Funksionet e Përgjithshme

Departamenti i Menaxhimit të Rrezikut 
Departamenti i menaxhimit të rrezikut është përgjegjëse për aktivitete të veçanta të rëndësisë së lartë, që kryhen ose koordinohen në nivel të BQK-së. Në mesin e këtyre aktiviteteve, në radhë të parë hyn përpilimi dhe azhurnimi i planit strategjik të BQK-së, si dhe përcjellja e realizimit të tij. Ngushtë i lidhur me këtë aktivitet është edhe hartimi i politikave për arritjen e objektivave të BQK-së. Si aktivitet tjetër i këtillë është menaxhimi i rrezikut të gjithmbarshëm i veprimtarisë së BQK-së. Po ashtu edhe koordinimi i projekteve të veçanta zhvillimore të BQK-së dhe koordinimi i asistencës teknike, që i ofrohet BQK-së nga institucione të ndryshme hyjnë në kuadër të aktiviteteve të këtilla.
Departamenti i menaxhimit të rrezikut i ka këto funksione kryesore:
• Planifikimin strategjik dhe përgatitjen e politikave për arritjen e objektivave:
• Hartimin e planit strategjik të propozuar të BQK-së dhe propozim e politikave për arritjen e objektivave të BQK-së në bashkëpunim me të gjitha njësitë organizative relevante;
• Përcjelljen dhe raportimin lidhur me realizimin e planit strategjik të BQK-së;
• Propozimin për azhurnimin e planit strategjik të BQK-së dhe politikave për arritjen e objektivave të BQK-së;
• Rekomandimin e masave dhe veprimeve për lehtësimin e realizimit të planit strategjik të BQK-së dhe politikave për arritjen e objektivave të BQK-së;
• Ofrimin e këshillave dhe rekomandimeve në lidhje me çështjet dhe zhvillimet strategjike në marrëdhëniet e BQK-së, me institucionet simotra jashtë vendit dhe institucionet ndërkombëtare relevante;
Menaxhimin e rrezikut të gjithmbarshëm:
• Krijimin, mbajtjen dhe zhvillimin e një kornize gjithëpërfshirëse të menaxhimit të rrezikut, duke pasur parasysh integrimin e menaxhimit të rrezikut në të gjitha operacionet dhe administratën relevante të BQK-së;
• Sigurimin se BQK-ja mirëmban procese adekuate të menaxhimit të rreziqeve të lidhura me veprimtarinë e saj;
• Monitorimin e përgjegjësive të menaxhimit të rrezikut të deleguara në tërë BQK-në;
• Asistimin e Guvernatorit dhe Bordit Ekzekutiv, me anë të analizave përkatëse të rrezikut, në rastet e vendimmarrjeve të rëndësishme;
Koordinimin e projekteve zhvillimore dhe koordinimin e asistencës teknike të pranuar:
• Përgatitjen, organizimin dhe vlerësimin e projekteve zhvillimore të veçanta në bazë të vendimeve të Guvernatorit ose Bordit Ekzekutiv;
• Analizimin dhe raportimin lidhur me aspekte të caktuara të operacioneve dhe administratës së BQK-së ;
• Përgatitjen dhe propozimin e rregullave dhe procedurave për analizim dhe formulim të nevojave të BQK-së për asistencë teknike, si dhe për realizim, monitorim dhe vlerësim të asistencës teknike të pranuar;
• Përcjelljen dhe asistimin në zbatimin e rezultateve të asistencës teknike.

Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë autonome dhe të pavarur, përkatësisht i kryen detyrat dhe i përmbush objektivat e përcaktuara me ligj. Pavarësia dhe autonomia e BQK-së në pajtim me praktikat më të mira institucionale kushtëzon një nivel të lartë të transparencës dhe llogaridhënies nga ana e saj. Për më tepër, informimi i institucioneve shtetërore dhe publikut të gjerë rreth politikave, detyrave dhe operacioneve të BQK-së është një prej detyrave të saj. Po ashtu një prej detyrave të saj është edhe komunikimi dhe bashkëpunimi me organizatat relevante ndërkombëtare. Të dyja këto detyra të BQK-së janë të përcaktuara në nenin 8 të Ligjit për BQK-në dhe janë në funksion të arritjes së objektivave të saj të përcaktuara me këtë ligj.
Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë është njësia kryesore organizative për komunikim me jashtë, koordinim dhe zhvillim të marrëdhënieve me institucionet relevante shtetërore, organizatat relevante ndërkombëtare dhe publikun e gjerë. Po ashtu ky Departament kontribuon edhe në mbajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale me të gjithë akterët e sistemit financiar.
Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë i ka këto funksione kryesore:
• Koordinimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale me institucionet shtetërore;
• Koordinimin dhe zhvillimin e komunikimit me media dhe publikun e gjerë;
• Koordinimin dhe zhvillimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me autoritetet e huaja dhe organizatat ndërkombëtare;
• Kontribuimin në mbajtjen e zhvillimin e marrëdhënieve me institucionet financiare;
• Përkujdesjen për protokollin e BQK-së dhe organizimin e takimeve dhe konferencave të BQK-së të nivelit të lartë;
• Redaktimin dhe lektorimin e publikimeve dhe materialeve të ndryshme;
• Azhurnimin e rregullt të faqes së internetit të BQK-së;
• Koordinimin e raportimeve dhe aktiviteteve të tjera të BQK-së në proceset e integrimeve evropiane;
• Organizimin dhe drejtimin e angazhimeve të BQK-së në fushën e edukimit financiar të publikut;
• Sigurimin e shërbimeve të përkthimeve me gojë dhe me shkrim mes shqipes, serbishtes dhe anglishtes;
• Përkujdesjen për komunikimet e brendshme me rëndësi.

 

Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil, d.m.th. stabilitetin financiar  dhe objektiv  dytësor ka që të kontribuojë  në stabilitetin e çmimeve.  Po ashtu për objektiv tjetër, pa cenuar dy objektivat e para, e ka mbështetjen e politikave të përgjithshme ekonomike qeveritare. Të tria këto objektiva janë të lidhura me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar.  Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar është Departamenti parësor përgjegjës për të kryer analiza të përgjithshme dhe të veçanta të ekonomisë dhe sektorit financiar dhe për të monitoruar dhe studiuar në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet dhe proceset të cilat mund të ndikojnë në stabilitetin financiar.  Ky departament po ashtu i përpilon raportet përkatëse rreth zhvillimeve ekonomike e financiare, si dhe kujdeset për publikimin e tyre dhe për komunikimin e rezultateve tek autoritetet kompetente dhe akterët e tjerë relevant. 

Të tri objektivat e BQK-së janë të përcaktuara në nenin 7 të Ligjit për BQK-në, ndërsa detyrat përkatëse janë të përmbledhura në nenin 8 dhe janë të detajuara në nenet pasuese.  Detyrat e tilla në të cilat kontribuon Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar përfshijnë mbledhjen, analizimin dhe publikimin e informacioneve relevante ekonomike dhe financiare; bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; veprimin si këshilltar ekonomik për Qeverinë dhe subjektet e tjera publike; vlerësimin e stabilitetit financiar; përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar; dhe përcaktimin e politikave për kontribuim në arritjen dhe mbajtjen e stabilitetit të çmimeve, si dhe stabilitetit makroekonomik në përgjithësi.

Puna e Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar është e ndarë në tri fusha të veçanta: analizat makroekonomike, stabiliteti financiar, dhe publikimet dhe biblioteka.  Në kuadër të këtyre fushave, Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar i ka këto funksione kryesore:

Analizat makroekonomike:

• Analizimin e  zhvillimeve makroekonomike dhe identifikimin e rreziqeve për ekonominë e vendit
• Përcjelljen e zhvillimeve ekonomike në regjion dhe më gjerë;
• Rekomandimin e masave për të promovuar stabilitetin e çmimeve në vend dhe të masave të tjera relevante ekonomike;
• Përpilimin e materialeve kërkimore rreth temave të ndryshme makroekonomike.
 
Stabiliteti financiar:

• Analizimin e aktivitetit të sistemit financiar sipas sektorëve përbërës;
• Identifikimin, vlerësimin dhe monitorimin e rreziqeve të sistemit financiar (me fokus të veçantë në sektorin bankar);
• Vlerësimin e stabilitetit të sistemit bankar (përfshirë stres-testin)
• Vlerësimin e infrastrukturës dhe tregjeve financiare;
•  Vlerësimin e perspektivës së sistemit financiar vendor dhe rekomandimin të masave për të promovuar stabilitetin financiar;
• Përpilimin e materialeve kërkimore rreth temave të ndryshme financiare.
 
Publikimet dhe biblioteka:

• Përgatitjen teknike të publikimeve të BQK-së;
• Administrimin dhe pasurimin e Bibliotekës së BQK-së.

 

Departamenti i Planifikimit dhe Raportimit Financiar

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) menaxhon anën financiare të veprimtarisë së saj konform Ligjit për BQK-në dhe standardeve ndërkombëtare.  Obligimet përkatëse bazë të BQK-së specifikohen në nenet 53-59 të Ligjit për BQK-në, si dhe në legjislacionin tjetër të aplikueshëm.  Ana financiare e veprimtarisë së BQK-së specifikohet më në detaje në politika dhe rregulla të brendshme përkatëse, si dhe në buxhet dhe plane të tjera. 

Departamenti i Planifikimit dhe Raportimit Financiar është njësia organizative përgjegjëse për çështjet e brendshme financiare të BQK-së.  Në formë më specifike puna e tij përfshin mbajtjen e librave financiarë, përgatitjen e pasqyrave financiare, kryerjen e analizave financiare, planifikimin e buxhetit dhe implementimin e tij, menaxhimin e granteve të alokuara, procesimin e shpenzimeve dhe kryerjen e punëve të zyrës mbështetëse.

Në kuadër të Departamentit të Planifikimit dhe Raportimit Financiar ekziston Divizioni i Kontabilitetit dhe Mbështetjes dhe Divizioni i Mbikëqyrjes dhe Analizave Buxhetore.  Departamenti i Planifikimit dhe Raportimit Financiar i ka këto funksione kryesore:
• Menaxhimin e funksioneve bazë të kontabilitetit dhe kontabilitetit financiar;
• Përgatitjen dhe publikimin e pasqyrave financiare;
• Përgatitjen e analizave financiare;
• Përpilimin, kontrollin dhe implementimin e buxhetit vjetor;
• Menaxhimin e shënimeve të kontabilitetit të shpenzimeve;
• Menaxhimin e granteve të alokuara për BQK-në;
• Procesimin e shpenzimeve dhe pagesave të vogla;
• Ushtrimin e punëve të zyrës mbështetëse për transaksionet me llogari nostro;
• Komunikimin dhe menaxhimin e aktiviteteve financiare me llogaritë e FMN-së;
• Bashkëpunimin me auditorët e jashtëm dhe palët e tjera relevante rreth aspekteve të financave dhe evidencës financiare në  BQK.

 

Departamenti Juridik

Departamenti juridik është përgjegjës për çështje të natyrës juridike respektivisht ofrimin e shërbimit dhe mbështetjes juridike për BQK-në. Departamenti Juridik merr masat e nevojshme në mënyrë, që të sigurojë se e tërë veprimtaria e BQK-së është në përputhje me “Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës” si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Departamenti Juridik ka detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim:

  • Ofrimi i mbështetjes ligjore në hartimin e legjislacionit primar dhe sekondar, si dhe   akteve tjera të brendshme;
  • Dhënia e konfirmimit dhe opinioneve juridike për aktet juridike të cilat parashtrohen për aprovim në bordin ekzekutiv, në pajtim me politikën për nxjerrjen e akteve juridike në BQK;
  • Dhënien e këshillave dhe opinioneve në formë të shkruar sipas kërkesës dhe rastit;
  • Mbështetjen profesionale në adresimin e sfidave që dalin në rrugën e integrimit evropian, në veçanti fushat që janë nën përgjegjësi të BQK-së dhe që ndërlidhen me sferën juridike;
  • Asistimin për personelin e BQK-së për aplikim sa më të drejtë të legjislacionit të aplikueshëm nga BQK-ja dhe akteve të tjera nënligjore;
  • Komunikimet me njësitë e tjera organizative, me qëllim të njoftimit dhe identifikimit të zbrazësive dhe nevojave për plotësim të legjislacionit ekzistues dhe qartësim të procedurave;
  • Ofrimi i mbështetjes ligjore në hartimin e marrëveshjeve, që lidh BQK-ja me institucionet vendore dhe ndërkombëtare;
  • Në koordinim me departamentet/divizionet përkatëse, pjesëmarrja në takime të ndryshme, në institucionet vendore kur diskutohen ligjet apo akte tjera juridike që ndërlidhen direkt apo indirekt me funksionet dhe detyrat e BQK-së;
  • Shqyrtimi i kontratave të prokurimit nga aspekti ligjor;
  • Komunikimin me institucionet e drejtësisë (policia, gjykatat, prokuroria) lidhur me çështjet që janë në kompetencë të tij (kërkesa, ankesa, përfaqësime, njoftime, përgjigje etj.) më qëllim të mbrojtjes së interesave të BQK-së para këtyre dhe organeve tjera të relevante, konform procedurave përkatëse;
  • Kryerjen e veprimeve përgatitore me qëllim të përfaqësimit sa më profesional në konteste të ndryshme kur BQK-ja paraqitet si palë;
  • Bashkëpunimi me departamentet/divizionet përkatëse gjatë procesit  të përfaqësimit gjyqësor; 
  • Procedimin brenda afateve me mjete juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme varësisht nga rasti në instanca të tjera jashtë BQK-së;
  • Raportimin te Zëvendësguvernatori apo Guvernatori me qëllim të njoftimit me dukuritë dhe ecuritë e rasteve të ndjeshme;
  • Mbajtjen e evidencave përkatëse për rastet e përfaqësuara;
  • Informimi i menaxhmentit të bankës për çdo zhvillim në ligj, që mund të ndikojë në përmbushjen e detyrave të BQK-së, analizimi i pasojave të mundshme dhe propozon reformat e përshtatshme për t’i marrë parasysh këto zhvillime;
  • Kryen detyra të tjera brenda sferës së përgjegjësive të cekura me lartë dhe të përcaktuara në mënyrë specifike me akte juridike  dedikuar fushës përkatëse.