Përfunduan punimet dyditore të Samitit “ Stabiliteti financiar rajonal në rrethana të ndryshueshme globale “, që u mbajt në Beçiq të Malit të Zi

Guvernatorët, ministrat e financave dhe drejtuesit e administratave tatimore të vendeve të rajonit janë mbledhur bashkë për dy ditë me radhë në Mal të Zi ku kanë diskutuar për problemet dhe sfidat me të cilat po përballën institucionet që ata drejtojnë në përgjithësi si dhe ekonomitë e vendeve të tyre në veçanti.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza mori pjesë, duke qenë kështu njëri nga panelistët kontribues në debatin gjithëpërfshirës dhe shumë aktual në Samitin e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve dhe të Drejtuesve të Administratave Tatimore të rajonit që u mbajt në Beçiq të Malit të Zi.
Temat bosht të samitit të sivjetshëm të titulluar “Stabiliteti financiar rajonal në rrethana të ndryshueshme globale” që u organizua nga Revista NIN në bashkëpunim dhe mbështetje të Ministrisë së Financave dhe të Bankës Qendrore të Malit të Zi, si dhe sponsorëve të tjerë e që u diskutuan nga panelistët guvernatorë të bankave qendrore të rajonit ishin: Pasojat e mundshme të politikave të reja të FED-it dhe ECB-së mbi politikën monetare; Normat e interesit dhe normat e këmbimit të valutave kombëtare në Ballkanin Perëndimor; Lehtësimi sasior në vendet e regjionit – Benefitet dhe kostot; Shkalla tejet e ulët e inflacionit – arsye për të festuar apo shkak për shqetësim; Euro si monedhë – përparësitë dhe disavantazhet; E ardhmja e Eurozonës dhe pasojat e mundshme për rajonin; Stres-testet dhe rreziku sistemik në sektorin bankar – tetë vite pas dështimit të Lehman Brothers; Mbikëqyrja bankare – parandalimi më i mirë se sa shërimi, si dhe modelet e reja të bashkëpunimit rajonal.
Në hapje të këtij paneli, Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi z. Milojica Dakiq foli për ecurinë dhe zhvillimet që po e karakterizojnë sistemin bankar në vend, ai më këtë rast përmendi treguesit kryesorë të zhvillimeve në vend, duke përmendur këtu sektorin real të ekonomisë, investimet e huaja si një komponent e rëndësishme që po ndihmon në qëndrueshmërinë e sistemit ekonomik.
Ai ka shtuar se takimet e kësaj natyre në kuadër të këtij Samiti do të vazhdojnë që të jenë si një urë lidhëse e bashkëpunimit rajonal dhe në vazhdimësi do të kenë përkrahjen përveç të institucioneve të tjera të vendit edhe të Bankës Qendrore të Malit të Zi, tha ndër të tjera në fjalën e tij z. Dakiq.

Duke marrë pjesë në panelin diskutues të guvernatorëve “çelësi i sfidave të politikës monetare dhe të mbikëqyrjes bankare në vitin 2016”, Guvernatori Hamza ka falënderuar organizatorët e Samitit për organizimin e shkëlqyer duke u shprehur se takimet e këtij niveli dhe shtjellimi i temave që po debatohen përherë janë në dobi të përgjithshme qoftë për pjesëmarrësit qoftë për vendet që po përfaqësohen në këtë ngjarje.
Në vazhdim duke folur për të arriturat e fundit të sektorit financiar dhe për përpjekjet që janë duke u bërë për të vazhduar progresin e arritur si dhe duke u ndërlidhur në temat e diskutimit dhe të bashkëbisedimit në këtë panel, ndër të tjera theksoi: Në Kosovë kemi një rritje ekonomike ndër më të lartën në rajon, e cila sillet mesatarisht prej 3.8-4 %“, e cila si rritje duket e lartë por për një ekonomi si e vendit tonë bazuar në zhvillimin ekonomik të saj nuk mjafton. Ballafaqohemi me deficit të lartë tregtar. Kemi një papunësi po ashtu të lartë dhe investime të huaja jo të mjaftueshme.
Në vijim Guvernatori Hamza u përqendrua në sistemin bankar në vend, i cili është i përbërë prej 10 bankave, prej tyre tetë me kapital të huaj dhe dy vendore, ndërkohë tri bankat më të mëdha vijnë nga vendet e BE-së dhe gjithnjë sipas Guvernatorit Hamza, këto banka kanë sjellë përvoja të mira të bankingut modern. Sistemi është likuid, mirë i kapitalizuar, ka shënuar rezultate në kreditim duke shënuar rritje prej 9.7 % krahasuar me një vit më parë, 6.3% rritje të aseteve dhe mbi 4 % rritje të depozitave. Po ashtu tregues pozitiv janë shënuar edhe tek rënia e vazhdueshme e normës së interesit në kredi e cila po i afrohet normave që i kanë vendet e rajonit. Gjithnjë sipas Guvernatorit Hamza, Kosova renditet e para me shkallën më të ulët të kredive joperformuese të cilat këtë vit kanë shënuar shifrën 5.6% e që janë një tregues i mirë i shëndetshmërisë së sistemit. Po ashtu Guvernatori u shprehë se kreditimi mund të rritet edhe më tej por që i takon biznesit që të konkurrojnë me plane të detajuara dhe plane të mira biznesi në mënyrë që të jenë atraktiv edhe për bankën përkatëse që do të ofron kredi. Ndërsa duke u ndërlidhur me temën që kishte të bënte me përdorimin e euros në Kosovë dhe Mal të Zi, guvernatori potencoi përparësitë dhe kufizimet që si ekonomi e vendit kemi në këtë rast. Ndër treguesit që e kufizojnë Kosovën në përdorimin edhe të instrumenteve monetare të caktuara të euros janë: pamundësia për të ndërhyrë në normën e interesit, ku sipas tij ne nuk kemi një normë bazë referente që bankat e tjera kanë në politikat e tyre monetare, po ashtu në stabilitetin e çmimeve nuk mund të ndërhyjmë. Ne pashmangshëm jemi në rrugëtim drejtë eurozonës dhe do të mësojmë nga përvojat e vendeve të tjera dhe besojmë fuqishëm se synim i vetëm i yni është që të jemi pjesë e Eurosistemit, do ti plotësojmë të gjitha kushtet dhe sfidat që dalin para në rrugëtimin tonë drejtë Eurozonës, tha Hamza . I të njëjtit mendim ishte edhe Guvernatori i Malit të Zi i cili tha se as ne dhe Kosova nuk kërkojmë beneficione në këtë rrugëtim por vetëm kërkojmë që të anëtarësohemi ngjashëm sikurse vendet tjera. Ndërsa i pyetur në debatin rreth temës së shkallës së ulët të kredive me probleme që i ka Kosova, Guvernatori Hamza theksoi se si përparësi e një performance të tillë është fakti se kemi të bëjmë me një sistem të ri bankar të ndërtuar mbi bazën e një bankingu bazuar në rregullativën moderne, ku spikatin bankat që ushtrojnë aktivitet në vend të cilat kanë sjellë përveç kapitalit të tyre monetar edhe përvojat dhe praktikat më të mira të bankingut modern. Banka Qendrore po ashtu në vazhdimësi ka adaptuar rregullativën moderne e cila bazohet në një mbikëqyrje më konzervative e gjithsesi e bazuar në rrisk, këtu vlen të pohohet se një rezultat ka shënuar edhe rritja e efikasitetit të gjykatave në ekzekutimin e lëndëve përmbarimore me anë të përmbaruesve privat. Po ashtu edhe bankat janë më të kujdesshme në vlerësimin e lëshimit të një kredie duke u bazuar mirë në planin e biznesit të asaj kredie.
Që nga paraqitja e krizës, BQK ka realizuar në vazhdimësi stres testet duke u bazuar në shembujt e vendeve që kanë përjetuar krizën. Rol jashtëzakonisht të madh po luan edhe rregullativa dhe korniza ligjore e përafruar më atë të BE-së . Sistemi bankar në vend ka marrë asistencë të vazhdueshme ndërkombëtare e cila ka ndihmuar në ndërtimin e një mbikëqyrje të bazuar në rregullativë moderne dhe strikte. Piku i kredive joperformuese ka qenë në kohën e krizës diku në 8.7 % që ishte po ashtu më i ulëti se shumica e vendeve të rajonit që përballën me një shifër dyshifrore të këtyre kredive.
Në debatin e Panelit të Guvernatorëve përveç nikoqirit z. Milojica Dakiq, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës, Maqedonisë, Bosnjë Hercegovinës si dhe Kroacisë dhe Sllovenisë. Ndërkohë në ditën e parë të Samitit kanë zhvilluar sesionet e tyre edhe Paneli i Ministrave të Financave të Malit të Zi, Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës dhe përfaqësues edhe nga Kroacia. Me këtë rast Ministri Hoti ka folur për zhvillimet dhe për hapat që ka ndërmarrë Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës për krijimin e një ambienti dhe klime të mirë qoftë për biznesin vendas apo investitorët potencialë. Tema që u shtjellua në panel ishte “Qëndrueshmëria e financave publike pa sakrifikuar rritjen ekonomike“. Po ashtu të njëjtën ditë ka zhvilluar punimet edhe Paneli i Administratave Tatimore dhe Autoriteteve Tatimore të rajonit i titulluar ”Reformimi i administratës tatimore dhe luftimi i ekonomisë së hirtë”. Samiti i Beçiçit është organizimi më i madh i rajonit ku çdo vit pjesëmarrësit, akterët kryesorë të ekonomive të shteteve diskutojnë për sfidat me të cilat përballen vendet e tyre dhe shikojnë mundësitë e ngritjes së performancave që gjithsesi sjellin zhvillim për ekonomitë e vendeve respektive.