AMF certifikon aktuarët e rinj

Më 6 prill 2017 zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare të BQK-së z. Fehmi Mehmeti mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë (AMF) lidhur me certifikimin e aktuarëve të rinj, të cilët përfunduan programin afatgjatë të kualifikimit profesional për aktuar.

Programi mësimor i këtij trajnimi ishte në përputhje me programin e Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarëve (IAA) dhe u bazua në praktikat më të mira të Institutit dhe Fakultetit të Aktuarëve në Londër. Programi i licencimit të aktuarëve përmbante 14 module, si: modelet aktuariale; përllogaritjet e aseteve; të dhënat për sistemet financiare; parimet dhe praktikat e sigurimit të jetës dhe jojetës; menaxhimi i riskut; menaxhimi aktuarial i sigurimeve dhe i pensioneve, etj. Në përfundim të programit, secili nga pjesëmarrësit prezantoi një punim tematik diplome, duke aplikuar teknikat dhe metodologjitë aktuariale, të mësuara gjatë trajnimit dhe lidhjes së tyre me situata praktike të tregjeve të sigurimit.

Gjatë ceremonisë së certifikimit, zëvendësguvernatori Mehmeti mbajti një fjalim rasti (fjalimi i zëvendësguvernatorit Mehmeti), me ç’rast falënderoi përfaqësuesit e AMF-së për bashkëpunimin dhe përgëzoi aktuarët e certifikuar për përfundimin me sukses të programit për certifikim të aktuarëve.

Në mesin e të certifikuarve ishte edhe z. Shpetim Mehmeti nga BQK-ja, i cili me sukses përfundoi këtë program. Duke pas parasysh faktin se në tregun e Kosovës ekziston numër jo i mjaftueshëm i aktuarëve, dhe njëkohësisht edhe mungesës së aktuarit në BQK, pjesëmarrja dhe përfundimi me sukses i këtij programi të z. Shpëtim Mehmeti ka qenë shumë e rëndësishme për BQK-në, me qëllim të zhvillimit dhe mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve.