Intervista e Guvernatorit

 


27 Shtator 2017

Kosovë: Ndërmarrësia vendore dhe ndihma nga diaspora

Bedri Hamza, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, aktualisht Ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës (foto: Dean Tošovic)
IMF Country Focus
Ky është artikulli i pestë në një seri intervistash me politikë-bërës nga Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Guvernatorët e bankave qendrore dhe ministrat e financave diskutojnë se si qëndrojnë vendet e tyre në aspektin e afrimit me Evropën Perëndimore. Cilat janë pengesat kryesore për të arritur standarde të njëjta të jetesës në Evropën Lindore si në atë Perëndimore? Ne zhvilluam intervistat gjatë një konference mbi qeverisjen ekonomike brenda Evropës që u mbajt në Dubrovnik, Kroaci, në korrik, 2017.
Intervistat tona të mëparshme janë zhvilluar me Octavian Armasu, Ministër i Financave të Moldavisë, Sergiu Cioclea, Guvernator i Bankës Kombëtare të Moldavisë, Boštjan Jazbec, Guvernator i Bankës së Sllovenisë, Martina Dalić, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Ekonomisë së Kroacisë dhe Oleksandr Danyliuk, Ministër i Financave të Ukrainës. Shikoni intervistën e fundit në seri, me Jiří Rusnok, Guvernator i Bankës Kombëtare Çeke, javën e ardhshme.

Ekonomia e Kosovës është duke u rritur me një mesatare prej 3.4 për qind, qëkur vendi pa dalje në det e shpalli pavarësinë e vet në vitin 2008. Rritja e ekonomisë saj është mbështetur si nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë këtu FMN-në, ashtu dhe nga vetë njerëzit e saj që punojnë jashtë vendit.
Ne biseduam me Bedri Hamzën, i cili ishte guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës në kohën e intervistës, dhe tani është ministër i financave i vendit, rreth arritjeve të vendit deri tani dhe rreth problemeve me të cilat duhet të merret.
Vendi juaj është mbështetur nga një program i FMN-së që nga viti 2015. Cilat janë arritjet kryesore ekonomike të programit?
Vendi jonë është mbështetur nga disa programe të FMN-së, të cilat kanë ndihmuar Kosovën në krijimin e legjislacionit modern të standardeve më të larta, në ndjekjen e reformave strukturore dhe ndërtimin e kapaciteteve njerëzore. Ne e kemi vlerësuar në mënyrë të veçantë rolin e FMN-së në ndihmesën e ofruar për të ndërtuar kapacitete.
Këto reforma që kemi bërë kanë ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar, por procesi nuk ka qenë gjithmonë i lehtë.
Cila mendoni se është detyra më urgjente që Kosova duhet ta realizojë që ta përshpejtojë rritjen dhe t'i përafrojë të ardhurat e saj me pjesën tjetër të Evropës? Cilët sektorë ekonomik duhet të zhvillohen së pari?
Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë me reformat strukturore për t'i trajtuar sfidat e saj kryesore: deficitin e lartë tregtar, deficitin aktual të llogarisë dhe papunësinë e lartë. Por, përderisa sektori publik duhet të krijojë infrastrukturë të përshtatshme ligjore dhe fizike, shtytës i rritjes duhet të jetë sektori privat.
Ne duhet të përqendrohemi në forcimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sektorit të bujqësisë, energjisë dhe natyrisht minierave. Gjithashtu, ekziston mundësia për zhvillim e turizmit alpin. Megjithatë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duhet të jenë fokusi kryesor.
Zhvillimi i Kosovës mbështet në masë të madhe në remitancat nga diaspora e saj, e cila përbën rreth një të tretën e popullsisë së vendit. Megjithatë këto remitanca mund të dëmtojnë vullnetin e njerëzve për të investuar në arsim ose për të kërkuar punë. Çfarë mund të bëjë vendi për të siguruar që këto remitanca përdoren në mënyrë produktive?
Kosova merr një shumë të konsiderueshme të remitancave, që është një kontribut i madh për zhvillimin e saj ekonomik. Këto remitanca kanë rezultuar në rritje të konsumit e gjithashtu edhe investimeve, kryesisht në pasuri të patundshme.
Mirëpo ka ardhur koha për të vlerësuar se si mund t'i modernizojmë remitancat në investime dhe gradualisht t'i zëvendësojmë remitancat me prodhimin vendor. Kjo është e nevojshme gjithashtu sepse, siç ndodh zakonisht, lidhjet e largëta familjare kanë tendencë që të shkëputen gjatë periudhave afatgjate, prandaj është mjaft e mundur që remitancat të zvogëlohen me kalimin e kohës.
Për momentin, ne duhet të angazhohemi që të bindim diasporën tonë për të investuar kapitalin e tyre në Kosovë. Disa kosovarë kanë zhvilluar ndërmarrje të suksesshme në vendet ku ata jetojnë dhe ata mund të investojnë kapitalin e tyre si dhe njohuritë e tyre në Kosovë. Ne e inkurajojmë këtë duke ofruar një normë të ulët tatimore. Përveç kësaj, Kosova ka fuqi punëtore të mjaftueshme, të re dhe shumë të kualifikuar, që është më e lirë sesa në vende të tjera.
Disa nga fushat në Kosovë që kanë nevojë për përmirësim janë forcimi i sundimit të ligjit dhe çrrënjosja e korrupsionit. Si mendoni që mund të zbatohet kjo në Kosovë?
Në përgjithësi, Kosova duhet të investojë, në mënyrë politike dhe ekonomike, në institucione që garantojnë ekzistencën e sundimit të ligjit. Po ashtu, ekziston mundësia për të zgjeruar rolin e shoqërisë civile.
Një fushë e veçantë e reformës është sistemi i prokurimit publik. Në këtë aspekt, FMN ka ofruar ndihmë në përpjekjet tona për t'i trajtuar këto sfida.
Nëse shikojmë mbrapa gjatë dy viteve të fundit, cila ishte përvoja juaj personale me FMN-në?
Bashkëpunimi im me FMN-në filloi 10 vjet më parë. Gjatë kësaj kohe, ne negociuam katër programe me FMN-në që përfshinin reforma strukturore dhe gjithashtu shfrytëzuam zhvillimin e kapaciteteve nga FMN. Prioritet i FMN-së, me të drejtë, është ruajtja e stabilitetit ekonomik dhe financiar. Por, unë mendoj se krijimi i prioriteteve të brendshme të një vendi duhet të jetë punë e qeverisë.