Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore

 
 
Fehmi Mehmeti  U.D i Guvernatorit - Kryesues 
Lulzim Ismajli  Zëvendësguvernator – Anëtar  
Fehmi Mehmeti  Zëvendësguvernator – Anëtar 
Bordi Ekzekutiv përbëhet nga guvernatori, i cili do të jetë kryesues, si dhe nga zëvendësguvernatorët dhe do të jetë i ngarkuar me zbatimin e politikave të Bankës Qendrore dhe të operacioneve të saj. Për numrin e zëvendësguvernatorëve vendos Bordi i Bankës Qendrore, në bazë të propozimit të Guvernatorit. Aktualisht Banka Qendrore ka dy zëvendësguvernatorë.
Bordi Ekzekutiv ka kompetencat dhe detyrat si në vijim :
1. Bazuar në nenin 7, në nenin 8, në nenin 34, si dhe në çdo nen tjetër të këtij ligji, Bordi Ekzekutiv do t’i ketë kompetencat dhe detyrat e caktuara në vijim:
• t’i përcaktojë dhe t’i miratojë politikat e Bankës Qendrore për ta nxitur dhe për ta mbajtur stabil sistemin financiar, si dhe një sistem të sigurt, të shëndoshë dhe efikas të pagesave;
• t’i përcaktojë dhe t’i miratojë politikat e Bankës Qendrore për të kontribuar në arritjen dhe në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve vendore;
• të përcaktojë dhe të miratojë politika të tjera të Bankës Qendrore, që kanë të bëjnë me zbatimin e detyrave të saj, si dhe të miratojë sipas nevojës rregulla të brendshme për zbatimin e tyre;
• t’i përcaktojë politikat e përgjithshme dhe t’i miratojë statutin dhe rregullat brendshme të zbatueshme për administrimin dhe veprimtarinë e Bankës Qendrore;
• t’i rekomandojë Bordit të Bankës Qendrore ta përcaktojë strukturën organizative të Bankës Qendrore, duke i përfshirë themelimin dhe lokacionin e zyrave dhe të objekteve të operimit;
• t’i miratojë emërimet e drejtorëve të departamenteve dhe të divizioneve;
• t’i ushtrojë pushtetin dhe detyrat e Bankës Qendrore të përcaktuara në nenet 12, 15, paragrafi 3, në nenin 19, paragrafi 3, në nenet 22 dhe 30, paragrafi 3, të këtij ligji;
• t’i përcaktojë kategoritë e aseteve, që do t’i përbëjnë rezervat ndërkombëtare;
• t’i përcaktojë kategoritë e aseteve të përshtatshme për investime të resurseve financiare të Bankës Qendrore;
• ta miratojë ose ta refuzojë dhënien e licencave dhe të lejeve për sistemet e pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë dhe t’i revokojë këto licenca dhe leje;
• ta miratojë ose ta refuzojë dhënien e licencave ose të lejeve për institucionet financiare, si dhe t’i revokojë këto licenca dhe leje;
• të ndërmarrë masa detyruese, duke e përfshirë udhëzimin e çdo banke të mbikëqyrur ose të institucioneve financiare dhe të çdo sistemi të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë; të ndërmarrë veprime përmirësimi, ose duke e emëruar një likuidator për entitete të tilla, ose duke shqiptuar gjoba administrative, ashtu siç i përcakton ky ligj ose ndonjë ligj tjetër dhe pastaj t’i raportojë Bordit të Bankës Qendrore për çdo veprim të tillë;
• të themelojë një ose më shumë organe këshilluese, t’i përcaktojë rregullat dhe kushtet për emërimin e anëtarëve të tyre, si dhe t’i përcaktojë termat e referencës për organe të tilla;
• t’i vlerësojë rreziqet dhe të hartojë plane, që në rast të papriturash në të ardhmen, të sigurohen vazhdimësia e veprimtarive dhe siguria e Bankës Qendrore;
• t’i propozojë Bordit të Bankës Qendrore rregullore për mbështetjen emergjente të likuiditetit;
• t’i miratojë rregullat e procedurave për Bordin Ekzekutiv; dhe
• detyrat dhe kompetencat e tilla të tjera, që përcaktohen qartë me këtë ligj ose me ndonjë ligj tjetër.

Bordi Ekzekutiv bën pjesë tek organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore. Guvernatori do të shërbejë si kryeshef ekzekutiv i Bankës Qendrore i ngarkuar me operacionet e përditshme të Bankës Qendrore. Zëvendësguvernatorët do të ndihmojnë Guvernatorin në realizimin e operacioneve të përditshme të Bankës Qendrore.