Banka Botërore premton vazhdimin e projekteve për Bankën Qendrore të Kosovës

Guvernatori Hamza ka pritur sot në takim zonjën Ellen Goldstein drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin perëndimor dhe zotëri Marko Mantovanelli, drejtor i zyrës së Bankës Botërore për Republikën e Kosovës. Fillimisht Guvernatori i ka uruar mirëseardhje znj. Goldstein dhe e ka njoftuar për ceremoninë e sotme të zhvilluar me rastin e përurimit të Qendrës për Vazhdimësi të Punës dhe ka falënderuar atë për mbeshtetjen e parezervë që ka dhënë në përkrahje të ndërtimit të kësaj qendre të rëndësisë së veçantë . Guvernatori poashtu e ka njfotuar znj. Goldstein edhe mbi gjendjen aktuale në sektorin financiar të vendit e cila është vlerësuar stabile dhe e shëndoshë.

Më tej, Guvernatori Hamza dhe znj. Ellen Goldstein shkëmbyen informacione mbi zhvillimet aktuale ekonomike e financiare në Kosovë, si dhe u diskutua për mbështetjen shumëdimensionale që Banka Botërore vazhdon t’i japë në zhvillimin ekonomik dhe institucional të Republikës së Kosovës.

Znj. Ellen Goldstein i ka konfirmuar Guvernatorit Hamza se Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen e saj për të gjitha fushat të cilat janë me interes për zhvillimin e BQK-së dhe për zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi. Me këtë rast znj. Goldstein e ka çmuar lartë bashkëpunimin me Bankën Qendrore dhe të gjitha të arriturat në projektet të cilat janë përkrahur nga asistenca teknike e Bankës Botërore. Ajo theksoi se suksesi i projekteve të zhvilluara në Kosovë merret si model për të dizajnuar projektet për vendet e tjera, duke e përgëzuar Guvernatorin për punën që po bënë në zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së.

Në fund Guvernatori Hamza dhe zonja Goldstein u zotuan se BQK-ja dhe Banka Botërore nuk do përmbyllin bashkëpunimin me përfundimin e projektit të Qendres së vazhdimesisë por që bashkëpunimin do ta zgjerojnë edhe më shumë në fushat tjera me projekte në të ardhmen . Për kontributin e dhënë në punën e saj për zhvillimin e projektit të Qendrës së vazhdimësisë së punës si dhe për mbeshtetjen e vazhduar të Bankës Botërore , Guvernatori Hamza i ka ndarë një mirënjohje falëndërimi znj.Ellen Goldstein.