Ka përfunduar punimet Konferenca Vjetore e Bankës së Shqipërisë

Ka përfunduar punimet Konferenca tradicionale vjetore e Bankës së Shipërisë e bashkëorganizuar me Universitetin e Oksfordit, më konkretisht me Kolegjin St Anthony. Gjatë punimeve të kësaj Konference u arrit në përfundimin se politika monetare po gjenë mbështetje në instrumentet e tjera financiare. Në këtë mënyrë, ajo mund të përfitojë nga zhvillimi i mëtejshëm i institucioneve financiare, pasi ky zhvillim së bashku me përdorimin e instrumenteve financiare ka një ndikim të drejtpërdrejtë në përçimin e efekteve të politikës monetare. Kjo sipas pjesëmarrësve panelist të kësaj Konference , nënkupton se politika monetare dhe zhvillimi i tregjeve financiare janë mjaft të rëndësishme për ecurinë dhe nxitjen e mëtejshme të ekonomisë, si dhe për vazhdimin e reformave dhe politikave të ndërmarra. 

Pjesëmarrësit gjithashtu vunë në dukje se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është dhe mbetet një vulë e rëndësishme për të gjitha vendet e rajonit. Megjithatë, zhvillimi i mëtejshëm i reformave, politikave të brendshme dhe institucioneve vendase duhet të jenë prioritete të vazhdueshme për to.Nga ana tjetër gjithnjë sipas debatuesve të kësaj ngjarje, këto vende duhet të punojnë intensivisht për uljen e pasigurive makroekonomike dhe financiare, thellimin e sektorit bankar, zhvillimin e tregjeve të kapitalit, si dhe diversifikimin e portofoleve të investimit.
Thellimi dhe zgjerimi i mëtejshëm i tregut financiar edhe në segmente të tjera, si dhe rritja e edukimit financiar, ishin disa prej konkluzioneve të rëndësishme që u theksuan gjatë punimeve të konferencës. Ndërmarrja e këtyre masave do të përmirësonte efiçiencën e politikave të bankave qendrore, do të mbronte investitorët, do të kontribuonte në uljen e rreziqeve, si dhe do të siguronte qëndrueshmëri më të madhe makroekonomike dhe financiare.
Gjatë konferencës u theksua se mbas krizës së fundit financiare u vu re se goditjet financiare kanë efekte madhore jo vetëm për sistemin bankar, por edhe për sektorin real dhe mirëqenien e vendit në tërësi. Në këtë pikë, pjesëmarrësit diskutuan se stabiliteti i çmimeve është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për të siguruar stabilitetin financiar. Nga ana tjetër, politikat makroprudenciale nuk mund sigurojnë të vetme stabilitetin financiar të vendit. Si rrjedhojë, identifikimi i goditjeve financiare dhe koordinimi midis politikës monetare dhe asaj financiare është i rëndësishëm, duke marrë parasysh se ekziston një efekt i ndërsjellë midis tyre.
Në konkluzionet përfundimtare të konferencës u theksua se megjithëse, vendet në zhvillim kanë treguar që kanë zgjidhur me sukses disa probleme, ato do të përballen me sfida të tjera në të ardhmen, të cilat nuk lidhen vetëm me sistemin bankar. Disa prej tyre lidhen drejtpërdrejtë me zhvillimin e tregjeve të reja të kapitalit.
Në këtë kontekst, bashkëpunimi rajonal midis vendeve dhe institucioneve të tyre, duhet të jetë prioritet për vendet e Evropës Juglindore. Kjo do të shërbejë për forcimin institucional, për krijimin e infrastrukturës së nevojshme, si dhe për një zbatim më të plotë dhe më të efektshëm të politikave makroekonomike.
Gjithashtu, pjesëmarrësit theksuan nevojën e rritjes së mëtejshme të niveleve të përfshirjes financiare, të edukimit financiar të publikut të gjerë, si dhe nevojën për implementimin e zhvillimeve më të fundit teknologjike. Kjo do të mundësonte që vendet e Evropës Juglindore të kenë sisteme financiare shumë më të zhvilluara.
Zhvillimi i kësaj konference përbën edhe një dëshmi për vlefshmërinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe akademisë në fushën e kërkimit shkencor. Ky bashkëpunim ndihmon në thellimin e njohurive të institucioneve politikëbërëse si dhe mbështet zhvillimin e tyre.
Këto konkluzione dolën në përfundim të panelit të sesionit të tretë, paneli i guvernatorëve, i cili mblodhi në debat Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; U.D i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Fehmi Mehmeti; Guvernatorin e Bankës Qendrore të Malit të z.Radoje Zhugiç ; Zëvëndësguvernatoren e Bankës së Bosne dhe Hercegovinës Belma Çollakoviq, si dhe kryeekonomisten e Bankës së Maqedonisë Aneta Krstevska. Diskutimi u përqëndrua kryesisht në rolin e tregut financiar dhe infrastrukturën e tij, në veçanti rolin e “hallkave” që mungojnë (tregu i parasë, fondet e pensioneve, fondet reciproke dhe segmente të tjera të tregut); si dhe në prezantimin e risive teknologjike në tregun financiar “FinTech”, në zhvillimet aktuale në lidhje me rreziqet, qëndrueshmërinë dhe efektshmërinë e politikave monetare dhe të stabilitetit financiar.
Për më shumë rreth debatit rreth temave të lartëcekura dhe pjesëmarrjës në këtë panel të z.Fehmi Mehmeti u.d i Guvernatorit të BQK-së mund të informoheni si në vijim, për më shumë.