Delegacioni i BQK-së përfundon vizitën në Uashington

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Guvernatori z. Fehmi Mehmeti dhe Kryetari i Bordit të BQK-së z. Flamur Mrasori përfunduan vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku nga datat 16-22 prill në Uashington DC, morën pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni i BQK-së është pritur dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues dhe zyrtarë të lartë të Thesarit Amerikan, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe me homologë të tyre nga vende të ndryshme të rajonit dhe me gjerë. Në këto takime të zhvilluara me përfaqësues të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare u vlerësua lartë puna e BQK-së në sigurimin e një sistemi financiar stabil dhe në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe u shpreh gatishmëria e institucioneve respektive për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë të BQK-së.
Këto takime të rregullta të Bordeve të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore bashkojnë në këto aktivitete përfaqësuesit e 189 vendeve, si guvernatorë, bankierë qendrorë, ministra të financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje të shqetësimeve globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, çrrënjosjen apo eliminimin e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës përmes fondeve dhe asistencave. Po ashtu organizohen edhe seminare, konferenca rajonale dhe shumë ngjarje të tjera të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe sistemin financiar botëror. Takimet e sesionit të vjeshtës mbahen në Bali të Indonezisë nga datat 8-14 tetor 2018.