Vizitë e nivelit të lartë tek Rregullatorët kryesorë të Bankingut në Evropë

Një delegacion i BQK-së, i udhëhequr nga Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare z. Fehmi Mehmeti së bashku me përfaqësues të GIZ-it gjerman, realizuan një vizitë zyrtare në agjencitë rregullatorë në Gjermani. Gjatë kësaj vizite delegacioni i BQK-së ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të Autoritetit Federal të Mbikëqyrjes Financiare-BaFin, (zyrat qendrore në Bon) si dhe me përfaqësues të latë të Bankës Qendrore Evropiane dhe Bundesbankës me qendër në Frankfurt.

Në takimin me z.Peter Kruschel, Drejtor për Bashkëpunim Teknik Ndërkombëtar në BaFin, Zëvendësguvernatori Mehmeti e falënderoi z. Kruschel për përkrahjen e vazhdueshme që Bafin i jep BQK-së. Më tej ai e informoi atë lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar në Kosovë, si dhe projektet e zhvilluara së fundmi nga ana e BQK-së për të siguruar një sistem financiar bashkëkohor në Kosovë. Këto projekte përfshijnë hartimin e kornizës së re raportuese, rregulloret e aprovuara rishtazi për mbështetje emergjente të likuiditetit, si dhe rregulloren për regjistrin e llogarive bankare. Një tjetër çështje kyçe e diskutuar ishte ajo mbi manualin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik i cili u hartua me ndihmën e FMN-së.Z. Kruschel shprehu gatishmërinë e institucionit Bafin për të vazhduar përkrahjen për BQK-në në fushën e sektorit bankar dhe theksoi përvojën e këtij institucioni në mbikëqyrjen e sigurimeve ku BQK-së mund ti ofrohet përkrahje shtesë. Në takimin e zhvilluar me znj. Verena Kirsch, mbikëqyrëse e Pro Credit Bank fokusi kryesor ishte shkëmbimi i informacionit lidhur me performancën e sektorit bankar në Kosovë, e veçanërisht me performancën financiare dhe menaxhimin e ProCredit Bankës në Kosovë. Të ty institucionet shkëmbyen informacionet e tyre mbi ProCredit Bank, dhe shprehen gatishmërinë për të shkëmbyer informacione rreth institucioneve nën mbikëqyrje në baza të rregullta.

Takimi me përfaqësues të BQE-së u mbajt në ndërtesën EURO Tower, ku delegacioni i BQK-së u mirëprit nga z.Rolf Klug, Zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Mbikëqyrje të MicroPrudencës II.
Në takim morën pjesë edhe Udhëheqësit e Ekipeve për Mbikëqyrje të Bashkuar (JST-Team) përgjegjës për mbikëqyrjen e Raiffeisen Bank, Austria dhe NLB Grup, Slloveni, banka të cilat tashmë janë përfshirë në Mekanizmin e Mbikëqyrjes së Veçantë dhe operojnë edhe në Republikën e Kosovës. Në këtë takim, përfaqësuesit e BQE-së u informuan nga z. Mehmeti lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, si dhe projektet e zhvilluara nga ana e BQK-së për mbikëqyrje financiare. Më tej, mes rregullatorëve u shkëmbyen edhe të dhënat e fundit financiare të NLB Prishtina dhe Bankës Raiffeisen në Kosovë.

Përfaqësuesit e BQE-së falënderuan zëvendësguvernatorin z. Mehmeti për aprovimin e kërkesës së BQE për zhvillimin e ekzaminimit në NLB Prishtina mbi rrezikun kreditor në NLB Grup, si pjesë të vlerësimit të tyre në mbarë botën. Në këtë takim, po ashtu u diskutua mundësia që në një të ardhme të afërt të nënshkruhet Marrëveshje Bashkëpunimi (MoU) mes BQE-së dhe BQK-së për t’u mundësuar një shkëmbim më i mirë i informacionit ndërmjet dy institucioneve mbikëqyrëse.

Në takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e Bundesbankës, përfaqësuesit e BQK-së u pritën nga z. Martin Dinkelborg, Drejtori i Qendrës për Bashkëpunim Teknik mes Bankave Qendrore, dhe përfaqësues të tjerë të kësaj njësie. Pas prezantimit nga Zëvendësguvernatori z. Mehmeti mbi gjendjen e sektorit financiar në përgjithësi në Republikën e Kosovës, z. Dinkelborg njoftoi Zëvendësguvernatorin z. Mehmeti me detyrat dhe të arriturat e njësisë për bashkëpunim teknik mes bankave qendrore.