Kabineti i Guvernatorit

Kabineti i Guvernatorit përbëhet nga këshilltarët dhe asistentët dhe zyrtar tjerë profesional konform nevojave dhe specifikave të detyrave të kësaj njësie organizative. Kabineti i Guvernatorit e mbështet organizimin dhe realizimin e agjendës së Guvernatorit, si dhe është përgjegjës për koordinimet relevante me zëvendësguvernatorët dhe anëtarët e tjerë të lartë të personelit.  Kabineti i Guvernatorit po ashtu komunikon rregullisht dhe bashkëpunon ngushtë me njësitë e tjera organizative të BQK-së, sa i përket çështjeve të rëndësishme operacionale dhe administrative.

Kabineti i Guvernatorit i ka këto funksione kryesore:
• Asistimin dhe këshillimin e Guvernatorit lidhur me çështje të përgjithshme dhe të veçanta;
• Mbikëqyrjen e çështjeve/detyrave specifike të vendosura nga Guvernatori dhe sigurimin e implementimit të tyre;
• Përcjelljen dhe mbështetjen e njësive organizative, që janë nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë të Guvernatorit;
• Komunikimin dhe bashkëpunimin me njësitë relevante organizative të BQK-së në bazë të kërkesës së Guvernatorit;
• Përkujdesjen për punë sekretarie dhe logjistike lidhur me angazhimet e përditshme të Guvernatorit brenda dhe jashtë BQK-së;
• Rishikimin e materialeve të ndryshme nga brenda dhe nga jashtë BQK-së të cilat i adresohen Guvernatorit;
• Mbajtjen e dosjeve dhe dokumenteve të rëndësishme që Guvernatori i pranon ose i dërgon.

 

Zyra e Planifikimit Strategjik, Menaxhimit të Rrezikut dhe Koordinimit të Projekteve dhe Asistencës Teknike 

Zyra e planifikimit strategjik, menaxhimit të rrezikut dhe koordinimit të projekteve dhe asistencës teknike është përgjegjëse për aktivitete të veçanta të rëndësisë së lartë, që kryhen ose koordinohen në nivel të BQK-së.  Në mesin e këtyre aktiviteteve, në radhë të parë hyn përpilimi dhe azhurnimi i planit strategjik të BQK-së, si dhe përcjellja e realizimit të tij.  Ngushtë i lidhur me këtë aktivitet është edhe hartimi i politikave për arritjen e objektivave të BQK-së.  Si aktivitet tjetër i këtillë është menaxhimi i rrezikut të gjithmbarshëm  i veprimtarisë së BQK-së.  Po ashtu edhe koordinimi i projekteve të veçanta zhvillimore të BQK-së dhe koordinimi i asistencës teknike, që i ofrohet BQK-së nga institucione të ndryshme hyjnë në kuadër të aktiviteteve të këtilla.

Zyra e planifikimit strategjik, menaxhimit të rrezikut dhe koordinimit të projekteve dhe asistencës teknike i ka këto funksione kryesore:
• Planifikimin strategjik dhe përgatitjen e politikave për arritjen e objektivave:
• Hartimin e planit strategjik të propozuar të BQK-së dhe propozim e politikave për arritjen e objektivave të BQK-së në bashkëpunim me të gjitha njësitë organizative relevante;
• Përcjelljen dhe raportimin lidhur me realizimin e planit strategjik të BQK-së;
• Propozimin për azhurnimin e planit strategjik të BQK-së dhe politikave për arritjen e objektivave të BQK-së;
• Rekomandimin e masave dhe veprimeve për lehtësimin e realizimit të planit strategjik të BQK-së dhe politikave për arritjen e objektivave të BQK-së;
• Ofrimin e këshillave dhe rekomandimeve në lidhje me çështjet dhe zhvillimet strategjike në marrëdhëniet e BQK-së, me institucionet simotra jashtë vendit dhe institucionet ndërkombëtare relevante;
Menaxhimin e rrezikut të gjithmbarshëm:
• Krijimin, mbajtjen dhe zhvillimin e një kornize gjithëpërfshirëse të menaxhimit të rrezikut, duke pasur parasysh integrimin e menaxhimit të rrezikut në të gjitha operacionet dhe administratën relevante të BQK-së;
• Sigurimin se BQK-ja mirëmban procese adekuate të menaxhimit të rreziqeve të lidhura me veprimtarinë e saj;
• Monitorimin e përgjegjësive të menaxhimit të rrezikut të deleguara në tërë BQK-në;
• Asistimin e Guvernatorit dhe Bordit Ekzekutiv, me anë të analizave përkatëse të rrezikut, në rastet e vendimmarrjeve të rëndësishme;
Koordinimin e projekteve zhvillimore dhe koordinimin e asistencës teknike të pranuar:
• Përgatitjen, organizimin dhe vlerësimin e projekteve zhvillimore të veçanta në bazë të vendimeve të Guvernatorit ose Bordit Ekzekutiv;
• Analizimin dhe raportimin lidhur me aspekte të caktuara të operacioneve dhe administratës së BQK-së ;
• Përgatitjen dhe propozimin e rregullave dhe procedurave për analizim dhe formulim të nevojave të BQK-së për asistencë teknike, si dhe për realizim, monitorim dhe vlerësim të asistencës teknike të pranuar;
• Përcjelljen dhe asistimin në zbatimin e rezultateve të asistencës teknike.

 

Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë autonome dhe të pavarur, përkatësisht i kryen detyrat dhe i përmbush objektivat e përcaktuara me ligj.  Pavarësia dhe autonomia e BQK-së në pajtim me praktikat më të mira institucionale kushtëzon një nivel të lartë të transparencës dhe llogaridhënies nga ana e saj.  Për më tepër, informimi i institucioneve shtetërore dhe publikut të gjerë rreth politikave, detyrave dhe operacioneve të BQK-së është një prej detyrave të saj.  Po ashtu një prej detyrave të saj është edhe komunikimi dhe bashkëpunimi me organizatat relevante ndërkombëtare.  Të dyja këto detyra të BQK-së janë të përcaktuara në nenin 8 të Ligjit për BQK-në dhe janë në funksion të arritjes së objektivave të saj të përcaktuara me këtë ligj.

Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë është njësia kryesore organizative për komunikim me jashtë, koordinim dhe zhvillim të marrëdhënieve me institucionet relevante shtetërore, organizatat relevante ndërkombëtare dhe publikun e gjerë.  Po ashtu ky Departament kontribuon edhe në mbajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale me të gjithë akterët e sistemit financiar. 

Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë i ka këto funksione kryesore:
• Koordinimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale me institucionet shtetërore;
• Koordinimin dhe zhvillimin e komunikimit me media dhe publikun e gjerë;
• Koordinimin dhe zhvillimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me autoritetet e huaja dhe organizatat ndërkombëtare;
• Kontribuimin në mbajtjen e zhvillimin e marrëdhënieve me institucionet financiare;
• Përkujdesjen për protokollin e BQK-së dhe organizimin e takimeve dhe konferencave të BQK-së të nivelit të lartë;
• Redaktimin dhe lektorimin e publikimeve dhe materialeve të ndryshme;
• Azhurnimin e rregullt të faqes së internetit të BQK-së;
• Koordinimin e raportimeve dhe aktiviteteve të tjera të BQK-së në proceset e integrimeve evropiane;
• Organizimin dhe drejtimin e angazhimeve të BQK-së në fushën e edukimit financiar të publikut;
• Sigurimin e shërbimeve të përkthimeve me gojë dhe me shkrim mes shqipes, serbishtes dhe anglishtes;
• Përkujdesjen për komunikimet e brendshme me rëndësi.

 

Divizioni i Resurseve Njerëzore

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) i kushton rëndësi të madhe rekrutimit, mbajtjes dhe zhvillimit profesional të anëtarëve të personelit të saj.  Qasja e BQK-së ndaj anëtarëve të personelit të saj është objektive dhe e drejtë në pajtim me dispozitat përkatëse dhe praktikat më të mira. 

Divizioni i Resurseve Njerëzore është njësia organizative përgjegjëse për administrimin e marrëdhënieve të punës.  Përveç funksionit administrativ, ky Divizion është përgjegjës edhe për rritjen dhe zhvillimin e njohurive dhe aftësive të personelit, si dhe ofrimin e këshillave dhe rekomandimeve lidhur me çështjet të ndryshme të personelit.  Funksionet e Divizionit të Resurseve Njerëzore janë të përcaktuara me politika dhe rregulla përkatëse, të cilat janë të hollësishme dhe të qarta, të cilat janë të njohura mirë nga anëtarët e personelit. 

Departamenti i Resurseve Njerëzore i ka këto funksione kryesore:
• Administrimin dhe zhvillimin e proceseve të rekrutimit dhe orientimit bazë të anëtarëve të rinj të personelit,
• Administrimin dhe zhvillimin e proceseve të trajnimit dhe zhvillimit profesional të anëtarëve të personelit;
• Administrimin dhe zhvillimin e proceseve të vlerësimit të performancës dhe promovimit të anëtarëve të personelit;
• Administrimin dhe zhvillimin e proceseve të realizimit të pagave dhe beneficioneve të tjera të anëtarëve të personelit (sigurimin shëndetësor dhe jetësor, kontributet pensionale, obligimet tatimore, etj.)
• Përcjelljen dhe raportimin mbi respektimin e politikave dhe rregullave të brendshme të personelit (respektimi i orarit të punës, respektimi i kodit të mirësjelljes, etj.);
• Organizimin dhe udhëheqjen e takimeve dhe ngjarjeve të tjera të përgjithshme të personelit; informimin e personelit lidhur me çështjet e marrëdhënieve të punës;
• Përkujdesjen për dosjet e anëtarëve të personelit, duke përfshirë edhe përshkrimet e pozitave të punës
• Konsultimin me anëtarët e personelit në pozita mbikëqyrëse lidhur me çështjet praktike të personelit;
• Ofrimin e këshillave dhe rekomandimeve lidhur me politikat dhe praktikat e marrëdhënieve të punës.