Zëvendësguvernatori Ismajli: BQK-ja mbështet zhvillimin e sektorit të sigurimeve me qëllim të mbështetjes së bujqësisë

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Lulzim Ismajli mori pjesë në ceremoninë e lansimit të sigurimeve bujqësore të organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore. 

Me këtë rast, Zëvendësguvernatori Ismajli tha se në fund të vitit 2018, asetet e sektorit te sigurimeve arritën në shumën prej 177 milion eurove dhe përbën vetëm 3% të gjithsej aseteve të sistemit financiar dhe depërtimi i ulët në ekonominë vendore me një raport rreth 1.4% të primeve të shkruara ndaj Bruto Prodhimit Vendor, tregon që sektori i sigurimeve nuk po e përmbush potencialin e vet dhe që shumë ekonomi familjare dhe ndërmarrje janë të pasiguruara ndaj rreziqeve kryesore. 

“Në funksion të rritjes dhe fuqizimit të këtij sektori dhe mbrojtjes së interesave të policëmbajtësve, BQK-ja në vazhdimësi angazhohet në përmbushjen përgjegjësive të saj ligjore si autoritet licencues, rregullues dhe mbikëqyrës. Sigurimi i produkteve bujqësore është një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut në bujqësi, pa anashkaluar teknikat tjera si metoda të sigurta të prodhimit dhe investimeve ne teknologji. Si rrjedhojë, një mbështetje nga sektori i sigurimeve, do të krijonte një sistem duke rezultuar përfitues për të gjithë sektorët e ndërlidhur - bankat të rrisin kreditimin e bujqësisë duke përdorur sigurimin e produkteve bujqësore si një mjet për të ulur rrezikun, siguruesit të rrisin portofolin e tyre siguruese me produkte vullnetare duke rritur të hyrat e tyre, fermerëve duke ju lehtësuar qasja në financimin e këtij sektorit, dhe rrjedhimisht në rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të tij”, deklaroi Zëvendësguvernatori Ismajli duke shtuar se sigurimi i produkteve bujqësore mbetet një alternativë e duhur dhe e nevojshme, andaj duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë dhe t’i sigurohet mbështetje institucionale.