Guvernatori z.Mehmeti priti në takim Zëvendësudhëheqësin e Misionit të Ambasadës Gjermane z.Voss

Zëvendësudhëheqës i Misionit të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Kosovës z.Jan-Axel Voss, vizitoi sot Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, me ç’rast u mirëprit nga Guvernatori z.Fehmi Mehmeti.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti e njoftoi Zëvendësudhëheqësin e Misionit të Ambasadës Gjermane rreth zhvillimeve në sektorin financiar të vendit, duke nënvizuar rritjen e aktivitetit të këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe shkallën e lartë të qëndrueshmërisë që gëzon ky sektor.

Guvernatori z.Mehmeti po ashtu shprehu mirënjohjen e lartë për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria Gjermane për zhvillimin institucional të BQK-së dhe për zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi. Guvernatori z.Mehmeti shprehu përkushtimin e tij për të avancuar të gjitha funksionet e BQK-së dhe për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me Ambasadën Gjermane në Republikën e Kosovës dhe agjencionet gjermane.

Zëvendësudhëheqësi i Misionit të Ambasadës Gjermane në Kosovë z. Voss, uroi Guvernatorin z.Mehmeti për përzgjedhjen e tij në postin e guvernatorit dhe inkurajoi BQK-në të vazhdojë rrugën e saj në rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit financiar, si dhe mbarëvajtjen e stabilitetit të sektorit.