Implementimi i edicionit të ri të Manualit të Bilancit të Pagesave (BPM6)

 
BQK-ja do të implementojë botimin e gjashtë të Manualit të Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit të Investimeve Ndërkombëtare (BPM6) të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) me publikimin e statistikave për tremujorin e dytë 2014, që do të bëhet më 30 shtator të këtij viti. Implementimi i BPM6 bëhet në të njëjtën kohë me vendet e Bashkimit Evropian.
 
Manualët e bilancit të pagesave janë zhvilluar nga FMN-ja me qëllim të hartimit të udhëzimeve bazë për përpilimin e statistikave të bilancit të pagesave të qëndrueshme, kualitative dhe në kohë. Botimi i parë është bërë në vitin 1948. Si rrjedhojë e ndryshimeve në zhvillimet ekonomike e financiare që ka pësuar vazhdimisht ekonomia botërore, FMN-ja ka përditësuar manualët në vitet 1950, 1961, 1977, 1993 dhe së fundi më 2009. FMN përmes këtij manuali ofron një metodologji standarde për të gjitha ekonomitë e botës pavarësisht nga madhësia apo shkalla e zhvillimit ekonomik. 
 
Manuali i bilancit të pagesave shërben si kornizë standarde për përpilimin e statistikave lidhur me vlerën e transaksioneve rrjedhëse (bilanci i pagesave - BOP) dhe vlerën e akumuluar (Pozicioni i Investimeve Ndërkombëtare - PIN), të një ekonomie me pjesën tjetër të botës. Për më shumë, manuali shpjegon konceptet, definicionet dhe klasifikimet për BOP dhe PIN. Si metodologji standarde, manuali mundëson krahasueshmërinë ndërkombëtare të të dhënave për të gjitha ekonomitë e botës pavarësisht nga madhësia apo zhvillimi ekonomik i tyre.
 
Manuali i ri BPM6 trajton shumë ndryshime të rëndësishme që kanë ndodhur në ekonominë ndërkombëtare  që nga edicioni paraprak  i publikuar në vitin 1993. Edicioni i fundit i manualit të bilancit të pagesave rrit fokusin në PIN  (që reflektohet edhe me vetë titullin e manualit) dhe shtjellon në mënyrë të gjerë komponentët e bilancit të gjendjes. Ky manual gjithashtu merr parasysh zhvillimet si rrjedhojë e globalizimit, për shembull, unionet monetare, proceset e prodhimit ndërkufitare, strukturat komplekse të kompanive ndërkombëtare dhe remitancat. Në vazhdim, manuali merr në konsideratë zhvillimet në tregjet ndërkombëtare inovacionet financiare dhe instrumentet e reja komplekse në tregun financiar. Gjithashtu, rrit integrimin me statistikat e llogarive kombëtare dhe statistikat e tjera makroekonomike.
 
Manuali i ri është zhvilluar në mënyrë paralele me manualin Sistemi i Llogarive Kombëtare (anglisht System of National Accounts –SNA 2008) dhe ka një harmoni të plotë me këtë manual. BPM6 është në harmoni të plotë edhe  me manualet e tjera të specializuara për fusha specifike, të cilët janë publikuar pas botimit të fundit, si për shembull, Manuali për Statistikave e Borxhit të Jashtëm, Manuali për Statistikat e Tregtisë Ndërkombëtare, Manuali për Statistikat Financiare Qeveritare, Manuali për Statistikat Monetare, Manuali për Indikatorët e Shëndetshmerisë Financiare, Udhëzimet për Rezervat Ndërkombëtare, etj.  BPM6 mund të shkarkohet nga faqja e internetit të FMN-së në vegzën: http://www.imf.org/external/pubs/ft/bop/2007/pdf/bpm6.pdf
 
Në përgjithësi korniza kryesore sipas BPM6 ka mbetur e pandryshuar nga ajo paraprake e rekomanduar me Manualin për Bilancin e Pagesave edicionin i pestë (BPM5). Ndryshimet e përgjithshme për të implementuar BPM6 janë më pak strukturore se sa ato që kanë qenë me BPM5.
 
Duke pasur parasysh kompleksitetin dhe ndryshimet që përmban në vete edicioni i ri i manualit BPM6, FMN-ja ka kërkuar nga vendet që implemtimi i plotë i këtij manuali të bëhet deri në fund të vitit 2014.  FMN-ja që nga muaji gusht i vitit 2012 është duke publikuar statistikat sipas BPM6. Njëzet e tetë vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar që të fillojnë me publikimin e statistikave kombëtare sipas BPM6 nga mesi i vitit 2014. Banka Qendrore Evropiane dhe Eurostati do të fillojnë të publikojnë bilancin e pagesave dhe pozicionin e investimeve ndërkombëtare në përputhje me BPM6 në tremujorin e fundit të vitit 2014.
 
Sa i përket të dhënave statistikore, me zbatimin e BPM6 disa nga komponentët e llogarisë rrjedhëse dhe financiare do të pësojnë ndryshime në strukturën e komponentëve, mirëpo  ndryshime nuk do të ketë në gjithsej gjendjen e llogarisë rrjedhëse, kapitale dhe financiare.
 
Informata të plota lidhur me ndryshimet metodologjike janë në dispozicion në Shtojcën 8 të BPM6.  FMN-ja ka përgatitur një përmbledhje të pyetjeve të bëra më shpesh lidhur me ndryshimet kryesore me implementimin e BPM6, të cilat mund t’i gjeni gjithashtu në faqen e internetit të BQK-së. Për më shumë, BQK-ja ofron në faqen e saj të internetit një matricë konvertimi në të cilën komponentët standardë të BPM5 përputhen me komponentët standardë sipas BPM6. Matrica është e zhvilluar nga FMN dhe e përgatitur në gjuhën shqipe nga BQK.
 
 
Pyetje të shpeshta lidhur me kalimin nga versioni MBP5 në MBP6 dhe
Ndryshimet në trajtim dhe klasifikim sipas BPM6
Manuali i Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit të Investimeve Ndërkombëtare (BPM6)
Metodika e Bilancit të Pagesave dhe Pozicionit të Investimeve Ndërkombëtare (BPM6)