Paralajmërim lidhur me përdorimin e parave virtuale

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës duke marr parasysh zhvillimet e reja si dhe duke parë interesimin e publikut sa i përket parave virtuale, përsërit komunikatën për të paralajmëruar qytetarët lidhur me rreziqet për humbjet financiare që mund t’i pësojnë nga investimi në para virtuale.

Paratë virtuale nuk njihen si mjet ligjor i pagesës apo mjet i këmbimit, prandaj këto lloje të parave virtuale nuk mund të përdoren si mjet ligjor i pagesës. Megjithatë është vërejtur se ka një tendencë në rritje për blerjen e parave virtuale me qëllim të investimit për shkak të rritjes së mundshme të vlerës së tyre dhe përfitimit në të ardhmen nga kjo rritje. Për arsye të qarkullimit të shumë informatave jo të sakta janë duke u bërë spekulime lidhur me rritjen e vlerës së tyre. Investimi në këto platforma të parave virtuale është me rrezik të lartë sepse vlera e tyre është e paqëndrueshme dhe nuk ka siguri se kjo vlerë mund të qëndrojë.

Aktualisht, nuk ka asnjë autoritet apo institucion zyrtar vendor apo ndërkombëtar që merr përsipër përgjegjësinë lidhur me humbjet tuaja të mundshme nga investimi në paratë virtuale. Gjithashtu, nuk ka asnjë pasuri themelore apo fizike për të qenë bazë mbështetëse për vlerën e tyre.

Për arsye të veprimtarisë anonime dhe jo transparencës, këto lloje të parave virtuale mund të përdoren për veprimtari të rrezikshme siç janë; pastrimi i parave dhe financimin i terrorizmit, si dhe për aktivitete tjera të paligjshme.

Në kuadër të Bashkimit Evropian, por edhe nga disa vende tjera janë dhënë rekomandime dhe janë duke u ndërmarr hapa për kufizimin e përdorimit anonim të tyre dhe për identifikimin e të gjithë përdoruesve, përmes kanaleve të shitblerjes dhe këmbimit të tyre me valuta konvencionale. Në mënyrë që të identifikohen përdoruesit e parave virtuale dhe të mundësohet aplikimi i rregullave për luftimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, në këtë drejtim Banka Qendrore e Kosovës dhe autoritetet tjera në Kosovë janë duke shqyrtuar mundësitë e adaptimit të këtyre rekomandimeve.

Së fundi siç jeni të informuar, kanë ndodhur edhe disa keqpërdorime në disa nga platformat virtuale; si mbyllje e platformave dhe vjedhje kibernetike, duke u zhdukur vlera shumë të mëdha të investimeve nga platformat që mundësojnë shitblerjen e parave virtuale dhe ruajtjen e tyre në të ashtuquajturat “portofole digjitale”.

Duke u bazuar në vlerësimet e mësipërme, Banka Qendrore e Kosovës paralajmëron përdoruesit e platformave virtuale se këto platforma nuk janë të rregulluara me ligj, si dhe nuk janë të mbikëqyrura nga autoritetet rregullative. Prandaj nuk ka ndonjë kontroll institucional që ushtrohet ndaj këtyre rreziqeve dhe nuk ka ndonjë mënyrë ligjore të adresimit të humbjeve në rast të keqpërdorimit të investimeve tuaja nëpërmjet platformave të tilla. Të gjitha përgjegjësitë për humbjet e mundshme financiare do të barten në mënyrë individuale nga përdoruesit e mundshëm të këtyre instrumenteve.