Gjatë qëndrimit të tij në Uashington Guvernatori Mehmeti mori mbështetje nga zyrtarë të lartë të Thesarit amerikan dhe menaxhmentit të FMN-së dhe Bankës Botërore

Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti gjatë takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahën në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takime me përfaqësues dhe zyrtarë të lartë të Thesarit Amerikan, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe me homologë të tij nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjërë. Në mesin e takimeve të shumta, Guvernatori Mehmeti është takuar me Drejtorin e Asocuar për shërbime finaciare në Thesarin Amerikan z. Paul Leonovich dhe ekipin e tij. Në këtë takim Guvernatori Mehmeti informoi z. Lenovich lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar të Republikës së Kosovës dhe lidhur me treguesit e shëndetit financiar.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti shprehu falënderimin për kontributin që kanë dhënë SHBA-të në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, me ç’rast shprehu mirënjohje për kontributin e madh që Thesari Amerikan ka dhënë për zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së.
Në takim u diskutua edhe për aktivitetet e zhvilluara nga BQK-ja për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe hapat e mëtejmë që duhen ndërmarrë për ta forcuar rolon e sistemit financiar në mbështetje të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Z. Leonovich e falënderoi Guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin shumë vjeçarë të Thesarit Amerikan me Kosovën, si dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës. Në vazhdën e këtyre takimeve, Guvernatori Mehmeti është takuar me zëvendësdrejtorin e FMN-së, z. Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite. Z.Zhang e ka uruar Guvernatorin Mehmeti për dekretimin e tij në pozitën e Guvernatorit të BQK-së . Guvernatori Mehmeti po ashtu ka zhvilluar takime me Drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropë, z. Paul Thomsen, Drejtoreshën Ekzekutive në Konstituencën tonë në FMN, znj. Michaela Erbenova, me Misionin e FMN-së për Kosovë dhe përfaqësuesit e MCM-së (Monetary Capital Market) të kryesuar nga Paul Mathieu. 

Përveç takimeve si më sipër, Guvernatori Mehmeti zhvilloi takime edhe me përfaqësues të Bankës Botërore, z. Cyril Muller zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore. Po ashtu, Guvernatori Mehmeti u takua edhe me z. Franc Godts, Drejtor Ekzekutiv në konstiuencën tonë në Bankë Botërore. Guvernatori Mehmeti mori pjesë edhe në takimet e konstituencave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është Republika e Kosovës. Në të gjitha këto takime u vlerësua lartë puna e BQK-së në sigurimin e një sistemi financiar stabil dhe në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe u shpreh gatishmëria e FMN-së për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë të BQK-së.