Mehmeti: BQK-ja do të mbështesë projektet që mundësojnë rritje ekonomike dhe hapje të vendeve të reja të punës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur sot në takim ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Temë e këtij takimi kanë qenë zhvillimet e përgjithshme në sektorin bankar dhe mbështetjen që BQK-ja mund të jap në realizimin e projekteve infrastrukturore.
Guvernatori, Fehmi Mehmeti ka njoftuar ministrin Lekaj me trendet e përgjithshme në sektorin financiar në Kosovë dhe punën që po bën BQK-ja në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij sektori.
“Ne si BQK jemi të angazhuar që të mbështesim zhvillimin ekonomik, stabilitetin finaciar dhe bankar në Kosovë. Gjithashtu, ne jemi të angazhuar që të mbështesim institucionet e Kosovës në realizimin e projekteve, që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.
Nga ana tjetër, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka falënderuar Guvernatorin Mehmeti për mbështetjen në realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore.