Në Tiranë i zhvilloi punimet konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë me temën: “Harmonizimi i politikës monetare me stabilitetin financiar – objektivat, përgjigjet dhe ndërveprimi mes tyre në periudha pasigurie”

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit, ka organizuar konferencën e saj vjetore me temë: “Harmonizimi i politikës monetare me stabilitetin financiar – objektivat, përgjigjet dhe ndërveprimi mes tyre në periudha pasigurie”. Pjesmarrës në konference ishin Guvernatorët e Bankave Qendrore të rajonit, përfaqësues dhe anëtarë të bordeve drejtuese dhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore.
Në konferencë i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, përfaqësues të kabinetit qeveritar dhe deputet të Kuvendit të Shqipërisë, Bankën Qendrore të Kosovës e përfaqësoi Guvernatori z. Bedri Hamza, i cili gjithashtu ishte panelist në sesionin e tretë të kësaj konference. Konferenca ka hapur punimet me fjalën përshëndetëse të Guvernatorit Sejko dhe me një fjalë rasti të Kryeministrit Rama dhe të Drejtorit të Qendrës së Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Oksfordit, z. Othon Anastasakis. Më pas konferenca ishte e ndarë në tri sesione: Sesioni i parë i konferencës ka trajtuar sfidat në rrafshin politik dhe ekonomik, si dhe ndikimet e mundshme të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian ose i ashtuquajturi fenomeni Brexit. Gjatë sesionit të dytë, diskutimet janë përqëndruar në ndikimet e zhvillimeve aktuale në realitetin e ri me të cilin po përballet Eurozona dhe rajoni.

Si pjesë e diskutimeve u potencuan edhe mënyrat e nevojshme për koordinimin e politikës monetare me atë të stabilitetit financiar, si dhe aspektet pozitive dhe negative të këtij koordinimi. Ndërsa në sesionin e tretë, i njohur si paneli i Guvernatorëve, diskutimet në këtë panel u përqendruan mbi përshtatshmërinë e instrumenteve të politikave për trajtimin e problemeve aktuale, si dhe përdorimin e mjeteve dhe instrumenteve të politikës monetare dhe të stabilitetit financiar në mënyrë të këmbyeshme, gjatë të cilit folësit shprehën mendimet dhe opinionet e tyre lidhur me këto çështje si dhe trendet nëpër të cilat po kalojnë vendet respektive. Në këtë Konferencë, përveç Guvernatorit të BQK-së, morën pjesë edhe Kryetari i Bordit z. Bedri Peci dhe anetarët e Bordit z. Behxhet Brajshori dhe z.Nuhi Ahmeti. Gjatë punimeve të kësaj konference delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Hamza ka zhvilluar takime me homologë të bankave qendrore, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve financiare.