Prezentohen aktivitetet e zhvilluara dhe rezultatet e delegacionit të Kosovës nga takimet pranverore të FMN dhe BB

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës mori pjesë në konferencën për media të organizuar nga Ministria e Financave, e ku përveç tij morën pjesë edhe nikoqiri- Ministri i Financave Avdullah Hoti, si dhe përfaqësuesi Rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë Ruud Vermeule. Tema e e konferencës kishte të bënte lidhur me aktivitetet e zhvilluara dhe pjesëmarrjen e delegacionit të Republikës së Kosovës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Guvernatori Hamza theksoi se Kosova ka një gjendje makro-fiskale të qëndrueshme dhe një sistem të qëndrueshëm financiar. Sipas tij, sektori financiar i ka përmbushur të gjitha obligimet që kanë dalë si rezultat i kësaj marrëveshjeje me FMN. “Nëse i referohemi indikatorëve financiarë kemi rritje të depozitave dhe kredive dy shifrore. Kreditë joperformuese janë në nivelin më të ulët historik, janë 4.5 për qind dhe janë mirë të provizionuara dhe si rrjedhojë të këtyre treguesve kemi pasur edhe një reflektim në normën e interesit, ku norma mesatare e kredive ka rënë dhe tash është në mesataren e vendeve të regjionit. Në përgjithësi sektori financiar ka një performancë të mirë, trendet pozitive vazhdojnë dhe besoj që do të jenë një prej kontribuuesve të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit”, tha ndër të tjera guvernatori Bedri Hamza. Për më shumë rreth konferencës së mbajtur klikoni këtu.