Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Muzeu i Kosovës shënuan Ditën Botërore të Kursimeve

Me moton e ardhmja jonë fillon me kursimet Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës kanë shënuar Ditën Botërore të Kursimeve. Pjesë e këtij aktiviteti kanë qenë nxënës të shkollave fillore të kryeqytetit të cilët kanë vizituar ekspozitën me monedha ilire, monedha e kartëmonedha euro. Ekspozita po mbahet në ambientet e BQK-së ku janë të ekspozuara monedhat antike që i ka në dispozicion Muzeu i Kosovës. Në të njëjtën kohë përveç ekspozimit të monedhave, Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, përkatësisht Divizioni për Edukim Financiar është përkujdesur që nxënësit e shkollave të kryeqytetit të marrin pjesë në një punëtori përmes së cilës, nxënësit kanë treguar shkathtësitë e tyre në vizatime dhe punime, ku përmes kreativitetit të tyre ata kanë realizuar krijimet e tyre për kursimet gjithnjë duke vënë në pah domosdoshmërinë e kursimit si një kulturë dhe shprehi të rëndësishme për të ardhmen e tyre.


Në hapje të këtij aktiviteti, për rolin dhe rëndësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, rëndësinë e ditës ndërkombëtare të kursimeve, pse duhet të kursejmë fëmijëve u ka folur znj. Ajshe Ramosaj–Ahmetaj, ndërsa për thesarin numizmatikës ne periudha të ndryshme kohore, dhe monedhat antike që janë ekspozuar kanë folur zyrtarë të Muzeut të Kosovës, duke i njoftuar me përmbajtjen dhe rëndësinë që paraqesin këto monedha. Këto monedha e pasqyrojnë zhvillimin historik që nga antikiteti i hershëm, mesjeta dhe deri në ditët e sotme.
Nxënësit po ashtu patën mundësinë që për së afërmi të shohin të gjitha denominimet e monedhave dhe kartëmonedhave euro, për tiparet kryesore te të cilave nxënësit u informuan nga z. Islam Bahtiri – Zyrtar i lartë në Departamentin e Parave dhe Marrëdhënieve Bankare.


Ky aktivitet me nxënës të shkollave të kryeqytetit do të vazhdojë edhe nesër po ashtu në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Dita Botërore e Kursimeve, shënohet në mbarë botën nga institucionet financiare që nga viti 1924. Kjo datë u vendos si ditë botërore e kursimeve në kongresin e mbajtur në Milano, me qëllim të ngritjes së njohurive dhe rëndësisë së kursimeve. BQK-ja e shënon këtë ditë me aktivitete të ndryshme edukative për disa vite me radhë.