U.D i Guvernatorit të BQK-së z. Mehmeti dhe delegacioni i Kosovës përfunduan pjesëmarrjen në takimet vjetore të BB dhe FMN-së

U.D i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Fehmi MEHMETI dhe delegacioni nga Kosova kanë përfunduar pjesëmarrjen në takimet e rregullta të Sesionit Vjeshtor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Uashington DC nga data 10-15 tetor 2017.
U.D i Guvernatorit, përveç pjesëmarrjes në sesionet plenare të FMN-së dhe të BB-së, ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të Thesarit Amerikan, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, ekipit të Misionit për Kosovën të Fondit Monetar Ndërkombëtar, homologë të bankave qendrore, si dhe takimet e konstituencës për Kosovën.
Vizita e U.D e Guvernatorit përfundoi me takimet qendrore përmbyllëse në të cilat morën pjesë guvernatorët dhe ministrat pjesëmarrës; në takimin përmbyllës të Sesionit Plenar të FMN-së dhe në diskutimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, joanëtare të Bashkimit Evropian, lidhur me dy çështje kryesore të regjionit: Sfidat dhe perspektivat për infrastrukturën publike dhe sistemet bankare.
Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (WBG) të Sesionit të Vjeshtës, për çdo vit sjellin së bashku bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave dhe të zhvillimit, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror si: shqetësimet globale, duke përfshirë këtu edhe opinionin për rendin botëror ekonomik, temat për zhdukjen e varfërisë, zhvillimit ekonomik dhe efikasitetit për dhënien e ndihmave, që ofrojnë këto institucione në botë.