Ka përfunduar Konferenca Ndërkombëtare “Qasja në financa, kreditimi bankar dhe sektorët bankarë në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Austrisë dhe me Bankën Investive Evropiane, ka zhvilluar Konferencën e nivelit të lartë Ndërkombëtar “Qasja në Financa, Kreditimi Bankar dhe Sektorët Bankarë në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”. Në këtë konferencë janë trajtuar tema dhe çështje të rëndësishme për rëndësinë e aktivitetit të sektorit bankar në rajonin e Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe për të ardhmen e këtij sektori, si një shtyllë e rëndësishme e financimit të zhvillimit ekonomik në këto vende.
Pjesëmarrës të kësaj konference ishin ekspertë të shumtë të kësaj fushe, nga banka qendrore e vendit, bankat qendrore të rajonit dhe më gjerë, institucioneve financiare vendore dhe ndërkombëtare si dhe bankave komerciale.
Punimet e konferencës u hapën me fjalën përshëndetëse të U.D i Guvernatorit, z. Fehmi Mehmeti, dhe Ministrit të Financave të Republikës së Kosovës z. Bedri Hamza.

U.D i Guvernatorit z.Fehmi Mehmeti në fjalën hyrëse të tij kashprehur falënderim të veçantë për të dy bashkëoragnizatorët e kësaj Konference, Bankën Kombëtare të Austrisë dhe Bankën Investive Evropiane, po ashtu edhe për të pranishmit e tjerë të cilët i janë përgjigjur ftesës për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për sektorin bankar në përgjithësi.
Gjatë fjalës së tij U.D i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z.Fehmi Mehmeti, ka bërë një përmbledhje të zhvillimeve të fundit në sektorin financiar në Kosovë me fokus të veçantë në industrinë bankare në Kosovë. Z. Mehmeti ka  theksuar se konferencat si kjo paraqesin një mundësi shumë të mirë për të parë se nga po ecin sektorët bankarë të rajonit tonë dhe si po zhvillohet lidhja ndërmjet tyre dhe ekonomive ku po veprojnë. Ndër të tjera z.Mehmeti the se përmirësimi i cilësisë së portofolit kreditor konsiderohet si një faktor me kontribut të rëndësishëm në nxitjen e kreditimit bankar, mirëpo fakti se norma e kredive jopërformuese në shumicën e këtyre vendeve mbetet mbi nivelin e para-krizës nënkupton se problemet me cilësinë e kredive mund të jenë duke parandaluar një rritje edhe më të shpejtë të kreditimit.Për më shumë fjalimi i U.D i Guvernatorit Mehmeti.


Më pas për rëndësinë e kësaj konference, për sektorin bankar dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi ka folur edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza. Ai, ndër të tjera, ka theksuar se organizimi i këtij forumi ka të njëjtin qëllim – të flasim e të diskutojmë për çështjet që janë me rëndësi për vendet tona, dhe duke u mbështetur në përvojat dhe ekspertizat tona, të punojmë për reforma të mëtutjeshme, në funksion të rritjes më të shpejtë dhe të qëndrueshme. Për më shumë fjala e Ministrit Hamza
Në anën tjetër, Ruud Vermeulen, Përfaqësues i Përhershëm i FMN-së në Kosovë, në prezantimin e tij ka folur për sistemet bankare në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimin e tyre.

Konferenca ka vazhduar punimet me shtjellimin e temave që u diskutuan në Panelet diskutuese.

Në panelin e parë u trajtua tema “"Kthimi në binar? Diskutim mbi stabilitetin makro-financiar në Ballkanin Perëndimor” i cili përbëhet nga penalistët,znj. Elizabeta Gjoni, Zëvendësguvernatore e parë e Bankës së Shqipërisë, z.Fehmi Mehmeti U.D. Guvernatorit të BQK-së , Anita Angelovska Bezhoska, Zëvendësguvernatore e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, znj. Mirjana Mitroviq Mijatoviq nga Banka Qendrore e Malit të Zi dhe Michaela Erbenova, Drejtoreshë Ekzekutive, Konstituenca e EQL-së – FMN. Ky panel u kryesua nga: Helene Schuberth, Udhëheqëse e Departamentit për Hulumtime të Jashtme – OeNB.
Në vijim lidhur me konferencën dhe rëndësinë e saj ka folur Jörg Decressin, Zëvendësdrejtor i Departamentit për Evropë – FMN.
Sesioni i dytë i penalistëve kryesues i të cilit ishte Drejtori i Institutit JVI Tomas Richardson ka diskutuar temën “Normalja e re për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore: reflektim mbi përshtatjen pas krizës dhe modeli i ri ekonomik në rajon”.
Ndërsa për temën "Peizazhi i investimeve dhe huadhënieve në EQLJL" ka prezantuar Luca Gattini nga Banka Investive Evropiane (EIB) .
Në vijim sesioni i tretë ka diskutuar për temën: “Mbështetja për rajonin” kryesues i të cilit ishte, Jan-Axel Voss, Zëvendësambasador në Ambasadën Gjermane në Prishtinë.
Më pas konferenca ka vazhduar me prezantimin e Mario Holzner nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW).
Sesioni i katërt i konferencës u kryesua nga Tomas Slacik nga Banka Kombëtare e Austrisë (OeNB) me temën “Sektori bankar dhe rrjedha e kapitalit në shtetet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”.
Gjatë sesionit të fundit u prezantuan tema të përzgjedhura në fushën e shërbimeve bankare dhe qasja në financa, kryesuese e të cilit ishte Barbara Marchitto nga Banka Investive Evropiane (EIB).
Përmbylljen e kësaj konference e bëri po ashtu Barbara Marchitto nga Banka Investive Evropiane (EIB), e cila listoi një varg konkluzionesh dhe mesazhesh të dalura nga konferenca. Znj. Marchitto falënderoi BQK-në për mikpritje dhe organizim të shkëlqyer të kësaj konference.