FMN: Ekonomia në Kosovë vazhdon të performojë mirë me rritje prej 4.1

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën udhëheqjen e Jacues Miniane, vizitoi Prishtinën gjatë periudhës 9 deri më 18 nëntor 2016 për të mbajtur diskutime mbi rishikimin e dytë dhe të tretë të Marrëveshjes Stand- By (SBA0 të Kosovës me FMN-në.

Me rastin e përfundimit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ministri i Financave Avdullah Hoti, udhëheqësi i Misionit të FMN-së Jacques Miniane dhe zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Lulzim Ismajli, në Konferencës e sotme për Media kanë thënë se është arritur marrëveshje në nivel të stafit mbi politikat e nevojshme për të përmbyllur rishikimin e dytë dhe të tretë në kuadër të Marrëveshjes SBA.

Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se “ Është konfirmuar sërish nga Misioni i FMN-së se deri më tani, implementimi i Programit është duke ecur shumë mirë. Të gjitha Caqet Fiskale dhe Kriteret Strukturore janë përmbushur me sukses. Të hyrat janë duke performuar shumë mirë dhe deri në fund të vitit, pritet që potencialisht të kalohet plani për të hyrat tatimore. Në të vërtetë, rritja e të hyrave tatimore është shumë më e lartë se rritja ekonomike, çka na lë të kuptojmë se po bëjmë progres të mirë drejt zvogëlimit të ekonomisë informale, zvogëlimit të hendekut tatimor dhe përmirësimit të performancës së dy institucioneve tatim-mbledhëse. Po ashtu, shpenzimet janë duke ecur sipas planifikimeve. Dhe rrjedhimisht, presim që vitin 2016 ta përmbyllim me sukses, me një deficit të arsyeshëm, natyrisht, brenda Rregullës Fiskale. Në këtë drejtim, ekipi i Ministrisë së Financave është duke e monitoruar me shumë kujdes dhe në baza të rregullta ekzekutimin e buxhetit dhe jemi në rrugë të mirë për përmbylljen me sukses edhe të këtij viti fiskal.

“Përveç diskutimeve për ecurinë e programit deri më tani jemi fokusuar edhe në hapat e ardhshëm, për tu siguruar se këto dy rishikime, por edhe rishikimi i fundit i Programit që pritet të bëhet vitin e ardhshëm, kryhen me sukses. Si pjesë e këtij diskutimi ishte edhe Buxheti i vitit 2017. Siç e dini, në shtator, ne jemi pajtuar për këtë Buxhet dhe ashtu siç jemi pajtuar, Qeveria e ka aprovuar të njëjtin edhe kemi proceduar për Kuvend. Këtyre ditëve presim shqyrtimin e këtij Buxhetit për leximin e parë dhe gjatë dhjetorit, edhe leximin e dytë, dhe ne kemi marr zotim se struktura e buxhetit do të ruhet ashtu siç jemi pajtuar me FMN. ” shtoi Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë kësaj vizite është diskutuar edhe për çështjen e Veteranëve të Luftës. “ Jemi pajtuar për hapat që do ti ndërmarrim, në mënyrë që të reformojmë këtë skemë për tu siguruar se në një afat të gjatë kjo skemë e pensioneve është e qëndrueshme. Siç e dini, këtë javë Qeveria ka aprovuar Koncept Dokumentin për ndryshimin e Ligjit për Veteranët e Luftës. Menjëherë do të fillohet me amandamentimin e Ligjit, sipas marrëveshjes me FMN, dhe deri në fund të këtij viti presim aprovimin e ndryshimeve të Ligjit në Kuvend. Në fakt aprovimi i këtyre ndryshimeve është parakusht për përmbylljen me sukses të Rishikimit të dytë dhe të tretë” tha ministri Hoti.

Udhëheqësi i Misionit të FMN-së Jacques Miniane, bëri të ditur se “Misioni i FMN-së pati diskutime konstruktive me autoritetet kosovare dhe arriti marrëveshje në nivel të stafit mbi politikat e nevojshme për të përmbyllur rishikimin e dytë dhe të tretë në kuadër të Marrëveshjes SBA. Marrëveshja kushtëzohet me përmbushjen e veprimeve të politikave që kanë të bëjnë me masat fiskale dhe strukturore, si dhe aprovimin e saj nga ana Menaxhmentit dhe Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Shqyrtimi i saj nga Bordi Ekzekutiv është caktuar tentativisht në fillim të vitit 2017. Përmbyllja e rishikimit do t’i siguronte në dispozicion 79.2 milionë SDR (rreth 100 milionë euro), duke çuar totalin e fondeve të disbursuara në 135.4 milionë SDR (rreth 170 milionë euro)”.

“Ekonomia vazhdon të performojë mirë, me rritje prej 4.1 për qind vitin e kaluar dhe më ritëm të ngjashëm të rritjes për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Remitancat e qëndrueshme, rritja e kreditimit bankar që tani ka shënuar rritje prej më shumë se 9%, si dhe projektet e vazhdueshme të mëdha infrastrukturore kanë kontribuar në këtë performancë. Në të njëjtën kohë, ekonomia vazhdon të përballet me sfida të thelluara strukturore, duke përfshirë një deficit të vazhdueshëm të lartë tregtar. Trajtimi i këtyre sfidave kërkon përpjekje shtesë dhe të qëndrueshme për të zhvilluar një sektor privat më dinamik, të orientuar drejt eksporteve. Një gjë e tillë do të zbuste niveli ekzistues të lartë të papunësisë”, tha z. Jacques Miniane.

Ai gjithashtu bëri të ditur se “Disiplina fiskale përgjithësisht është ruajtur, ndonëse po shtohen presionet nga shpenzimet rrjedhëse. Të hyrat tatimore kanë përfituar nga performanca e fortë e rritjes, të cilat kanë shënuar rritje në përputhje me caqet përkatëse. Kjo, kombinuar me përpjekjet për të mbajtur shpenzimet brenda ndarjeve buxhetore përkundër presioneve gjithnjë më të mëdha nga pensionet e veteranëve të luftës, nënkupton që qeveria me shumë gjasë do të përmbush cakun e deficitit prej 98 milionë euro sipas buxhetit dhe sipas programit të FMN-së. Për sa i përket vitit 2017, buxheti i dorëzuar në kuvend siguron një bilanc të mirë ndërmjet maturisë fiskale, me një deficit të pritur nga projektet kapitale financuar me mjete nga AKP dhe donatorët prej rreth 100 milionë euro, dhe kujdesit të duhur për nevojat e vendit. Në veçanti, duhet të vazhdojnë përpjekjet për t’i mbajtur nën kontroll shpenzimet rrjedhëse, për të krijuar hapësirën për zgjerimin e nevojshëm të buxhetit kapital”.
Ndërsa, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Lulzim Ismajli bëri të ditur se
“me kërkesë të Bankës Qendrore të Kosovës, jemi duke pranuar Asistencë Teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për sektorin e sigurimeve në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen në këtë sektor”.

“Sistemi bankar mbetet likuid, profitabil dhe mirë i kapitalizuar. Kualiteti i Aseteve është duke u përmirësuar, siç reflektohet në uljen e kredive të këqija, gjendja e të cilave në fund të shtatorit është rreth 5%. Është bërë një progres jashtëzakonisht i mirë në përmirësimin e përmbarimit të kontratave e cila është duke ndikuar në uljen e vazhdueshme të normave të interesit. Jemi duke bashkëpunuar vazhdimisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar për funksionalizimin e kornizës Makroprudenciale”.

Gjatë kësaj vizite ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar përveç takimeve të shumta me Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore, ka pasur takime edhe me institucione tjera, të cilat janë përgjegjëse ose të involvuara në implementimin e Programit SBA.
Deklaratë përmbyllëse e misionit të FMN-së për Rishikim të Programit SBA