Skema e funksionimit të Sistemit të Pagesave Ndërbankare

Sistemi i Pagesave Ndërbankare vepron i organizuar dhe i mbikëqyrur nga BQK-ja, e cila përveç si administruese dhe rregullatore e këtij sistemi, po ashtu merr pjesë direkt në këtë sistem në emër të saj dhe institucioneve të qeverisë.
Prandaj, objektiv parësor i Bankës Qendrore është të nxisë dhe të mbajë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave dhe një infrastrukturë stabile.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është pronare dhe operatore e sistemit të vetëm të pagesave në Kosovë, Sistemi i Pagesave Nderbankare (SPN). Ky sistem i pagesave kryen kliringun e të gjitha pagesave me vlera të mëdha dhe të vogël, duke përfshi: pagesat prioritare, individuale,në grup/ masive, Kos-Giro, Debitim Direkt, Letrat me Vlerë, etj.
SPN është një platformë e cila plotësisht bazohet në teknologjitë më të avancuara, ISO 20022 standarde dhe është i dëshmuar të jetë një sistem i qëndrueshëm dhe stabil, i cili i ka plotësuar me përpikëri nevojat e komunitetit bankar dhe përdoruesve të tij.



Aktualisht janë trembëdhjetë (13) pjesëmarrës direkt në SPN. Kjo përfshinë dhjetë (10) banka komerciale dhe BQK-në (në emër të vet dhe të Qeverisë), MF/Thesari (për tri institucione) si dhe FKPK. Të gjitha bankat e licencuara në Kosovë marrin pjesë në SPN. Institucionet mikro-financiare, kompanitë e sigurimeve, etj. mbajnë llogari bankare tek pjesëmarrësit direkt, të cilët veprojnë si agjentë të tyre të pagesave.
Bankat komerciale janë të lidhura me SPN përmes linjave të huazuara (nga kompanitë e telekomunikimit) sipas topologjisë “hub-and-spoke”. si dhe përmes fijeve optike që do të zëvendësojnë linjat e huazuara (të cilat do të shfrytëzohen si komunikim rezervë).
BQK ka në funksion tri sesione kliringu në SPN (ACH) në ditë, për të gjitha pagesat me vlerë nën 10.000 Euro, pagesat masive, Kos Giro, Debitim Direkt. Ndersa pagesat prioritare dhe të gjitha pagesat mbi 10.000 Euro realizohen në kohë reale (8:15 -15:45). Shlyerja e pagesave kryhet në kohë reale për pagesa prioritare dhe me vlerë të madhe si dhe në baza neto për bilancet e sesioneve të kliringut në llogaritë e shlyerjes të mbajtura në sistemin SPN (ATS/RTGS+ACH) në BQK.
BQK vazhdimisht monitoron procesin e shlyerjes, në veçanti duke shikuar me kujdes që nivelet minimale të likuiditetit të rezervës të mos shkelen. Niveli i detyrueshëm i rezervave për çdo bankë është 10% e bazës së caktuar të depozitave të çdo banke, prej të cilave të paktën gjysma (5%) duhet të mbeten gjithmonë në BQK; pra në çdo kohë bankat lejohen të zbresin në llogaritë e tyre të vetme deri në shumën ekuivalente të këtij 5% të shlyerjes, por jo më poshtë. Nëse ka mungesë të mjeteve, atëherë banka është e obliguar të gjejë mjete të mjaftueshme për të rimbushur llogarinë.
SPN përdoret për pagesat e brendshme me vlerë të vogël dhe ato me vlerë të madhe. Ky sistem kliron të gjitha pagesat prioritare, pagesat individuale, pagesat me shumicë, pagesat Kos-Giro dhe pagesat e Debitimit Direkt.
Pagesat prioritare mund të iniciohen në çdo kohë gjatë ditëve të punës të SPN-së dhe të cilat duhet të klirohen menjëherë nga SPN në baza bruto. Pagesat individuale janë transfere krediti të cilat zakonisht iniciohen në një degë të bankës nga paguesi përmes një urdhërpagese në formë letër. Kjo urdhërpagesë futet në sistemin qendror të bankës komerciale dhe dërgohet për kliring në SPN. Paguesi ose paguan me para të gatshme ose me mjetet nga llogaria e tij bankare. Ky instrument është përgjithësisht analog me transferet e kreditit, ashtu siç përkufizohet nga BIS/CPSS.
Këto pagesa mund të përdoren për pagesat një-për-shumë (për shembull pagesat e rrogave) ose shumë-për-një (të cilat kryesish përdoren për konsolidimin e taksave qeveritare para se t’i përcillen BQK-së nga bankat komerciale). Gjatë çdo sesioni të kliringut, SPN ndan pagesat një-për-shumë, dhe konsolidon pagesat shumë-për-një, në pagesa individuale të cilat më pastaj klirohen.
Pagesat Kos Giro janë një mënyrë më efikase me të cilën konsumatorët mund të paguajnë faturat. Sipas skemës, faturuesit si psh. kompanitë e shërbimeve publike, institucionet qeveritare si shërbimi doganor dhe Agjensioni Kosovar i Pronave, etj. përfshijnë një formular të standardizuar të pagesave në fund të çdo fature që iu dërgojnë konsumatorëve të tyre. Këto fatura të standardizuara përmbajnë në vete të dhëna mbi pagesën në barkodin e shtypur, i cili skanohet lehtësisht nga barkod lexuesi i bankave. Pas skenimit të faturës, pagesa procesohet automatikisht nga ana e bankës. Së pari futet në sistemin qendror të bankës komerciale dhe më pas procesohen në SPN për kliring. Konsumatori ose paguan me para të gatshme ose me mjetet nga llogaria e tij bankare.
Debitimi Direkt është lansuar për përdorim nga publiku në Nëntor 2009. Ky është një instrument pagese me të cilin klienti autorizon bankën e vet përmes kompanisë të debitojë (tërheqë) mjete direkt nga llogaria bankare. Ky instrument paraqet një mënyrë të standardizuar dhe të automatizuar që është e përshtatshme për pagesa të rregullta dhe të përsëritura. Poashtu në SPN, realizohet shlyerja e transaksioneve të letrave me vlerë përmes ndërlidhjes së sistemit të letrave me vlerë në BQK dhe Sistemit të Pagesave Ndërbankare.
Sistemi i ri i Pagesave Ndërbankare i njohur si sistem automatik i transferit (ATS), është në përdorim që nga 1 Korrik 2016.
Implementimi i këtij sistemi është një ndër hapat kryesorë që BQK-ja ka ndërmarrë për forcimin e stabilitetit dhe rritjen e efikasitetit të sektorit financiar dhe atij bankar në veçanti.
Sistemi i ri ndërbankar i pagesave, i quajtur, ATS (Automatic Transfer System/Sistemi i Transferit Automatik) përbëhet nga dy komponentë kryesor: komponenti i RTGS-së (Real Time Gross Settlement/shlyerjet bruto në kohë reale) i cili mundëson transferimin e fondeve në kohë reale, si dhe komponenti ACH (Automatic Clearing House/sistem automatik i kliringut) që bënë procesimin e pagesave në grup dhe me vlerë të vogël, në tri sesione të kliringut ndërbankar në BQK.
Ky sistem është i projektuar sipas standardeve më të reja ndërkombëtare për fushën e sistemeve të pagesave (ISO 20022), sipas teknologjisë më bashkëkohore si dhe praktikave më të mira që e bënë Kosovën njërin ndër vendet e para që implementon këtë standard.