Mbikëqyrja Financiare

Departamenti i Mbikëqyrjes Bankare

Bazuar në Ligjin nr. 03/L – 209, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor nxitjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil.  Ky objektiv është i lidhur drejtpërdrejt me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare (DMB).  Përgjegjësi kryesore e DMB-së është mbikëqyrja e bankave, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare. 

Detyra dhe përgjegjësitë tjera të drejtpërdrejta të DMB-së janë: mbikëqyrja e institucioneve bankare, institucioneve mikrofinanciare, institucioneve që merren me lizing, me shërbimet e pagesave, institucioneve kreditore, këmbimoreve, agjencive për transferimin e parave dhe të gjitha institucioneve financiare tjera përveç kompanive të sigurimit dhe fondeve pensionale; përcaktimi i politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar; mbledhjen, analizimin dhe publikimin e informacioneve relevante financiare; bashkëpunimi dhe pjesëmarrja në emër të BQK-së në këshillat dhe organizatat relevante kombëtare dhe ndërkombëtare.

DMB-ja ka për qëllim zbatimin dhe zhvillimin e politikave, praktikave më të mira për rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë financiare me qëllim të sigurimit të stabilitetit të sistemit bankare respektivisht reduktimin e rrezikut të humbjes për depozituesit. Aktiviteti i DMB-së është e ndarë në tri funksione (divizione) të veçanta dhe atë: (i) Divizioni i Mbikëqyrjes në vend, (ii) Divizioni i Raportimit dhe Analizave, dhe (iii) Divizioni i Mbikëqyrjes së institucioneve mikrofinanciare (IMF) dhe institucioneve financiare jobankare (IFJB).

Funksioni (divizioni) i mbikëqyrjes në vend (për bankat komerciale) – përfshin vlerësimin e rreziqeve bankare si: rrezikun  kreditor, rrezikun e likuiditetit, rrezikun operacional, rrezikun e tregut dhe rreziqe të tjera, nëpërmjet adoptimit dhe zhvillimit të qasjes së mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, përmes analizave respektivisht vlerësimeve të bazuara në të dhënat financiare të raportuara nga bankat, si dhe gjatë ekzaminimeve në vend.

Funksioni (divizioni) i raportimit dhe analizave – përfshin analizën, vlerësimin dhe interpretimin e të dhënave financiare të raportuara nga bankat dhe institucionet tjera financiare si dhe vlerësimin e trendeve financiare. Monitorimi i shëndetit financiar të bankave, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare duke identifikuar institucionet të cilat tregojnë përkeqësim financiar janë detyrë parësore të këtij funksioni të Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare.

Funksioni (divizioni) i mbikëqyrjes në vend (për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare) – përfshin konform qasjes që aplikohet për bankat komerciale, vlerësimin e rrezikut të institucioneve në fjalë duke përfshirë rrezikun kreditor, rrezikun e likuiditetit dhe rreziqe të tjera, nëpërmjet adaptimit dhe zhvillimit të qasjes së mbikëqyrjes së bazuar në rrezik. Kjo, duke u bazuar në analizat/vlerësimet e të dhënave financiare të raportuara nga institucionet financiare si dhe gjatë ekzaminimeve në vend.

Departamenti i Mbikëqyrjes Bankare kryen këto funksione kryesore:
• Përpilon dhe organizon strategjinë mbikëqyrëse të bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve;
• Kryen aktivitete mbikëqyrëse në vend dhe nga jashtë të bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve;
• Vlerëson përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e qeverisjes përfshirë performancën e bordeve të drejtorëve, organeve të menaxhmentit ekzekutiv, si dhe niveleve tjera menaxhuese, konform legjislacionit në fuqi;
• Monitoron dhe vlerëson nivelin e ekspozimit të bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve ndaj rreziqeve kreditore dhe rreziqeve të tjera relevante, sistemeve për administrimin e rreziqeve, kërkesave për kapital për mbulimin e rreziqeve, mënyrës së vlerësimit të rreziqeve, ecurisë dhe qëndrueshmërisë së rezultatit financiar;
• Mbikëqyr pajtueshmërinë e veprimtarisë së bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve me kuadrin ligjor dhe rregullativ mbikëqyrës dhe praktikat më të mira që lidhen me veprimtarinë e tyre;
• Vlerëson mjaftueshmërinë dhe përshtatshmërinë e politikave, procedurave, sistemeve dhe metodologjive për menaxhimin e rreziqeve;
• Vlerëson përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e sistemeve të auditimit të brendshëm për evidentimin dhe ndjekjen në kohë të dobësive të evidentuara;
• Vlerëson përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e sistemeve të teknologjisë informative;
• Rekomandon shqiptimin e masave administrative që duhet të ndërmerren ndaj bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve për vetëdijesimin dhe përmirësimin e qeverisjes konform legjislacionit në fuqi;
• Propozon masat detyruese ndaj bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve si dhe monitoron zbatimin e rekomandimeve, kërkesave dhe masave detyruese të shqiptuara ndaj tyre;
• Verifikon saktësinë dhe plotësinë e raporteve të dorëzuara nga bankat, IMF-të dhe IFJB-të;
• Përgatit dhe publikon analiza dhe raporte mbi gjendjen financiare të bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve;
• Merr pjesë në draftimin e politikave, dokumenteve rregullative dhe rregullave të brendshme relevante;
• Merr pjesë dhe prezanton BQK-në në këshillat dhe organizatat relevante kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Departamenti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve

Bazuar në Ligjin nr. 03/L-209, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor nxitjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil.  Ky objektiv është i lidhur drejtpërdrejt me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve (DMS). Përgjegjësi kryesore e DMS-së është mbikëqyrja e institucioneve financiare të sigurimit. 

Për më tepër, detyra tjera të cilat janë përgjegjësi e DMS-së janë: mbikëqyrja e kompanive të sigurimit; mbledhja dhe publikimi i informacioneve relevante financiare; bashkëpunimi dhe pjesëmarrja, në emër të BQK-së në këshillat dhe organizatat relevante kombëtare dhe ndërkombëtare.  

Departamenti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve ka për qëllim zbatimin dhe zhvillimin e politikave, praktikave më të mira për rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së sigurimeve, me qëllim të sigurimit të stabilitetit të sistemit të sigurimeve.  Aktiviteti i DMS-së është i ndarë në dy divizione të veçanta: Divizioni i Raportimit dhe Analizave dhe Divizioni i Mbikëqyrjes në Vend.

Përveç tjerave, Departamenti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve kryen edhe këto funksione kryesore:

• Përpilon dhe organizon strategjinë mbikëqyrëse të kompanive të sigurimeve;
• Vlerëson përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e qeverisjes, përfshirë përformancën e bordeve të drejtorëve, menaxhmentit dhe niveleve tjera, konform legjislacionit në fuqi;
• Mbikëqyr pajtueshmërinë e veprimtarisë së kompanive të sigurimeve me kornizën ligjore në fuqi dhe praktikat më të mira që lidhen me veprimtarinë e tyre;
• Vlerëson përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e sistemeve të teknologjisë informative;
• Pranon dhe shqyrton raportet mujore të primeve dhe dëmeve si dhe raportimin përkatës;
• Pranon dhe shqyrton planet vjetore të biznesit të kompanive të sigurimit;
• Pranon dhe shqyrton pasqyrat financiare tremujore të kompanive të sigurimeve, si dhe përgatit analizat përkatëse në lidhje me likuiditetin dhe riskun sigurues, fuqinë financiare të kompanisë, kapitalin minimal të kërkuar, provizionet teknike dhe detyrimet e tjera, margjinën minimale të solvencës, përformancën financiare të kompanisë, programin dhe kontratat e risigurimit dhe tregues të tjerë relevantë;
• Shqyrton raportet e auditorit të jashtëm të kompanive të sigurimeve dhe ndërmjetësuesve të sigurimeve, si dhe përgatit raportet vjetore përkatëse ,përcjelljen dhe adresimin e nevojshëm;
• Përgatit planin e ekzaminimit dhe bën realizimin e planeve të aprovuara të ekzaminimit në bazë të manualeve përkatëse;
• Kryen ekzaminime të plota dhe të fokusuara të kompanive të sigurimeve
• Përcjell zbatimin e masave të kërkuara në bazë të gjetjeve të konstatuara;
• Merr pjesë në draftimin e politikave, instrumenteve rregullatore dhe rregullave të brendshme relevante.

 

Departamenti i Licencimit dhe Standardizimit

Bazuar në Ligjin nr. 03/L-209 Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor nxitjen dhe mbajtjen e një sistemi të shëndoshë dhe të qëndrueshëm financiar .  Ky objektiv është i lidhur ngushtë me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Licencimit dhe Standardizimit (DLS).  Përgjegjësi kryesore e DLS-së  është licencimi i të gjitha institucioneve financiare, aspektet e rregullimit dhe standardizimit të tyre, si dhe të mbrojtjes së klientëve të tyre. 

Për më shumë detyrat  të cilat janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e DLS-së janë: zbatimi i kornizës ligjore për licencimin,  regjistrimin dhe rregullimin e të gjitha institucioneve financiare; ndërtimin dhe zhvillimin e një kuadri të përshtatshëm ligjor dhe rregullativ për mbikëqyrjen financiare, zbatimi dhe pajtueshmëria adekuate me ligjet , rregulloret dhe standardet e mbikëqyrjes financiare me qëllim të nxitjes  dhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar, si dhe përcjellja dhe monitorimi i sjelljes në treg te institucioneve financiare të orientuar veçanërisht kah shpalosja adekuate dhe mbrojtja e konsumatorëve.

Departamenti ka për qëllim zbatimin dhe zhvillimin e politikave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për licencimin, regjistrimin dhe  rregullimin e veprimtarisë financiare. Aktiviteti i Departamentit të Licencimit dhe Standardizimit është i ndarë në tri funksione (divizione) të veçanta dhe atë: (i)Divizioni i Licencimit dhe  i Standardizimit, (ii) Divizioni i Rregullimit dhe Standardizimit, si dhe (iii) Divizioni i Ankesave të Shfrytëzuesve të Shërbimeve Financiare

i. Funksioni (divizioni) i licencimit dhe standardizimit – përfshin shqyrtimin e kërkesave për licencimin e institucioneve financiare duke siguruar hyrjen në tregun financiar  vetëm të atyre institucioneve, që kanë kapital të mjaftueshëm për matjen dhe monitorimin e rrezikut, politika dhe procedura për kontrollin e tij dhe që propozojnë të kenë administratorë me nivel të lartë kualifikimi, profesionalizmi dhe etike; si dhe shqyrtimin e kërkesave për miratimet paraprake të nevojshme gjatë kohës që institucioni zhvillon veprimtarinë e tij;
ii. Funksioni (divizioni) i standardizimit dhe rregullimit– përfshin ndërtimin e një kuadri rregullativ, të përbërë nga një tërësi kriteresh minimale dhe rregullash për t’u zbatuar nga industria financiare, përmirësimin dhe rishikimin e vazhdueshëm të tij për të qenë në harmoni të plotë me standardet ndërkombëtare, përcjell zbatueshmërinë e kornizës ligjore, adaptimin e parimeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, procesin e përmirësimit të vazhdueshëm metodologjik dhe praktik të modelit të  mbikëqyrjes së institucioneve financiare në funksion të standartizimit të tij, rritjes së mëtejshme të efektivitetit, si dhe zgjerimit të kapaciteteve vlerësuese të rreziqeve;
iii. Funksioni (divizioni) i ankesave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare përfshin pajtueshmërinë adekuate me ligjet, rregullat dhe standardet që orienton  mbikëqyrjen financiare ; shqyrton  ankesat e adresuara nga policëmbajtësit dhe depozitorët/huamarrësit  të institucioneve financiare të mbikëqyrura nga BQK-ja, përcjell dhe monitoron sjelljen në treg të institucioneve financiare të orientuar kah shpalosja adekuate dhe mbrojtjen e konsumatorëve,.
Departamenti i Licencimit dhe Standardizimit kryen këto funksione kryesore:
• Sigurimin dhe verifikimin e saktësisë dhe plotësisë së dokumentacionit të kërkesave për licencim/regjistrim/autorizim si institucion i veçantë financiar;
• Shqyrtimin e dokumentacionit të kërkesave të institucioneve financiare për miratim lidhur me aspekte pronësore, qeverisëse, administrative ose operacionale;
• Konsultimin e vazhdueshëm me divizionin e rregullimit dhe standardizimit,si dhe Departamentin Juridik  dhe bashkëpunim me njësitë e tjera organizative të mbikëqyrjes financiare lidhur me trajtimin e kërkesave për licencim/regjistrim/autorizim ose miratim;
• Përgatitjen e rekomandimeve për vendime lidhur me kërkesat për licencim/regjistrim/autorizim ose miratim, si dhe lidhur me revokimet e licencave/regjistrimeve/autorizimeve të dhëna ose shfuqizimet e miratimeve paraprake;
• Mbajtjen e regjistrave qendrorë të institucioneve financiare të licencuara/regjistruara/autorizuara, si dhe të atyre që iu është revokuar licenca/regjistrimi/autorizimi; 
• Bashkëpunimin me njësitë relevante të mbikëqyrjes financiare për të siguruar koordinimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta; pjesëmarrjen në rishikimin dhe ngritjen e praktikës dhe metodologjisë mbikëqyrëse;
• Pjesëmarrjen në draftimin e politikave, instrumenteve rregullatore dhe rregullave të brendshme relevante të mbikëqyrjes financiare;  përcjelljen dhe analizimin e zhvillimeve relevante, sidomos të direktivave të Bashkësisë Evropiane;
• Interpretimin e kërkesave të ndryshme që vijnë nga institucionet financiare lidhur me zbatimin e kuadrit rregullativ brenda kompetencave dhe funksionit të Departamentit;
• Shqyrtimin e rekomandimeve për masa detyruese nga njësitë përkatëse të mbikëqyrjes financiare dhe përgatitjen e rekomandimeve për vendime përkatëse;
• Angazhimin në avancimin e pajtueshmërisë ligjore dhe etike për të mbrojtur interesat e shfrytëzuesve të shërbimeve të institucioneve financiare; shqyrtimin e ankesave ndaj institucioneve financiare të adresuara nga shfrytëzuesit e shërbimeve financiare;
• Monitorimin dhe vlerësimin e sjelljes në treg të institucioneve financiare të orientuar kah shpalosja adekuate e informacionit dhe mbrojtja e konsumatorit..

Divizioni i Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil.  Ky objektiv është i lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit të Parandalimit të pastrimit të Parave dhe të financimit të terrorizmit.  Ky Divizion është përgjegjës për mbikëqyrjen e institucioneve financiar me fokus në parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Detyrat në të cilat kontribuon Divizioni i Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe të financimit të terrorizmit përfshijnë mbikëqyrjen e institucioneve financiare, në aspekt të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; dhe përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.  Detyra e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nuk është cekur në mënyrë të veçantë në Ligjin për BQK.  Është Ligji mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që e adreson këtë detyrë dhe që specifikon edhe rolin përkatës të BQK-së.  BQK-ja e ka të zhvilluar edhe rregullativën e saj për fushën në fjalë.

Divizioni i Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe të Financimit të Terrorizmit ka për qëllim sigurimin e përputhshmërisë së institucioneve financiare me legjislacionin dhe rregullativën në fuqi, që e rregullon parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit terrorizmit.  Në bashkëpunim të ngushtë me Njësinë e Inteligjencës Financiare, si autoritet primar në këtë fushë dhe me entitetet e tjera relevante, ky Divizion kontribuon në zhvillimin dhe sendërtimin e strategjive adekuate kombëtare për menaxhimin rreziqeve përkatëse. 
Specifikisht, Divizioni i parandalimit të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit i ka këto funksione kryesore:

• Përpilimin dhe realizimin e strategjisë mbikëqyrëse të  institucioneve financiare, në aspekt të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
• Kryerjen e ekzaminimeve të institucioneve financiare, në fushën e  parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
• Vlerësimin e përshtatshmërisë dhe efektshmërisë së qeverisjes përfshirë performancën e bordeve drejtuese, organeve të menaxhmentit ekzekutiv si dhe niveleve të tjera menaxhuese;
• Monitorimin dhe vlerësimin e nivelit të ekspozimit të institucioneve ndaj rreziqeve në fushën e  parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit,
• Vlerësimin e mjaftueshmërisë dhe përshtatshmërisë së politikave, procedurave, sistemeve dhe metodologjive për menaxhimin e rreziqeve të lidhura;
• Vlerësimin e përshtatshmërisë dhe efektshmërisë së sistemeve të auditimit të brendshëm për evidentimin dhe ndjekjen në kohë të dobësive të evidentuara;
• Hartimin e dokumenteve strategjike për zhvillim si dhe përmirësimin e metodave dhe praktikave përkatëse mbikëqyrëse;
• Rekomandimin e masave që duhet të ndërmerren ndaj institucioneve financiare dhe përcjelljen e përmbushjes së tyre;
• Pjesëmarrjen në nisma dhe projekte në nivel vendor e ndërkombëtar, në aspekt të vlerësimit dhe 
• fuqizimit të sistemit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
• Bashkëpunimi me njësitë relevante organizative si dhe institucionet e tjera relevante.

Divizioni i Mbikëqyrjes Pensionale dhe të Tregut të Letrave me Vlerë

Bazuar në Ligjin nr. 03/L – 209, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor nxitjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil.  Ky objektiv është i lidhur drejtpërdrejt me detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit të Mbikëqyrjes Pensionale dhe të Tregut të Letrave me Vlerë.  Përgjegjësi kryesore e DMP-së dhe TLV-së është mbikëqyrja e fondeve pensionale dhe të tregut të letrave me vlerë. 

Për më shumë, detyrat të cilat janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e DMP dhe TLV-së janë: mbikëqyrja e fondeve pensionale dhe të tregut të letrave me vlerë;; mbledhjen, analizimin  e  informacioneve relevante financiare; bashkëpunimi dhe pjesëmarrja në emër te BQK-së në këshillat dhe organizatat relevante kombëtare dhe ndërkombëtare   .  Fusha e mbikëqyrjes së fondeve pensionale është e specifikuar me Ligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, si dhe legjislacioni sekondar.

Divizioni i Mbikëqyrjes Pensionale dhe të Tregut të Letrave me Vlerë ka për qëllim zbatimin dhe zhvillimin e politikave, praktikave më të mira për rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së fondeve pensionale dhe të tregut të letrave me vlerë.  Saktësisht, DMP dhe TLV-së kryen këto funksione kryesore:
• Përpilon dhe realizon strategjinë mbikëqyrëse të fondeve pensionale dhe tregut të letrave me vlerë;
• Përgatit e planin vjetor të ekzaminimeve dhe bën realizimin e planeve të aprovuara të ekzaminimeve në bazë të legjislacionit dhe manualeve përkatëse.
• Analizon dhe kryen ekzaminime në vend të fondeve pensionale dhe të tregut të letrave me vlerë;
• Rekomandon shqiptimin e masave që duhet të ndërmerren dhe përcjell përmbushjen e rekomandimeve nga ana e fondeve pensionale dhe tregut të letrave me vlerë;
• Merr pjesë në draftimin e politikave dhe  dokumenteve rregullative dhe rregulloreve të brendshme relevante për mbikëqyrje të fondeve pensionale dhe të tregut të letrave me vlerë;• Mbikëqyr pajtueshmërinë e veprimtarisë së fondeve pensionale dhe tregut të letrave me vlerë me kuadrin ligjor dhe rregullativ mbikëqyrës dhe praktikat më të mira që lidhen me veprimtarinë e tyre.