BQK shënoi Ditën Ndërkombëtare të Kursimeve

Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, në kuadër të aktivitetit për edukim financiar me moton “Edukim financiar për vendime të duhura” kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Kursimeve.
BQK-ja këtë ditë e shënoi me nxënës të shkollave të mesme të kryeqytetit. Ky aktivitet u shënua me një kuiz diturie, i cili vuri në pah angazhimin e nxënësve pjesëmarrës rreth njohurive për edukimin financiar.

Fillimisht znj. Ajshe Ramosaj zyrtare për edukim financiar në Bankën Qendrore të Kosovës, u ka uruar suksese në pjesëmarrje të garës të gjithë nxënësve pjesëmarrës dhe u ka për rëndësinë dhe rregullat e kuizit. Më pas nga zyrtarë të BQK-së nxënësve iu prezantuan njohuri të detajuara rreth tipareve të sigurisë së kartëmonedhave euro. Z. Islam Bahtiri, zyrtar i lartë për operacione me para të gatshme në BQK, u prezantoi nxënësve detaje dhe informata rreth kartëmonedhave euro. Përveç të tjerash ai theksoi se janë 18 shtete të Bashkimit Evropian që e kanë euron valutë të tyre, si dhe 5 shtete të tjera që e përdorin këtë valutë – përfshirë edhe Kosovën.

Më pas u zhvillua kuizi me nxënësit të ndarë në dhjetë grupe, ku secili grup përfaqësonte shkollën e vet. Atyre më parë u është shpërndarë një broshurë e përgatitur nga Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, në kuadër të BQK-së, ku gjenden informata rreth rolit të Bankës Qendrore të Kosovës në ekonominë e vendit, politikës monetare të Kosovës, letrave me vlerë, sistemit të pagesave, licencimit të institucioneve financiare, strukturës se sektorit financiar dhe tema të tjera rreth fushës së ekonomisë dhe financave. Në vijim të aktivitetit të sotëm, ata garuan duke sfiduar njohuritë e tyre për sektorin financiar. Në bazë të njohurive të treguara gjatë kuizit, vendin e parë e mori Shkolla e Mesme “Xhevdet Doda”, vendin e dytë e mori Shkolla e Mesme “Alauddin”, vendi i tretë i takoi shkollës “Shtjefën Gjeçovi”. Të gjitha shkollat pjesëmarrëse u shpërblyen me nga një shpërblim dhe mirënjohje. Gjithashtu nxënësit e grupit fitues do të priten nga Guvernatori i BQK-së dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë.