Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës merr pjesë në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z.Bedri Hamza do të marrë pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat do të zhvillohen në Uashington nga data 7-9 tetor 2016 .
Përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të FMN-së dhe Bankës Botërore, Guvernatori Hamza pritet të marrë pjesë edhe në mbledhjet e Konstituencës për Evropën Qendrore dhe Lindore në FMN dhe të Konstituencave përkatëse të FMN-së dhe Bankës Botërore. Gjatë ditëve të qëndrimit në Uashington Guvernatori Hamza do të zhvillojë po ashtu takime me zyrtarë të Departamentit të Thesarit Amerikan, homologë të bankave nga vende të ndryshme, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare.
Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (WBG)të Sesionit të Vjeshtës, do të sjellin së bashku bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave dhe të zhvillimit, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet si : shqetësimet globale, duke përfshirë këtu edhe opinionin për rendin botëror ekonomik, temat për zhdukjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efikasitetin në dhënien e ndihmave, që ofrojnë këto institucione në botë. Gjithashtu gjatë këtyre takimeve do të ketë edhe shtjellim të temave në shumë tryeza dhe seminare të cilat do të jenë të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.