Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), pasardhëse e Autoritetit të Bankave dhe të Pagesave të Kosovës dhe e Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, është themeluar në qershor të vitit 2008 me miratimin e Ligjit nr. 03/L-074 për “Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës” nga Kuvendi i Kosovës.
BQK-ja, është subjekt i pavarur juridik me kompetenca të plota si person juridik sipas ligjit në fuqi në Kosovë, dhe përgjigjet para Kuvendit të Kosovës.
Objektivat kryesore të BQK-së sipas ligjit në fuqi janë:
- a) Të nxisë sigurinë, aftësinë e pagimit dhe funksionimin efikas të sistemit financiar stabil të bazuar në treg, duke inkurajuar daljen e instrumenteve financiare të sigurta në treg; dhe
- b) Pa paragjykuar këtë, të mbështesë politikat e përgjithshme të ekonomisë në Kosovë, me synim të kontribuimit në ndarjen efikase të resurseve në pajtim me parimin e ekonomisë së tregut të hapur.
- BQK-ja ka kompetencat e veçanta vijuese:
- a) t’i rekomandojë udhëzime të gjëra politike Kuvendit dhe Qeverisë në fushat që i ka në përgjegjësi;
b) të vendosë dhe të zbatojë masat për sistemet e marrëveshjeve mbi transaksionet e valutave vendore dhe të huaja në Kosovë, të mbikëqyrë dhe të rregullojë pagesat;
c ) të posedojë dhe veprojë me një apo me më shumë sisteme pagesash;
d) të veprojë si bankar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe të ofrojë këshilla financiare me kërkesë të kësaj Ministrie;
e) të veprojë si agjent fiskal i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave;
f) të mbajë depozita të valutave të huaja për Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe për subjektet tjera publike;
g) të sigurojë furnizim adekuat të bankënotave dhe monedhave për rregullimin e transaksioneve me para të gatshme;
h) të mbajë thesar për ruajtjen e sigurt të valutave dhe letrave me vlerë;
i) të licencojë, mbikëqyrë dhe rregullojë institucionet financiare;
j) të kryejë analiza të rregullta ekonomike dhe monetare të ekonomisë së Kosovës, t’i bëjë publike rezultatet dhe t’i paraqesë propozime e masa Kuvendit dhe Qeverisë në bazë të analizave të tilla;
k) të mbikëqyrë dhe rregullojë agjentët e shitjes në këmbimin e valutave, ndërmjetësuesit ujdisës dhe fondet e ndërsjella;
l) të miratojë auditorët e jashtëm të institucioneve financiare;
m) të vendosë standarde të kontabilitetit për institucionet financiare në Kosovë në harmoni me standardet ndërkombëtare financiare të raportimit.
Brenda kompetencave të përcaktuara me ligj, BQK-ja është e pavarur nga çdo pushtet tjetër në realizimin e objektivave kryesore të veprimtarisë së saj, si dhe ushtrimin e detyrave të ngarkuara. Çdo subjekt është i detyruar të respektojë pavarësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, të mos kërkojë të influencojë te ndonjë anëtar i Bordit drejtues apo punëtor i saj për të cenuar detyrimet e tij ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe të mos ndërhyjë në veprimtaritë e saj.