Zëvendësguvernatori z.Lulzim Ismajli mori pjesë në mbledhjet e konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Slloveni

Më 19-20 maj 2017 në Ljubljanë të Sllovenisë janë zhvilluar takimet e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Në këtë takim Banka Qendrore e Kosovës është përfaqësuar nga Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare z. Lulzim Ismajli.
Mbledhjet e konstituencës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore janë mbledhje të cilat mbahen një herë në vit në njërin prej vendeve anëtare të konsituencës. Në këto takime diskutohet rreth zhvillimeve të përgjithshme ekonomike globale, sfidave rajonale, si dhe çështjeve të brendshme të konstituencave.
Këtë vit në takimet vjetore të konstituencave janë diskutuar shumë tema ekonomike si: Rregullimet e vazhdueshme në ekonominë globale: Ndryshimet në politikën e SHBA-së nën administratën e re, Normalizimi i politikës monetare në ekonomitë e zhvilluara dhe ndikimin e zhvillimeve të kursit të këmbimit, Perspektiva ekonomike dhe sfidat e politikave në rajonin e CESEE-së dhe ndikimi i qeverisjes dhe institucioneve në konvergjencën ekonomike, Sfidat e konkurrencës dhe punës në Evropë dhe Azi Qendrore, Të bërit biznes, shkenca pas saj.
Kosova është anëtare e konstituencës së Evropës Qendrore dhe Lindore në Fondin Monetar Ndërkombëtar së bashku me vendet e tjera si Austria, Turqia, Sllovenia, Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia dhe Bjellorusia. Ndërsa, në anën tjetër në konstituencën e Bankës Botërore, përveç vendeve të cekura më lartë, bëjnë pjesë edhe Luksemburgu dhe Belgjika.
Gjithashtu gjatë këtyre takimeve u shkëmbyen edhe përvojat në mes të vendeve pjesëmarrëse.