nga Qeveria, kreditimi bankar dhe remitencat.

“Aktualisht, Kosova ka një sistem financiar stabil, i cili çdo ditë e më tepër po luan rolin e tij të rëndësishëm në përkrahjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Sektori bankar, si komponent kryesore e sistemit financiar në vend karakterizohet me rritje të vazhdueshme në të gjithë indikatorët e saj, si: rritje të kreditimit bankar prej 11%, rritje të depozitave prej rreth 9% etj. Gjithashtu, treguesit e shëndetit financiarë të sektorit bankar në Kosovë qëndrojnë në nivele mjaft të larta, ku treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit janë rreth 18%, niveli i raportit të likuiditetit në fund të vitit të kaluar ishte rreth 39%, përderisa norma e kredive joperformuese në sektorin bankar të Kosovës vazhdon të jetë në nivele të ulëta prej 2.6%. Norma efektive e interesit në kredi ka shënuar rënie të theksuar krahasuar me vitet e kaluara. Norma efektive e interesit bazuar në të dhënat e fundit ka rënë në 6.55%, e cila në masë të theksuar ka lehtësuar qasjen në financa dhe ka rritur shkallën e ndërmjetësimit financiar. Përpos kësaj një lehtësim të madh të qasjes në financa e ka dhënë edhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, i cili është themeluar me qëllim të garantimit të kredive dhe lehtësimit të qasjes në kredi për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, që kanë qenë më pak të kredituara dhe me një potencial më të lartë për hapje të vendeve të reja të punës dhe rritje të prodhimit. Duke qenë se Kosova përdor euron si valutë zyrtare ndryshimet në politikat monetare nuk paraqesin ndonjë zhvillim në ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë. Kjo po ashtu për faktin se partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës vazhdojnë të jenë shtetet e Eurozonës dhe ato të rajonit të cilat kanë valuta, që ruajnë një kurs këmbimi mjaft stabil kundrejt euros. Kjo do të thotë se ndryshimet në kursin e këmbimit të euros nuk kanë shumë ndikim në ekonominë e Kosovës”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se pjesa dërmuese e kredive dhe depozitave në sektorin bankar të Kosovës janë të denominuara në valutën euro, prandaj sektori është mjaft i mbrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit. 

“Duke e ditur se mbikëqyrja mikroprudenciale, si e vetme nuk vlerësohet më e mjaftueshme për të parandaluar krizat bankare, ne kemi zhvilluar edhe kornizën e Politikës Makroprudenciale dhe kemi funksionalizuar Komitetin Këshillimor të Politikës Makroprudenciale, si organ bartës i politikës makroprudenciale”.

Gjatë samitit, Guvernatori Mehmeti iu është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve lidhur me sistemin financiar në Kosovë dhe zhvillimeve të ndryshme financiare.