Guvernatori Mehmeti takon drejtues të lartë të FMN-së

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në përbërje të Guvernatorit, Fehmi Mehmeti, Kryetarit të Bordit, Flamur Mrasori, Zëvendësguvernatorit, Sokol Havolli dhe Shefi i Kabinetit të Guvernatorit, Nexhat Miftari po vazhdon të marrë pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që po mbahen në Bali të Indonezisë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.


Në vazhdim të vizitës në Bali, Guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takim edhe me drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropë, Paul Thomsen, të cilin e informoi lidhur me zhvillimet në sektorin financiar në Kosovë dhe e falënderoi atë për përkrahjen dhe aprovimin e kërkesës së BQK-së për Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Review).
Në takimin pasues me Zëvendësdrejtorin e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, James Morsink, Guvernatori Mehmeti shprehu falënderimin për aprovimin e kërkesës për Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar dhe shprehu gatishmërinë e BQK-së për bashkëpunim në ofrimin e informatave me qëllim të përfundimit të suksesshëm të këtij rishikimi dhe zbatimin e rekomandimeve që eventualisht do të dalin nga ky rishikim.
Gjatë kësaj vizite është nënshkruar edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit mes Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Guvernatori Mehmeti dhe Bankës Qendrore të Turqisë, përfaqësuar nga Guvernatori Çetinkaya, që ka të bëjë me shkëmbimin e informacioneve mes dy institucioneve.
Gjithashtu, në vazhdën e këtyre takimeve, Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me Drejtoreshën Ekzekutive në largim të Konstituencës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Michaela Erbenova, të cilën e falënderoi për përkrahjen e saj të vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe njëkohësisht i uroi fat dhe suksese në angazhimet e saj në të ardhmen.
Në këto takime të zhvilluara pjesëmarrës ishte edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza.