Guvernatori Hamza viziton institucionet financiare në Gjermani

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza ka zhvilluar vizitë zyrtare në Insitucionet Financiare në Gjermani. Gjatë kësaj vizite, Guvernatori Hamza është takuar me Presidentin e BaFin-it , Dr. Felix Hufeld me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e mëtutjeshëm ndërinstitucional. Guvernatori Hamza ka falënderuar Presidentin Hufeld për bashkëpunimin e vazhdueshëm që BaFin-i i ka ofruar BQK-së në të gjitha fushat. Njëkohësisht, Presidenti Hufeld ka siguruar Guvernatorin për vazhdimin e  bashkëpunimit  si dhe mundësinë e zgjerimit të fushave të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Gjatë kësaj vizite Guvernatori Hamza është pritur në një takim në Deutche Bundesbank nga anëtari i Bordit Ekzekutiv,  Dr. Johannes Beermann. Temë diskutimi e këtij takimi ka qenë thellimi i bashkëpunimit në mes të  BQK-së dhe Deutche Bundesbank-ës. Dr. Beermann është zotuar për mbështetjen në përkrahje të zhvillimit institucional të BQK-së.
 
Në kuadër të kësaj vizite,  Guvernatori Hamza ka zhvilluar takime me Ministrinë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), me Institutin Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ)  dhe me Bankën Qendrore Evropiane (ECB).Gjatë kësaj vizite, u dakorduan  format e bashkëpunimit në mes të BQK-së dhe Institucioneve përkatëse, përderisa Guvernatorit Hamza iu konfirmua mbështetja e fuqishme për BQK-në dhe Institucionet e Republikës së Kosovës. 
 
Shënim:

  • BaFin ka mbështetur vazhdimisht BQK-në në ndërtimin e kuadrit rregullator për rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Mbështetja e BaFin-it ka ndihmuar ngritjen e kapaciteteve të personelit të BQK-së veçanërisht në mbikëqyrjen bankare dhe të sigurimeve duke kontribuar kështu në përmirësimin e cilësisë së punës së BQK-së. 
  • Instituti Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) ka përkrahur BQK-në në avancimin e kornizës mbikëqyrëse të njohur si Korniza e Bazelit si dhe vizita studimore për avancimin e  mbikëqyrjes efektive bankare. Korniza e Bazel-it për Kapitalin (eng. Basel Capital Framework) është  objektivë e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe si një ndër qëllimet kryesore strategjike.  
  • Deutsche Bundesbank bashkëpunon me BQK-në në fushën e investimeve dhe në fushën e mbikëqyrjes së Institucioneve  Financiare.   
  • Banka Qendrore Evropiane (ECB) dhe BQK-ja bashkëpunojnë në përafrimin e kornizës ligjore për mbikëqyrjen e institucioneve financiare, sistemit të pagesave dhe projekteve të veçanta të dizajnuar për funksionet e BQK-së. 

Përkrahja e Institucioneve Financiare Gjermane realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror që Republika e Kosovës ka me  Ministrinë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).