PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.HASHIM THAÇI DEKRETOI EMËRIMIN E FEHMI MEHMETIT NË POZITËN E GUVERNATORIT TË BANKËS QENDRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

E enjte, 29 mars 2018

Presidenti i Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi ka pritur sot në Presidencë,z.Fehmi Mehmeti. Gjatë këtij takimi Presidenti i Republikës z.Hashim Thaçi i ka dorëzuar Dekretin Guvernatorit të ri të Bankës Qendrore të Kosovës, z.Fehmi Mehmeti në pozitën e Guvernatorit të BQK-së.

Presidenti me këtë rast ka lavdëruar punën e BQK-së duke potencuar se Banka Qendrore ka arritur të mbajë stabil sistemin financiar në Kosovë. BQK-ja,“Si institucion rregullativ në sistemin financiar, në përputhje me standardet bashkëkohore, i ka kontribuar zhvillimit dhe rritjes ekonomike”, ka potencuar Presidenti Thaçi. Ndërkaq, Guvernatori Mehmeti ka thënë se Banka Qendrore i ka mbështetur në vazhdimësi politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se “Ne do ta ruajmë stabilitetin financiar, duke promovuar sisteme të sigurta, efikase dhe të qëndrueshme”.


Presidenti Thaçi i ka dëshiruar suksese Guvernatorit Fehmi Mehmeti në detyrën e re. Dekretimi u bë duke u bazuar në nenin 84, pikat (4, 27) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, Nr. 47, 25 janar 2009), nenit 38 (1, 2) të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (GZ, Nr.77, 16 gusht 2010), si dhe në pajtim me propozimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Vendimi i Kuvendit Nr. 06-V-081, i datës 15.03.2018), pranuar nga Zyra e Presidentit më 26.03.2018.