Roli dhe funksioni i Sistemit të Pagesave Ndërbankare të BQK-së

Sistemi i Pagesave ka rol dhe funksion të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit dhe efikasitetin e sektorit financiar si dhe ekonomisë në përgjithësi. Departamenti i Sistemeve të Pagesave (DSP) është përgjegjës për operimin e sistemeve të pagesave ndërbankare në pronësi të BQK-së, koordinimin e zhvillimeve, dhe kryerjen e mbikëqyrjes në fushën e sistemeve të pagesave. Aktualisht në Kosovë ka vetëm një sistem të pagesave – Sistemi i Pagesave Ndërbankare (SPN), i cili mundëson kliringun dhe shlyerjen neto në mënyrë automatike sipas sesioneve, si dhe shlyerjen reale në baza bruto, për të gjitha transaksionet e pagesave ndërbankare, letra me vlerë, etj.
Detyrat kryesore të Departamentit të Sistemeve të Pagesave janë:
1) Operacionet: DSP është në funksion të administrimit dhe operimit të sistemeve të pagesave, ofrimit të shërbimeve të pagesave ndërbankare, ruajtjes së sigurisë dhe të efikasitetit të Sistemit të Pagesave Ndërbankare (ATS/RTGS+ACH) si dhe për Regjistrin e Llogarive Bankare.
Më konkretisht, njësia e operacioneve në kuadër të Departamentit të Sistemeve të Pagesave, kryen detyrat si në vijim:

a. Operon, administron dhe rregullon operacionet e kliringut dhe të shlyerjeve finale për të gjitha pagesat ndërbankare si dhe për letrat me vlerë.
b. Siguron funksionimin e rregullt të sistemit të pagesave, duke u lejuar pjesëmarrësve qasje në sistem në pajtim me rregullativën përkatëse për qarkullim sa më të lehtë të parasë përmes llogarive.
c. Siguron integritetin e transaksioneve, qasjet e përdoruesve, bashkërendimin e sesioneve të kliringut dhe shlyerjeve finale në llogari për të gjithë pjesëmarrësit.
d. Monitoron dhe administron rezervën e detyruar të bankave pjesëmarrëse, likuiditetin në sistemin bankar dhe sigurinë në sistem të pagesave.
2) Zhvillimet: Qëllim parësor është të kontribuoj në përgatitjen e analizave dhe projekteve për zhvillime të reja në kuadër të sistemit të pagesave si dhe të koordinoj për zbatimin dhe aplikimin e sistemeve të reja.
Për të marrë iniciativa për përshtatje dhe ndryshime të rregullave dhe procedurave në pajtim me mënyrat e reja të pagesave dhe ngritjeve në teknologji. Për të iniciuar dhe promovuar mënyra të reja të pagesave, që ndikojnë në zvogëlimin e parasë së gatshme në përdorim.
3) Mbikëqyrja: Me qëllim që objektivat e sigurisë dhe të efikasitetit të sistemit të pagesave të promovohen duke monitoruar sistemet ekzistuese dhe të planifikuara, duke i vlerësuar ato kundrejt këtyre objektivave dhe aty ku është e nevojshme duke iniciuar dhe marrë masa adekuate për rregullim dhe për të ndihmuar në ndryshime.
Mbikëqyrja në kuadër të DSP-së siguron raporte dhe analiza vlerësimi, jo vetëm të rregullta, por edhe ad-hoc mbi aktivitetet e mbikëqyrjes së sistemit të pagesave. Këto raporte duhet te japin një përmbledhje të shkurtër të veprimtarisë së mbikëqyrjes, në veçanti duke komentuar mbi çdo ndryshim në sistemin e pagesave si dhe vlerësimi i BQK-së mbi pasojat si rrjedhim i riskut. Në periudha të rregullta mujore dhe tre mujore DSP-ja publikon statistika mbi instrumente të pagesave në përdorim si dhe bënë analiza të detajuara mbi çështjet strukturore dhe të riskut të lidhura me sistemin e pagesave dhe të shlyerjes, përfshirë rrezikun operacional, sistemik, të shlyerjes dhe të likuiditetit.
4) Bashkëpunimi: Komiteti Këshillëdhënës i Pagesave Ndërbankare (KKPN) ka një rol të rëndësishëm në lidhje me sistemet e pagesave ndërbankare për të mundësuar zbatimin e rregullave të veprimit, procedurave dhe standardeve të SPN-së. Ky këshill mban takime të rregullta për të diskutuar çështjet operacionale të sistemit të pagesave si dhe ato zhvillimore. Përfaqësuesit e bankave komerciale dhe MF/Thesarit janë anëtarë të Komiteti Këshillëdhënës të Pagesave Ndërbankare (KKPN), si dhe palë të tjera të rëndësishme të pagesave marrin pjesë në mbledhjet e organizuara të tij. Departamenti i Sistemeve të Pagesave është përgjegjës për organizimin dhe kryesimin e mbledhjeve të KKPN-së, si dhe për përcjelljen e çështjeve të diskutuara.