Operacionet bankare

Departamenti i Statistikave
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka për objektiv parësor (i) të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil dhe një sistem të pagesave të shëndoshë, solvent e efektiv, (ii) të kontribuojë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, (iii) të mbështesë politikat e përgjithshme ekonomike në Kosovë dhe (iv) të veprojë në pajtim me parimet e ekonomisë së tregut të hapur e konkurrencës së lirë, me qëllim të alokimit efektiv të resurseve të Kosovës. Përmbushja e të gjitha këtyre objektivave të BQK-së është e ndërlidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Statistikës (DS). DS-ja është njësia kryesore organizative përgjegjëse për mbledhjen, përpilimin dhe publikimin e statistikave nga BQK. Për të kryer këtë detyrë, BQK-ja ka edhe autoritetin për të siguruar të dhënat statistikore të nevojshme. Ky aspekt juridik është i rregulluar me Ligjin për BQK-në, i plotësuar me rregulloret mbi informacionin statistikor të nxjerrë dhe të bazuara në këtë Ligj. Përpilimi dhe publikimi i statistikave nga DS-ja bëhet konform standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira të vendeve tjera. DS-ja bashkëpunon ngushtë me njësitë relevante të BQK-së dhe me palët e tjera të jashtme me qëllim të përgatitjes së statistikave monetare financiare dhe të sektorit të jashtëm të sakta e të besueshme, si dhe të avancimit të mëtutjeshëm të sistemit të statistikave në pajtim me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Objektivat e BQK-së janë të përcaktuara në nenin 7 të Ligjit për BQK-në, ndërsa detyrat përkatëse janë të përmbledhura në nenin 8 dhe janë të detajuara në nenet pasuese. Prej të gjitha detyrave të përcaktuara në nenin 8 të ligjit për BQK-në, Departamenti i Statistikës është i përfshirë më shumë në (1) mbledhjen dhe publikimin e statistikave; (2) informimin e Kuvendit, Qeverisë dhe publikut të gjerë rreth veprimtarisë së BQK-së; (3) bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; (4) veprimin si këshilltar financiar për qeverinë dhe subjektet e tjera publike; (5) përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar; dhe (6) përcaktimin e politikave për kontribuim në arritjen dhe mbajtjen e stabilitetit të çmimeve. Përgjegjësia lidhur me mbledhjen dhe publikimit të statistikave është e detajizuar në nenet 25-28 të Ligjit për BQK-në. Detyrat dhe përgjegjësitë përkatëse të BQK-së specifikohen më në detaje në rregulloret përkatëse të BQK-së. Po ashtu edhe në Ligjin mbi statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës është e specifikuar që BQK-ja është prodhuese e statistikave zyrtare.
Në bazë të karakterit, vëllimit dhe ndërlikueshmërisë së veprimtarisë së Departamentit të Statistikave, në kuadër të tij ekziston Divizioni i Statistikave të bilancit të pagesave, që është përgjegjës për fushën e statistikave të sektorit të jashtëm, duke përfshirë bilancin e pagesave, pozicionin e investimeve ndërkombëtare, borxhin e jashtëm dhe statistika të tjera të sektorit të jashtëm. Anëtarët e tjerë të personelit në këtë departament përkujdesen për fushat e tjera të statistikave.
BQK-ja është koordinatore e vendit për Sistemin e Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme (angl. General Data Dissemination System - GDDS ) të FMN-së dhe udhëheq Këshillin Statistikor të Kosovës, i cili është organ kolegjial për të dhënë këshilla për përgatitjen dhe zbatimin e programit të statistikave zyrtare të Kosovës dhe për zhvillimin e përgjithshëm të sistemit statistikor të Kosovës.
Departamenti i Statistikës i ka këto funksione kryesore:
• Drafton bazën ligjore për të siguruar të dhënat statistikore të nevojshme;
• Identifikon raportuesit dhe obligimet e tyre statistikore, format e raportimit, periudhën e
raportimit dhe mënyrën e dërgimit të informatave statistikore nga institucionet relevante;
• Bën prodhimin (mbledhjen, përpilimin, validimin dhe shpërndarjen) e statistikave monetare financiare dhe të sektorit të jashtëm (statistikat e bilancit të pagesave, pozicionit të investimeve ndërkombëtare dhe statistikat e borxhit të jashtëm) në përputhje me standardet statistikore ndërkombëtare;
• Bën publikimin e rezultateve të statistikave monetare financiare dhe të sektorit të jashtëm në botimet periodike dhe joperiodike të BQK-së në përputhje me standardet statistikore ndërkombëtare;
• Shpërndan statistikat monetare financiare dhe të sektorit të jashtëm në institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane, Eurostat, etj;
• Përfaqësimin e BQK-së brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, si dhe krijimin dhe mirëmbajtjen e bashkëpunimit të nevojshëm sa i përket çështjeve statistikore;
• Zhvillimin e projekteve të reja statistikore dhe përditësimit të atyre ekzistuese në përputhje me zhvillimet në treg dhe me ndryshimet në standardet statistikore ndërkombëtare;
• Përpilimin dhe përditësimin e metodikës statistikore, politikës së publikimeve, procedurave të punës dhe dokumenteve të tjera administrative;
• Kontributin në zhvillimin e proceseve të përgjithshme statistikore në Kosovë, siç specifikohet në Ligjin mbi statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK)  ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil.  Ky objektiv është i lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Menaxhimit të Mjeteve.  Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve është përgjegjës për plasmanin e të gjitha mjeteve financiare nën menaxhim të BQK-së, si dhe për operimin e sistemit qendror depozitar dhe platformës për tregtim të letrave me vlerë të Qeverisë. 

Objektivi parësor i BQK-së është i përcaktuar në nenin 7 të Ligjit për BQK-në, ndërsa detyrat përkatëse janë të përmbledhura në nenin 8.  Detyrat e tilla në të cilat kontribuon Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve përfshijnë mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave ndërkombëtare; veprimin si bankier, këshilltar financiar dhe agjent fiskal i Qeverisë; promovimin e sistemeve të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë; mbledhjen dhe publikimin e informacioneve relevante financiare; informimin e Kuvendit, Qeverisë dhe publikut të gjerë rreth veprimtarisë së BQK-së; bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; dhe përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.  Në veçanti, detyra e menaxhimit të rezervave ndërkombëtare është e detajuar në nenin 15, ndërsa detyra e veprimit si bankier, këshilltar financiar dhe agjent fiskal i Qeverisë është e detajuar në nenin 30. 

Puna e Departamentit të Menaxhimit të Mjeteve është e ndarë në dy divizione të veçanta: Divizioni i Investimeve dhe Divizioni i Letrave me Vlerë të Qeverisë . Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve i ka këto funksione kryesore:
• Menaxhimin e investimeve, duke i dhënë përparësi sigurisë dhe likuiditetit në raport me kthimin;
• Krijimin e planeve afatmesme dhe afatshkurtra për investimin e mjeteve, parashikimin e të hyrave në baza vjetore duke rekomanduar krijimin e një strukture adekuate të politikave, sistemeve, procedurave, udhëzimeve dhe direktivave për identifikimin, matjen, monitorimin, zhvillimin dhe kontrollin e aktiviteteve të investimit;
• Planifikimin e investimit të mjeteve duke u bazuar në likuiditetin e kërkuar; planifikimin e tregtimit të letrave me vlerë; kontrollimin e likuiditetit të këtyre letrave në treg para blerjes;
• Zbatimin e respektimit të diversifikimit gjeografik gjatë investimeve;
• Dhënien e rekomandimeve mbi qasjet që kontribuojnë në funksionimin stabil dhe efikas të investimeve financiare;
• Bashkëpunimin me njësitë e tjera me qëllim të realizimit të operacioneve investive;
• Kryerjen e analizave të rregullta kuantitative mbi investimet dhe parashikimin e lëvizjeve të normave të interesit dhe çmimeve të instrumenteve financiare në treg.
• Kryerjen e aktiviteteve të tregtimit dhe raportimit të letrave me vlerë të emetuara nga Thesari;
• Menaxhimin e operacioneve për tregun primar dhe tregun sekondar të letrave me vlerë;
• Koordinimin e punëve me përfaqësuesit e Thesarit dhe bankat komerciale lidhur me tregtimin e letrave me vlerë; bashkëpunimi me njësitë e tjera organizative në BQK;
• Organizimin e ankandeve të letrave me vlerë të Qeverisë;
• Regjistrimin, transferimin dhe menaxhimin e transaksioneve të letrave me vlerë;
• Zbatimin e kontrollit përmes procedurave dhe politikave për operacionet e tregut;
• Përgatitjen e raporteve dhe analizave afatshkurtra dhe afatmesme të borxhit dhe rrezikut;
• Analizimin e tregut të parasë si dhe të rrezikut dhe performancës së institucioneve relevante;
• Raportimin e procesimit dhe pagesave mbi interesin dhe maturimin e letrave me vlerë;

 

Departamenti i Parave dhe Marrëdhënieve Bankare

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil.  Ky objektiv është i lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Parave dhe Marrëdhënieve Bankare.  Departamenti i Parave dhe Marrëdhënieve Bankare është përgjegjës për menaxhimin e operacioneve të parave të gatshme dhe mirëmbajtjen dhe transaksionet e llogarive të klientëve të BQK-së. 

Objektivi parësor i BQK-së është i përcaktuar në nenin 7 të Ligjit për BQK-në, ndërsa detyrat përkatëse janë të përmbledhura në nenin 8.  Detyrat e tilla në të cilat kontribuon Departamenti i Parave dhe Marrëdhënieve Bankare përfshijnë sigurimin e një furnizimi të duhur të kartëmonedhave dhe monedhave në Kosovë, promovimin e sistemeve të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, veprimin si bankier, këshilltar financiar dhe agjent fiskal i Qeverisë, mbledhjen dhe publikimin e informacioneve relevante financiare; informimin e Kuvendit, Qeverisë dhe publikut të gjerë rreth veprimtarisë së BQK-së; bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; dhe përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.  Në veçanti, detyrat që kanë të bëjnë me Departamentin e Parave dhe Marrëdhënieve bankare specifikohen në nenet 9, 10, dhe 16-21. 

Puna e Departamentit të Parave dhe Marrëdhënieve Bankare është e ndarë në dy divizione të veçanta: Divizioni i Parave të Gatshme dhe Divizioni i Marrëdhënieve Bankare.  Departamenti i Parave dhe Marrëdhënieve Bankare i ka këto funksione kryesore:
• Administrimin e zonës së trezorëve dhe ruajtjen e parave të gatshme;
• Organizimin e aktiviteteve relevante me palët; menaxhimin dhe trajtimin e depozitave të palëve;
• Menaxhimin dhe trajtimin e furnizimit të palëve me para të gatshme;
• Procesimin (numërimin, verifikimin, klasifikimin, lidhjen dhe paketimin) e parave të gatshme të pranuara nga palët;
• Tërheqjen nga qarkullimi të parave të gatshme të vjetërsuara të pranuara nga palët;
• Lëshimin në qarkullim përmes bankave komerciale të parave të gatshme të reja;
• Përcjelljen ditore të sasisë dhe cilësisë optimale të parave të gatshme dhe  rrjedhimisht, përgatitjen e importeve dhe eksporteve përkatëse;
• Koordinimin e aktiviteteve të lidhura me autoritetet kompetente (trajtimi dhe raportimi i falseve në bashkëpunim me policinë; organizimin e trajnimeve mbi paratë e gatshme me policinë etj.);
• Përpilimin dhe publikimin e këshillave dhe materialeve edukative për publikun me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së parasë nga falsifikimi në Republikën e Kosovës;
• Ofrimin e shërbimeve të ruajtjes;
• Pranimin dhe verifikimin e aplikimeve për hapjen e llogarive;
• Pranimin e nënshkrimeve të azhurnuara (nënshkruesve të autorizuar) nga klientët;
• Pranimin, validimin dhe ekzekutimin e urdhërpagesave dalëse të klientëve;
• Monitorimin dhe njoftimin e klientëve në lidhje me urdhërpagesat ardhëse;
• Verifikimin dhe ekzekutimin përmes ndërfaqes të urdhërpagesave vendore;
• Shpërndarjen e pasqyrave të llogarive të klientëve;
• Pranimin dhe verifikimin e kërkesave për mbylljen e llogarive;
• Mbajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira të punës me të gjithë klientët e BQK-së.

 

Departamenti i Sistemeve të Pagesave

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil, duke përfshirë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave.  Ky objektiv është i lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Sistemeve të Pagesave.  Departamenti i Sistemeve të Pagesave është përgjegjës për operimin e sistemeve të pagesave ndërbankare në pronësi të BQK-së dhe për mbikëqyrje dhe analiza në fushën e sistemeve të pagesave në përgjithësi. 

Objektivi parësor i BQK-së është i përcaktuar në nenin 7 të Ligjit për BQK-në, ndërsa detyrat përkatëse janë të përmbledhura në nenin 8.  Detyrat e tilla në të cilat kontribuon Departamenti i Sistemeve të pagesave përfshijnë promovimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë, mbledhjen dhe publikimin e informacioneve relevante financiare; informimin e Kuvendit, Qeverisë dhe publikut të gjerë rreth veprimtarisë së BQK-së; bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; dhe përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.  Në veçanti, detyrat operative dhe mbikëqyrëse të sistemeve të pagesave që kanë të bëjnë me Departamentin e Sistemeve të Pagesave specifikohen në nenet 21 dhe 22.  Fusha e sistemeve të pagesave është e sanksionuar specifikisht edhe me Ligjin për sistemin e pagesave.

Puna e Departamentit të Sistemeve të Pagesave është e ndarë në dy divizione të veçanta: Divizioni i Operimit të Sistemeve dhe Divizioni i Mbikëqyrjes dhe Analizave të Sistemeve.  Departamenti i Sistemeve të Pagesave i ka këto funksione kryesore:
• Administrimin dhe kontrollimin e operacioneve të kliringut dhe të shlyerjeve ndërbankare për të transaksionet e pagesave dhe të letrave me vlerë;
• Sigurimin e integritetit të transaksioneve dhe qasjeve të përdoruesve;
• Monitorimin dhe administrimin e rezervës së detyruar të bankave pjesëmarrëse; monitorimin e likuiditetit në sistemin bankar;
• Koordinimin dhe zhvillimin e funksionimit të skemave të pagesave; analizimin dhe përkrahjen e mundësive të krijimit të skemave të reja të pagesave dhe ndëroperimit të atyre ekzistuese;
• Ofrimin e mbështetjes teknike në nivel të aplikacionit dhe bazës së shënimeve;
• Analizimin dhe raportimin e të dhënave të transaksioneve të pagesave dhe letrave me vlerë; raportimin në baza ditore mbi detalet e pagesave të të hyrave qeveritare;
• Menaxhimin e rrezikut operacional, financiar dhe të shlyerjeve në llogari;
• Administrimin dhe operimin e sistemit të Regjistrit të Poseduesve të Llogarive Bankare.
• Menaxhimin e projekteve zhvillimore të sistemeve të pagesave; përcjelljen e zhvillimeve të praktikave në fushën e sistemeve të pagesave, në veçanti të atyre në Bashkimin Evropian;
• Angazhimin për zhvillim të infrastrukturës dhe shërbimeve të pagesave; inicimin dhe mbështetjen e zgjerimit të gamës së instrumenteve të pagesave;
• Pjesëmarrjen në draftimin e politikave dhe instrumenteve rregullatore lidhur me fushën e sistemeve të pagesave; hartimin e procedurave për mbikëqyrje të sistemeve të pagesave;
• Sigurimin që sistemet e pagesave funksionojnë në mënyrë të sigurt dhe efektive dhe që sistemet dhe instrumentet e pagesave janë të qeverisura nga një kornizë adekuate juridike;
• Analizimin e gjendjes dhe zhvillimeve të sistemeve të pagesave; identifikimin dhe monitorimin dhe e rreziqeve potenciale relevante; vlerësimin e përputhshmërisë me parimet ndërkombëtare;
• Pjesëmarrjen në vlerësimin e kërkesave për licencim të operatorëve të sistemeve të pagesave dhe kërkesave për autorizim të institucioneve financiare për ofrim të shërbimeve të pagesave.

 

Departamenti i Teknologjisë së Informacionit

Departamenti i Teknologjisë së Informacionit është përgjegjëse për administrimin e sistemeve të informacionit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), që sigurojnë rrjedhjen e informacioneve brenda për brenda BQK-së ose në kuadër të sektorit financiar. Po ashtu  është përgjegjëse për të siguruar konfidencialitetin dhe integritetin e informacioneve në pronësi ose në posedim të BQK-së, si për të mbështetur vazhdimësinë e funksionimit të saj.  Departamenti i Teknologjisë së Informacionit bashkëpunon me të gjitha njësitë organizative të BQK-së për përmbushjen e funksioneve të tij.

Puna e Departamentit të Teknologjisë së Informacionit është e ndarë në dy divizione: Divizioni i Teknologjisë dhe Sistemeve të Informacionit dhe Divizioni i Vazhdimësisë së Punës dhe Sigurisë së Informacionit.  Departamenti i Teknologjisë së Informacionit ka këto funksione kryesore:
• Mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemeve të informacionit që menaxhohen nga BQK-ja, si dhe pjesëmarrjen në projekte zhvillimore të BQK-së që lidhen me lëmin e teknologjisë së informacionit;
• Ofrimin e mbështetjes me kosto efektive, të orientuar në shërbim të shfrytëzuesit të TI-së, për fushat e ndryshme të punës së BQK-së;
• Ndihmën e njësive organizative relevante në mbarëvajtjen e rregullt të punëve në sistemet kyçe të informacionit (sistemi bankar bazë, sistemi i letrave me vlerë, sistemi i pagesave, sistemi i regjistrit të kredive, sistemi i regjistrit të llogarive bankare)
• Përkujdesjen për funksionimin e postës elektronike dhe faqes së internetit të BQK-së;
• Menaxhimin e sigurisë së informacionit në pajtim me dispozitat në fuqi, standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira në institucionet e ngjashme;
• Rregullimin dhe monitorimin e qasjes së shfrytëzuesve brenda dhe jashtë në sistemet e informacionit të BQK-së; rregullimin dhe monitorimin e qasjes se institucioneve pjesëmarrëse në sisteme të ndryshme të informacionit;
• Zhvillimin, implementimin dhe azhurnimin e rregullt të një plani për të siguruar konfidencialitetin dhe integritetin e informacionit dhe mbajtjen e niveleve të përshtatshme të qasshmërisë;
• Përcaktimin e kërkesave të sigurisë, të cilat duhet të jenë të njëjta ose më të larta sesa kërkesat e sigurisë të përcaktuara me ligj ose nga organet ndërkombëtare të standardeve;
• Vlerësimin periodik të sistemeve dhe rrjeteve të teknologjisë së informacionit për kërcënime dhe ekspozime me qëllim të mbrojtjes së aseteve të TI-së dhe të zvogëlimit të rrezikut të BQK-së;
• Trajtimin e komprometimit aktual ose të dyshuar të aseteve dhe operacioneve të TI-së;
• Pjesëmarrjen në sigurimin e vazhdimësisë së funksionimit të veprimtarisë së BQK-së;
• Zhvillimin dhe implementimin e një plani për të përballuar efektet fillestare të fatkeqësisë dhe për t’i normalizuar operacionet e TI-së sa më shpejt që të jetë e mundur; testimin dhe azhurnimin e rregullt të këtij plani.

 

Divizioni i Regjistrit të Kredive

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil.  Ky objektiv është i lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit të Regjistrit të Kredive.  Divizioni i Regjistrit të Kredive është përgjegjës për operimin e regjistrit të kredive që menaxhohet nga BQK-ja. 

Objektivi parësor i BQK-së është i përcaktuar në nenin 7 të Ligjit për BQK-në, ndërsa detyrat përkatëse janë të përmbledhura në nenin 8.  Detyrat e tilla në të cilat kontribuon Divizioni i Regjistrit të Kredive përfshijnë mbikëqyrjen e institucioneve financiare; mbledhjen dhe publikimin e informacioneve relevante financiare; informimin e kuvendit, qeverisë dhe publikut të gjerë rreth veprimtarisë së BQK-së; bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; dhe përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.  Në veçanti, detyrat operative dhe mbikëqyrëse të sistemeve të regjistrit të kredive specifikohen në nenin 24.  Fusha e regjistrit të kredive që operohet nga BQK-ja është e sanksionuar specifikisht edhe me rregullore përkatëse.

Divizioni i Regjistrit të Kredive ka për qëllim ndikimin në përmirësimin e cilësisë së kredive të institucioneve kredidhënëse dhe lehtësimin teknik të ushtrimit të funksionit mbikëqyrës të BQK-së.  Funksionet kryesore të Divizionit të Regjistrit të Kredive përfshijnë:
• Fuqizimin, avansimin dhe sigurimin e implementimit të kornizës ligjore për raportimin dhe përdorimin e informacioneve mbi kreditë, kredimarrësit dhe palët e ndërlidhura në role të ndryshme me kredi;
• Sigurimin e një funksionimi efikas të sistemit të regjistrit të kredive që operohet nga BQK-ja;
• Sigurimin e qasjes në regjistrin e kredive nga ana e të gjitha institucioneve financiare kredidhënëse dhe nga njësitë organizative mbikëqyrëse të BQK-së; regjistrimin, trajnimin, administrimin dhe monitorimin e përdoruesve të autorizuar;
• Shqyrtimin e kërkesave dhe gjenerimin e raporteve të detajuara kreditore për të gjitha palët relevante që paraqiten fizikisht; shqyrtimin dhe aprovimin e qasjes për të gjithë personat fizikë dhe juridikë në portalin e internetit të regjistrit të kredive;
• Monitorimin dhe kontrollimin e të dhënave të raportuara në regjistrin e kredive në aspekt të respektimit të dispozitave përkatëse dhe cilësisë së tyre të përgjithshme;
• Përkrahjen e funksionit mbikëqyrës të BQK-së lidhur me institucionet financiare kredidhënëse; dhe
• Promovimin e rolit dhe rëndësisë së regjistrit të kredive si sistem me ndikim në stabilitetin financiar, përmes kanaleve dhe formave të ndryshme.

 

Divizioni i Rishqyrtimit
Divizioni i Rishqyrtimit është përgjegjës për realizimin e procedurës së rishqyrtimit të kërkesave të institucioneve financiare lidhur me rekomandimet e njësive organizative të BQK-së për shqiptimin e ndëshkimeve administrative të parapara me legjislacionin në fuqi. Detyrat dhe përgjegjësitë e këtij Divizioni janë si në vijim:
Shqyrton kërkesat e palëve (institucioneve financiare) lidhur me rekomandimet e njësive organizative të BQK-së për shqiptimin e ndëshkimeve administrative..
Komunikon me njësitë organizative relevante në BQK më qëllim që procedura e rishqyrtimit të realizohet në pajtim më legjislacionin në fuqi dhe aktet përcjellëse të këtij legjislacioni
Komunikon më institucionet financiare më qëllim që procedura e rishqyrtimit e iniciuar përmes kërkesës së tyre për rishqyrtim të rekomandimeve për shqiptim të ndëshkimeve administrative të realizohet në pajtim me legjislacionin në fuqi;
Është përgjegjës për realizimin e procedurës për shqyrtimin e kërkesave për rishqyrtim nga ana e palëve;
Zbaton procedurën e seancës për rishqyrtim dhe përgatit rekomandimin/et përkatëse për Bordin Ekzekutiv në pajtim me procedurat përkatëse. Për përgatitjen e rekomandimeve të tilla mund të kërkoje opinione nga njësitë organizative relevante të BQK-së më qëllim që rekomandimi përfundimtar të jetë sa më profesional dhe juridikisht i bazuar.
Mund të jetë pjesë e grupeve punuese që kanë të bëjnë ndryshimin dhe avancimin e legjislacionit që ndërlidhet ekskluzivisht më fushën e rishqyrtimit gjithnjë konform procedurave të përcaktuara me politikën për nxjerrjen e akteve juridike;
Pas pranimit të informacioneve dhe materialeve të detajuara lidhur me kërkesën për rishqyrtim, analizon dhe rishqyrton kundërshtitë e paraqitura nga institucionet financiare ndaj rekomandimeve të departamenteve apo divizioneve përkatëse të BQK-së më qëllim të trajtimit të drejtë dhe konform legjislacionit në fuqi të këtyre kërkesave;
Në bashkëpunim më njësitë organizative relevante të BQK-së është përgjegjës për zbatimin e akteve juridike dhe dispozitave specifike të legjislacionit në fuqi që ndërlidhën me çështjet e rishqyrtimit të kërkesave përkatëse të palëve.
Kryen detyra të tjera brenda sferës së përgjegjësive të cekura me lartë dhe të përcaktuara në mënyrë specifike me akte juridike dedikuar fushës përkatëse.