Statistikat e Sektorit të Jashtëm

Statistikat e bilancit të pagesave të Kosovës publikohen që nga viti 2006, duke përfshirë periudhën statistikore 2004-2005. Që nga viti 2010, statistikat e bilancit të pagesave përpilohen dhe publikohen në bazë tremujore.

Statistikat e sektorit të jashtëm përfshijnë statistikat e bilancit të pagesave dhe statistikat mbi pozicionin ndërkombëtar të investimeve. Statistikat e bilancit të pagesave përfshijnë transaksionet në mes të rezidentëve dhe jo rezidentëve në formë të mallrave, shërbimeve, të ardhurave, etj. Për më shumë rreth statistikave të bilancit të pagesave, shih:

Metodika e Statistikave të Bilancit të Pagesave

Përpilimi i statistikave të bilancit të pagesave bazohet në projektin statistikor Sistemi i Raportimit të Transaksioneve Ndërkombëtare,  Statistikat e Tregtisë së Jashtme, Anketimet, si dhe në burimet tjera të informacionit.

Sistemi i Raportimit të Transaksioneve Ndërkombëtare është projekt statistikor bazuar në raportimin në baza mujore nga bankat komerciale të transaksioneve ndërkombëtare (pranimet/pagesat e mallrave, shërbimeve, të ardhurave, transfereve, investimeve direkte, etj.) që kryhen përmes bankave komerciale.

Statistikat e Tregtisë së Jashtme përfshijnë të dhënat mbi importin dhe eksportin e mallrave, në funksion të statistikave të bilancit të pagesave. Këto të dhëna kanë të bëjë me mallrat e përgjithshme (importi dhe eksporti i rregullt), mallrat në përpunim, riparim, etj.

Anketat paraqesin raportimin e gjendjes financiare dhe të transaksioneve ndërkombëtare nga institucionet e ndryshme (kryesisht kompanitë jofinanciare) lidhur me aktivitetin e tyre me jo rezidentë në shërbime, të ardhura, investime, etj.

Burimet tjera të informacionit janë të dhënat që grumbullohen përmes pyetësorëve nga institucione si: EULEX-i, UNMIK-u, KFOR-i, institucionet qeveritare dhe institucionet tjera.

Statistikat e bilancit të pagesave përpilohen konform standardeve ndërkombëtare si vijon:

Manuali mbi Statistikat e Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit Ndërkombëtar të Investimeve (FMN, 1995)
Udhëzuesi mbi Statistikat e Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit Ndërkombëtar të Investimeve (FMN, 1995)
Sistemi i Llogarive Kombëtare (SNA 93)
Sistemi Evropian i Llogarive Kombëtare dhe Regjionale (ESA 95)