Zëvendësguvernatori Mehmeti po merr pjesë në Samitin “Stabiliteti regjional financiar në ambientin e ri global” që po mbahet në Beçiç të Malit të Zi

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z.Fehmi Mehmeti po merr pjesë në Samitin e Guvernatorëve të Bankave Qendrore, Ministrave të Financave dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore të Regjionit, i cili po zhvillon punimet në Beçiç të Malit të Zi me temën “Stabiliteti regjional financiar në ambientin e ri global”. Në sesionin e Panelistëve të Guvernatorëve të Rajonit me temën Politika Monetare e Vendeve të Rajonit në mes të Rezervave Federale Amerikane FED dhe Bankës Qendrore Evropiane BQE, pjesë e të cilit ishte Zëvendësguvernatori Mehmeti, u dhanë rekomandimet e guvernatorëve të bankave qendrore nga rajoni për ministrat e financave – me theks të veçantë tema se si mund të arrihet deri te koordinimi më i mirë i politikës monetare dhe fiskale, cili do të jetë ndikimi i lehtësimeve kuantitative të BQE-së në politikën monetare, normat e interesit dhe kurset e këmbimit të valutave vendore në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu gjatë këtij sesioni, temë tjetër e diskutimeve që u shtjellua është zgjidhja e kredive problematike si një parakusht për rritjen e aktiviteteve kredituese të bankave - përvojat nga rajoni. U potencua rëndësia e ruajtjes se stabiliteti të sistemit bankar. Panelistët në debatin e këtij diskutimi shprehën qëndrimet e tyre edhe për ekspozimet e rajonit ndaj goditjeve të jashtme, normat e interesit në kursime dhe kredi në vitin 2017. Zëvendësguvernatori Mehmeti në fjalën e tij ka shpalosur stabilitetin e sistemit financiar që Kosova gëzon, duke u ndërlidhur kështu me temën e sesionit se si mund të arrihet deri te koordinimi më i mirë i politikës monetare fiskale dhe rezultatet e një bashkëpunimi të mirëfilltë institucional. Ai gjithashtu potencoi se Kriza e fundit ka treguar domosdoshmërinë e bashkërendimit të institucioneve të ndryshme për të parandaluar krizat dhe për të sanuar pasojat e krizave financiare në rast të paraqitjes së tyre. Në rastet si Kosova, bashkëpunimi ndërinstitucional, sidomos ndërmjet Bankës Qendrore dhe Ministrisë së Financave, është edhe më i domosdoshëm kur kemi parasysh kufizimet e politikës monetare të shkaktuara nga euroizimi. Ne mund të përmendim një shembull të mirë të këtij bashkëpunimi, që ka të bëjë me krijimin e skemës së Mbështetjes Emergjente me Likuiditet për bankat, e cila është themeluar me bashkëfinancim të Qeverisë dhe të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Ndërsa sa i përket pasojave të mundshme të politikave të reja të FED-it dhe ECB-së mbi politikën monetare, normat e interesit dhe normat e këmbimit të valutave kombëtare në Ballkanin Perëndimor, z. Mehmeti tha meqenëse Kosova përdor euron si valutë zyrtare ndryshimet në politikat monetare nuk paraqesin ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë. Kjo po ashtu për faktin se partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës vazhdojnë të jenë shtetet e eurozonës dhe ato të rajonit të cilat kanë valuta që ruajnë një kurs këmbimi mjaft stabil kundrejt euros. Kjo do të thotë se ndryshimet në kursin e këmbimit të euros nuk kanë shumë ndikim në ekonominë e Kosovës.

Po ashtu, pjesa dërmuese e kredive dhe depozitave në sektorin bankar të Kosovës janë të denominuara në valutën euro; prandaj, sektori është mjaft i mbrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit. Sa i përket çështjes së zgjidhjes së kredive me probleme si kërkesë për rritjen e aktivitetit të kreditimit bankar - përvoja në Kosovë, ai nënvizoi se niveli i kredive joperformuese dhe kredive me probleme në raport me gjithsej kreditë në maj 2017 u zvogëlua në 4.3% nga 5.6% sa ishin në maj 2016 respektivisht 6.0% nga 7.2% në maj 2016.

Ky nivel i këtyre treguesve është i krahasueshëm apo është nën mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian. Treguesi i rezervave për humbje nga kreditë në maj 2017 u rrit në 136.2% nga 117.7% sa ishte një vit më herët. Zhvillim pozitiv paraqitet edhe te treguesit e kapitalizimit duke shënuar nivelin prej 18.8% dhe 16.8%, mbi kërkesat rregullative prej 12.0% respektivisht 8.0%.

Në vazhdim të Samitit Sesioni i Panelistëve po shtjellon temën e përfshirjes financiare, bankat e rajonit, trendet e reja në bankingun botëror si: Çfarë do të duhet të bëjnë bankat për të rritur pjesëmarrjen e qytetarëve të cilët përdorin shërbimet moderne financiare; Në çfarë mase oferta e shërbimeve themelore financiare në bankat e rajonit ndikon në shkallën e përfshirjes financiare, Teknologjitë e reja - potenciali kryesor për rritjen e përfshirjes financiare në vendet e rajonit; Bankat dhe shteti - partnerë në përpjekje për të reduktuar numrin e qytetarëve të cilët janë të përjashtuar nga sistemi financiar, "Përjashtimi" financiar vullnetar apo i detyruar - shkaqet dhe pasojat, Përfshirja financiare dhe lufta kundër ekonomisë gri; Me produkte të reja financiare deri te shfrytëzuesit e rinj të shërbimeve bankare; Potenciali i pashfrytëzuar - rreth 2.5 miliardë njerëz në botë nuk kanë llogari bankare - çfarë është situata në rajon, integrimet evropiane dhe përfshirja financiare - rëndësia e zhvillimit të mëtejshëm të tregut të vetëm financiar brenda BE-së në rajon, si dhe shembuj të praktikave të mira të bankave nga rajoni.
Gjatë qëndrimit në Beçiç, zëvendësguvernatori Mehmeti është takuar me guvernatorët e bankave të rajonit, si atë të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë në mes të institucioneve, si dhe nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi. Pjesëmarrës të këtij samiti janë përfaqësues nga BERZH-i, bankat qendrore, ministrat e ministrive të financave, përfaqësues të bankave të rajonit, doganave dhe administratave tatimore.