Guvernatori Bedri Hamza në emër të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ngushëlloi familjen Rexhepi, pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi

Prishtinë 22.08.2017

Guvernatori Bedri Hamza në emër të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ngushëlloi familjen Rexhepi, pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.

E nderuara Familje Rexhepi,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit z. Bajram Rexhepi. Kjo ikje e hershme e tij nuk është humbje vetëm për familjen, mirëpo është humbje për shoqërinë, qytetin e lindjes dhe gjithë Kosovën që aq shumë e deshi dhe kontribuoi deri në momentet e fundit të jetës së tij.

Dr. Bajram Rexhepin e njohëm si një personalitet të profesionit të mjekut, veprimtarit të palodhur duke dhënë kontribut në të gjitha periudhat, para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare. Dr. Bajram Rexhepi si personalitet la gjurmë të pashlyera në historinë e re të Kosovës, si kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës i periudhës së pas luftës, si Deputet i Kuvendit të Kosovës, kryetar i qytetit të Mitrovicës, dhe si Ministër i Punëve të Brendshme.

Institucionet e Republikës së Kosovës Dr. Bajram Rexhepin, do ta kujtojnë si njërën nga ikonat e saja, si njeri të urtë, të dashur dhe punëtor që asnjëherë nuk u ndalë duke i shërbyer agjendës së ndërtimit të institucioneve të Kosovës.
Më lejoni që në emrin tim dhe të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.


Bedri Hamza
Guvernator
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës